Standardet për eksportin e mollëve




Prodhimi dhe tregtimi i mollëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian (BE)
Në vendin tonë, gjatë dekadave të fundit, prodhimi i mollëve ka pësuar rritje të ndjeshme. Sipas statistikave prodhimi i mollëve në vitin 2019 arriti në 105,9 mijë ton (INSTAT, 2019). Kjo rritje është rezultat i shtimit të sipërfaqes së mbjellë si dhe rritjes së rendimentit nëpërmjet përmirësimit të teknologjive të kultivimit. 

Shqipëria është një ndër konsumueset më të mëdha të mollëve në Evropë. Sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, konsumi i mollëve në Shqipëri është në shifrat e 25 kg/frymë, kundrejt nivelit 19 kg/frymë që regjistron konsumi i mollës në Bashkimin Evropian. 

Nisur nga kjo situatë tregu i brendshëm nuk pritet që të thithë më tepër prodhim të mollës, kështu që eksportet janë të domosdoshme për të thithur prodhimin e tepërt në vendin tonë. 

Pse molla shqiptare preferohet nga tregjet evropiane?
Molla shqiptare, falë kushteve klimatike shumë të favorshme të zonave ku ajo rritet, prodhohet me përdorimin e pesticideve disa herë më të ulëta se vendet e Ballkanit dhe vendet e Evropës Qendrore. Kjo e bën prodhimin shqiptar të pëlqyer në tregjet evropiane e më gjerë. Pra, nga kjo pikëpamje, mollët Shqiptare janë më natyrale dhe më të pastra se mollët e prodhuara në vendet tjera të Evropës.

Situata e eksportit të mollëve në vendin tonë
Eksporti i mollëve, ndonëse modest, ka pasur një tendencë në rritje këto dy dekadat e fundit. Në vitin 2019 u eksportuan 13.437 tonë mollë, kundrejt zero eksporteve në vitin 2010. Korça kryeson eksportet falë rritjes së standardeve të prodhimit dhe trajtimit të tyre. 

Fillimisht eksporti i mollëve ka filluar në vendet fqinje si Kosovë, në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut, ndërsa sot eksporti i mollëve shqiptare po tërheq vëmendjen e tregjeve të vendeve të Bashkimit Evropian, të tilla si Bullgaria, Greqia, Austria, Gjermania, etj. Veç këtyre vendeve, hartës së eksportit të mollëve i është shtuar Arabia Saudite, Egjipti dhe Pakistani.

Duhet theksuar se tregjet e eksporteve janë shumë konkurruese dhe kërkuese për sa i përket cilësisë dhe standardeve. 
Eksportet shqiptare, deri tani, përbëhen pjesërisht nga mollë të cilësisë së ulët me çmime të ulëta pasi një pjesë e mirë e tyre eksportohen për përpunim. 

Prandaj, duhet investuar shumë në drejtim të rritjes së cilësisë me qëllim që eksporti të dominohet nga mollët për konsum të freskët, sepse çmimi i mollëve për konsum të freskët është shumë i lartë se çmimi i mollëve për përpunim industrial.

Cilat janë rrugët për rritjen e cilësisë së mollëve?

  • Fillimisht duhet pasur kujdes me zgjedhjen e kultivarit, i cili  jo vetëm t’i përshtatet kushteve klimatike e tokës por edhe kërkesave e preferencave të konsumatorit. Varieteti i mollës, përmasa e frutit, ngjyra, aroma, shija janë tregues  shumë të rëndësishme për tregun.
  • Gjithashtu, për prodhimin e frutave me cilësi të lartë dhe që mund të ruhen siç duhet, fermerët duhet të ndjekin me rreptësi udhëzimet për sa i përket krasitjes, ushqyerjes së bimës, rrallimit të frutave, trajtimit kundër sëmundjeve dhe dëmtuesve, ujitjes dhe kohës së vjeljes.

Trajtimet kimike kundër sëmundjeve dhe insekteve marrin rëndësi të veçantë se përveç kostos së tyre shumë të lartë, ato lënë edhe shumë mbetje në frut, të cilat janë të dëmshme për shëndetin. Mbetjet, si për tregun e brendshëm ashtu edhe për eksportin në BE, janë të papranueshme.

Rekomandojmë që të gjitha trajtimet të kryhen në pajtim me nevojat e prodhimit, të përcaktuara nga monitorimi dhe analizat të cilat garantojnë sigurinë e produktit. Kërkohet rritja e njohurive teknike për praktikat e vjeljes dhe pas vjeljes dhe disponueshmëria e mjeteve logjistike, sepse ndikojnë shumë në performancë. 

Gjithashtu, kërkohen investime për Qendrat e grumbullimit, ruajtjes dhe ambalazhimit (magazinat frigoriferike me pajisje marketingu) të cilat nevojiten për të përmirësuar standartet. Informacioni, promovimi, panairet marrin rëndësi të veçantë në përmirësimin e standardeve.

KRITERET E BE-SË PËR PRANIMIN E MOLLËVE TË FRESKËTA
Eksportuesit e mollëve nga vendet e botës së tretë drejte vendeve të BE-së duhet të veprojnë në përputhje me të gjitha kërkesat ligjore të renditura në “UDHËZUESIN MBI KËRKESAT E BE-SË PËR TREGUN LIDHUR ME SIGURINË DHE CILËSINË DREJTUAR EKSPORTUESVE TË FRUTAVE DHE PERIMEVE TË FRESKËTA NGA VENDET E TRETA”. 

Disa kërkesa specifike për mollët e freskëta: 
Kontrolli i kontaminuesve: Kontaminuesit janë substanca të cilat nuk janë shtuar qëllimisht tek ushqimet. Në përgjithësi kontaminimi ka ndikim negativ në cilësinë e ushqimit dhe mund të nënkuptojë një risk për shëndetin e njerëzve. Prandaj, BE ka marrë masa për të minimizuar kontaminuesit në produktet ushqimore dhe ka vendosur nivelin maksimal të kontaminuesve. Nivelet përkatëse të kontaminuesve për frutat dhe perimet e freskëta mund të gjenden në Aneksin e Rregullores (BE) 1881/2006. 

Produkti: MOLLË TË FRESKËTA 
KontaminuesitNivelet maksimale (mg/kg)
Metale të rënda 
METALE / PLUMB0.10
METALE / KADMIUM0.050

Nuk ka certifikata zyrtare për kontaminimin; verifikimi i përputhjes bëhet nëpërmjet mostrave të përzgjedhura në mënyrë rastësore dhe analizës në pikën e hyrjes, shpërndarjes apo shitjes në BE.

Kontrolli i mbetjeve të pesticideve: Gjurmët që lënë pesticidet në produktet e përpunuara quhen “mbetje”. Komisioni vendos Nivelet Maksimale të Mbetjeve (NMM) për të gjithë ushqimet për njerëzit dhe për kafshë, të përcaktuara nga Rregullorja (BE) Nr. 396/2005. 

Nëse mbetjet e pesticideve gjenden në një nivel që është shqetësues për konsumatorët, Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin e njerëzve dhe Ushqimin e Kafshëve (RASFF) qarkullon informacionin dhe merren masa për të mbrojtur konsumatorin. 

Nuk ka certifikata zyrtare për NMM-të; produktet i nënshtrohen testimit në mënyrë rastësore në pikën e hyrjes, shpërndarjes apo shitjes me pakicë në BE.

Nëse niveli i pesticideve tejkalon NMM dhe përbën një risk ndaj shëndetit të njerëzve, ngarkesa deklarohet e pasigurt dhe asgjësohet me shpenzimet e eksportuesit, informohen eksportuesi dhe blerësi, dhe ai rrezikon të mos lejohet më të kryejë eksporte të tjera në BE.

Kontrolli i shëndetit të bimëve: Eksportuesit e bimëve dhe produkteve bimore (duke përfshirë frutat dhe perimet dhe produktet e drurit) drejt BE duhet të sigurohen që produktet e tyre të jenë në përputhje me legjislacionin e BE për shëndetin e bimëve. BE ka parashtruar kërkesa fitosanitare për të parandaluar hyrjen dhe shpërndarjen në territorin e BE të organizmave të dëmshëm për bimët dhe produktet bimore (Direktiva 2000/29/EC). 

Eksportet e mollëve të freskëta drejt BE-së duhet të shoqërohen me një certifikatë Fitosanitare të lëshuar nga autoritetet përkatëse kompetente në Shqipëri – Shërbimi i Mbrojtjes së Bimëve pranë Agjencitë  Rajonale të Shërbimit Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve (ARSHVMB). 

Standardet e marketingut: Mollët kanë standarde specifike të marketingut si më poshtë: 

Dispozitat lidhur me cilësinë
a. Kërkesat minimale: Në të gjitha klasat, sipas dispozitave të veçanta për çdo klasë dhe tolerancat e lejuara, mollët duhet të jenë:

  • të paprekura (shtypura, dëmtuara),
  • të shëndetshme (mollët e prekura nga kalbja apo prishja aq sa të jenë të papërshtatshme për konsumim përjashtohen),
  • të pastra (praktikisht pa asnjë lëndë të huaj të dukshme),
  • të freskëta në paraqitje,
  • praktikisht pa insekte,
  • të padëmtuara nga insektet që prekin tulin,
  • pa lagështirë të jashtme anormale,
  • pa erë dhe/ose shije të panjohur.
    Zhvillimi dhe gjendja e mollëve duhet të jetë e tillë që të bëjë të mundur që ato:
  • të durojnë transportin dhe lëvizjen,
  • të mbërrijnë në gjendje të kënaqshme në vendin e destinacionit.

b. Kërkesat e pjekjes: Mollët duhet të jenë të zhvilluara mjaftueshëm dhe të shfaqin pjekuri të kënaqshme. Zhvillimi dhe shkalla e pjekurisë së mollëve duhet të jetë e tillë që t’u mundësojë atyre vazhdimin e procesit të pjekjes dhe të arrijnë shkallën e pjekjes që kërkohet në lidhje me karakteristikat varietore.

c. Klasifikimi: Mollët klasifikohen në tri klasa, të përcaktuara si më poshtë: 

  • Klasa ‘Ekstra’ 
    Mollët në këtë klasë duhet të jenë të një cilësie superiore. Ato duhet të jenë të forta dhe tipike për varietetin dhe me bishtin të paprekur. Për secilën, nga varietetet e renditura në Rregulloren për Zbatim të Komisionit  (BE) No 543/2011, ANEX 1, PART A (MARKETING STANDARD FOR APPLES),  përcaktohet grupi i ngjyrës. Tuli duhet të jetë absolutisht i shëndetshëm. Ato duhet të jenë pa defekte, me përjashtim të defekteve shumë të vogla sipërfaqësore, me kusht që ato të mos prekin pamjen e përgjithshme të produktit, cilësinë, cilësinë e konservimit dhe prezantimin në pako.
  • Klasa I 
    Mollët në këtë klasë duhet të jenë të një cilësie të mirë. Në formë, madhësi dhe ngjyrë ato duhet të jenë tipike për varietetin. Tuli duhet të jetë absolutisht i shëndetshëm. Disa defekte të vogla, gjithsesi, mund të lejohen, me kusht që të mos prekin pamjen e përgjithshme të produktit, cilësinë, cilësinë e konservimit dhe prezantimin në paketim.
  • Klasa II 
    Kjo klasë përfshin mollë që nuk i plotësojnë kushtet që të përfshihen në klasat më të larta por plotësojnë kërkesat minimale të specifikuara. Tuli nuk duhet të ketë defekte të mëdha. Disa defekte mund të lejohen, me kusht që mollët të ruajnë karakteristikat e tyre thelbësore lidhur me cilësinë, cilësinë e konservimit dhe paraqitjen.

Dispozitat lidhur me madhësinë
Madhësia përcaktohet ose nga diametri maksimal i seksionit ekuatorial, ose nga pesha. Madhësia minimale duhet të jetë 60 mm, nëse matet nga diametri ose 90 g, nëse matet nga pesha. Frutat me përmasa më të vogla mund të pranohen, nëse niveli Brix i produktit është i barabartë me ose më i madh se 10,5° Brix dhe përmasat nuk janë më të vogla se 50 mm ose 70 g.

Dispozitat lidhur me tolerancat
a. Tolerancat e cilësisë

  • Klasa ‘Ekstra’ – një tolerancë totale prej 5 %, në numër ose peshë, të mollëve që nuk i plotësojnë kërkesat e klasës, por që plotësojnë ato të Klasës I lejohet. Brenda kësaj tolerance jo më shumë se 0,5 % gjithsej mund të përbëhet nga produkte që plotësojnë kërkesat për cilësi të Klasës II.
  • Klasa I – një tolerancë totale prej 10 %, në numër ose peshë, të mollëve që nuk i plotësojnë kërkesat e klasës, por që plotësojnë ato të Klasës II lejohet. Brenda kësaj tolerance jo më shumë se 1 % gjithsej mund të përbëhet nga produkte që nuk plotësojnë as kërkesat për cilësi të Klasës II, as kërkesat minimale, ose nga produkte të prekura nga kalbëzimi.
  • Klasa II - një tolerancë totale prej 10 %, në numër ose peshë, të mollëve që nuk i plotësojnë as kërkesat e klasës, as kërkesat minimale lejohet. Brenda kësaj tolerance jo më shumë se 2 % gjithsej mund të përbëhet nga produkte të prekura nga kalbëzimi.

b. Tolerancat e përmasave
Për të gjitha klasat: një tolerancë totale prej 10 %, në numër ose peshë të mollëve që nuk i plotësojnë kërkesat, për sa i përket përmasave, lejohet.

Dispozitat lidhur me prezantimin

  • a. Njëtrajtshmëria: Përmbajtja e çdo pakoje duhet të jetë njësoj dhe të përmbajë vetëm mollë të së njëjtës origjinë, varietet, cilësi dhe madhësi dhe të njëjtën shkallë pjekurie. Në rastin e Klasës ‘Ekstra’, njëtrajtshmëria vlen gjithashtu edhe për ngjyrën.
  • b. Ambalazhimi: Mollët duhet të ambalazhohen në mënyrë të tillë që produkti të mbrohet siç duhet. Në mënyrë të veçantë, pakot e shitjes të një peshe neto që i kalojnë 3 kg duhet të jenë të forta mjaftueshëm që të sigurojnë mbrojtjen e duhur të produktit. Përdorimi i materialeve, prej letre ose i pullave që bartin specifikime tregtare, lejohet me kusht që printimi dhe emërtimi të jetë bërë me ngjitës ose bojë jo toksike. 
    Etiketat (stikerat) të cilat ngjiten në mënyrë individuale tek produktet duhet të jenë të tilla që kur të hiqen të mos lënë as gjurmë të dukshme të ngjitësit e përdorur as të çojnë në defekte të lëkurës.

Kërkesat e blerësve privatë

Skemat e çertifikimit
Siguria ushqimore është një prioritet kryesor në të gjithë sektorët ushqimorë të BE. Pjesa më e madhe e blerësve mund të kërkojnë garanci shtesë në formën e certifikatës. Shumë blerës të BE kërkojnë zbatimin e një sistemi menaxhimi të sigurisë ushqimore .

Skema më e zakonshme që kërkohet në lidhje me certifikimin e sigurisë ushqimore, esenciale për eksportimin e FPF (fruta e perime të freskëta) në BE është GLOBAL G.A.P. Ky është një standard i portës-para-fermës i cili mbulon të gjithë procesin e prodhimit bujqësor, që përpara se bima të jetë mbjellë në tokë e deri tek produktet e papërpunuara (përpunimi nuk mbulohet). 

Në vendin tonë ka disa organizata lokale si Albinspekt, Creative Business Solution (CBS), AAC-Lushnja, të cilat mund të ofrojnë mbështetje për certifikatën GLOBAL G.A.P., në përputhje me kërkesat e tregut të BE. Certifikata mbulon procesin e produktit të certifikuar para se të mbillet fidani e deri sa prodhimi të largohet nga ferma, d.m.th i gjithë cikli i prodhimit. Realizimi i shpejtë dhe i saktë i kësaj certifikate bëhet vetëm nëse fermeri do të mbajë “Librin e fermës” ose “Regjistrin e fermës”.

Nëse doni të dini më shumë për GLOBAL G.A.P. mund të klikoni këtu.

Data e publikimit: 26/08/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

VJELJA DHE THARJA E AGULIÇES

Cilësia e prodhimit varet kryesisht nga kushtet e tharjes. Në asnjë rast tharja nuk mund të bëhet në dritë të madhe apo në diell.

Lexo më shumë

VJELJA DHE TRAJTIMI PAS VJELJES I ROZMARINËS

Kur është koha e korrjes së rozmarinës?

Lexo më shumë

KORRJA DHE SHIRJA E LULEDIELLIT

Çfarë duhet të bëni me farat e lulediellit pas korrjes?

Lexo më shumë

VJELJA/KORRJA E TRUMZËS

Vjelja bëhet me dorë ose me makineri korrëse e cila e realizon prerjen e bimës në mënyrë që të mos komprometojë cilësinë e saj. Në përgjithësi, vjelja kryhet në lartësinë 5-8 cm mbi sipërfaqen e tokës.

Lexo më shumë