Në zemër të fshatit Lazarat, mes kodrave të gjelbra dhe sfidave të jetës rurale, jeton Viron Difo një fermer i përkushtuar i cili është shembull frymëzimi për komunitetin e tij dhe më gjerë. Me mbështetjen e FED invest, z. Viron ka arritur të kthejë sfidat e jetës në mundësi duke u bërë një histori suksesi që është vlerësuar deri edhe në nivel kombëtar.
Vironi jeton së bashku me nënën, bashkëshorten dhe fëmijën e tyre në një shtëpi të thjeshtë pronësi e nënës së tij. Familja e tij ka një traditë të gjatë në bujqësi dhe blegtori të cilën ai e ka çuar një hap përpara duke investuar në zhvillimin e fermës së tij.
Aktualisht ai kujdeset për 250 krerë dhi dhe mbjell jonxhë në tokat e familjes për të siguruar ushqimin e bagëtive. Për më tepër ai punon çdo ditë në kushte të vështira për të mbushur ujë dhe për të mirëmbajtur fermën e tij në terrenin malor të Gjokanës.
I njohur në zonë si mbreti i Gjokanës, z. Viron është një figurë e respektuar për punën e tij të palodhur dhe përkushtimin ndaj komunitetit. Ky përkushtim nuk ka kaluar pa u vënë re. Historia e tij e suksesshme ka tërhequr vëmendjen e mediave kombëtare dhe ai ka pasur nderin që historia e tij të paraqitet në televizion kombëtar. Ky vlerësim publik ka sjellë edhe më shumë krenari për të dhe komunitetin e tij.
“Është emocionuese të shohësh që puna dhe përkushtimi im janë vlerësuar jo vetëm nga ata që më njohin, por edhe nga njerëz në të gjithë vendin. Kjo më motivon të punoj më shumë dhe të arrij synime më të mëdha” - shprehet z. Viron.
Mbështetja e FED invest ka qenë një pikë kthese në jetën e Vironit. Me ndihmën e parë nga FED invest ai ka arritur të realizojë restaurimin e stallave ndërsa herën e dytë në vitin 2024, bëri të mundur zgjerimin e kopesë duke sjellë kështu rritjen e prodhimit dhe përmirësimit të jetesës për familjen e tij.
“Mbështetja nga FED invest më ka dhënë mundësinë të ndërtoj një të ardhme më të mirë për familjen time dhe të vazhdoj traditat e fshatit tonë”, - thekson ai. “Jam i vendosur të zhvilloj më tej fermën dhe të bëj një jetë më të mirë për fëmijët e mi”.
Histori si kjo e Vironit tregojnë se përkushtimi, pasioni dhe mbështetja e duhur mund të sjellin ndryshime të mëdha. Ai është një shembull i gjallë i asaj që mund të arrihet me punë të palodhur dhe mbështetje të duhur, duke frymëzuar jo vetëm fermerët por, çdo individ që përballon sfida në jetë.
Shpërndaj në rrjetet sociale: