TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË MENTËS




Menta (Menta piperita L.) është bima me shumë aromë dhe me efekte mjekësore. Vend origjina e Mentës mendohet të jetë Azia perëndimore dhe Evropa Mesdhetare. Menta është bimë shumëvjeçare, me lartësi 30 deri 80 cm, nga kërcejtë rozetë të degëzuar. Trupi është shkurre, rrënjët janë xhufkore, dobët të zhvilluara dhe në tokë krijojnë masën e kërcejve nëntokësor nga të cilat zhvillohen në numër shumë të madh kërcejtë mbitokësor. Gjatë historisë, menta është prodhuar më së miri nga Anglia. Në Angli, ajo është një bimë e vjetër e kultivuar dhe e prezantuar në fund të Mesjetës. Nga Anglia, kultivimi u përhap në të gjithë botën. 

Bartësi i vetive shëruese të mentës është vaji i saj i cili gjendet në gjethe, sidomos në gjethe të reja. Nga esenca e vajit përftohet mentoli, një lloj alkooli që i duhet pjesës më të madh të produkteve farmaceutike. Menta ka edhe tanin dhe substancat e hidhura, fibra, proteina, shumë minerale (kalcium, kalium, magnez, fosfor, natrium), vitamina (të grupit A, B, C e D) dhe aminoacide. Gjethet e mentës nuk duhet të zihen sepse mund të humbë vetitë shëruese por atyre vetëm t’ju hidhet ujë i vluar.

Cilat janë vetitë shëruese dhe ushqyese të mentës?

Përdorimi terapeutik i mentës është shumë i lashtë (me shekuj). Egjiptianët e lashtë e përdornin për të ndihmuar problemet në sistemin tretës dhe më pas u përhap dhe në Evropë. Ndër përdorimet kryesore të saj janë:

  • Menta përdoret si qetësues i këndshëm, i butë dhe i padëmshëm; 
  • Përdoret kundër gazrave, fryrjeve dhe ngërçeve në zorrë, kundër tretjes së vështirë të ushqimit;
  • Çaji i mentës është një nga më të mirët për trajtimin e tëmthit (shpërbërës i gurëve të tëmthit); 
  • Përdoret për lehtësimin e frymëmarrjes. Falë përmbajtjes së mentolit, menta pastron rrugët e frymëmarrjes; 
  • Rekomandohet për trajtimin e ftohjeve, gripit ose etheve të larta. Tek personat me bronkit përmbajtja e acidit acetik dhe askorbik në mentë ndihmon në shpërbërjen e sekrecionit në rrugët e frymëmarrjes dhe kontribuon në heqjen e sekrecioneve nga mushkëritë.
  • Si aromatik - Gjethet e mentës freskojnë gojën ndaj janë të rekomandueshme për shumë njerëz që vuajnë nga shëndeti dentar, era e keqe e gojës dhe zverdhja e dhëmbëve, si dhe luftojnë bakteret dhe inflamacionin ndaj rekomandohen kundër infeksioneve dentare. 
  • Në kozmetikë - Menta ka një veprim rifreskues, tonik dhe pastrues; ka një ndikim pozitive në shëndetin e lëkurës e sidomos ndaj akneve dhe shërimin e lëndimeve të lëkurës. Këto janë edhe arsyet se pse ajo futet te shampo, detergjentet dhe të kremrat e ndryshëm për trupin. 

Përdorimi në kuzhinë - Menta ka një aplikim të gjerë në të gjitha kuzhinat botërore si erz dhe shtesë dekorative në pjatat e ndryshme. Pijet që përmbajnë mentë, freskojnë dhe relaksojnë trupin gjatë ditëve të nxehta të verës.

Cilat janë kërkesat e mentës ndaj faktorëve të mjedisit?

Kërkesat për temperaturë 

  • Stolonet, me të cilat dimëron menta, durojnë temperaturat deri në - 20ºC pa mbulesë dëbore, nën dëborë mund të durojnë temperaturat deri - 30ºC
  • Sythat shpërthejnë në temperaturë 2-3ºC dhe i rezistojnë temperaturave të ulëta të mëngjesit deri në - 8ºC. 
  • Rritja intensive fillon kur temperatura është më e lartë se 10ºC
  • Temperatura më e mirë për akumulimin e vajit esencial është 18 - 22ºC, dhe sasia rritet nëse është më e lartë se 25ºC, me një rënie të mprehtë të proporcionit të mentolit.

Kërkesat për dritë 

Menta vlerësohet si bimë bimë dritëdashëse apo foto file, prandaj tokat për kultivimin e sajë duhet t’i zgjedhim në zona të diellzuara. Zonat më të përshtatshme për kultivimin e mentës janë ato ku shumi[1]ca e ditëve janë me mot të kthjellët dhe veçanërisht parcelat e drejtuara nga jugu. Zona e kultivimit dhe klima e saj ndikon shumë në sasinë dhe cilësinë e esencës. Esenca e prodhuar nga bimë të kultivuara më në veri (ndikimi i gjerësisë gjeografike) ka një aromë më fine dhe të pëlqyeshme. Kërkesat më të mëdha për dritë janë gjatë fazave të rritjes dhe zhvillimit të bimës duke filluar nga faza e mbirjes deri në përfundim të vegjetacionit.

Kërkesat për ujin, lagështirën 

Rritja e mentës kërkon një klimë të moderuar me reshje mjaft të mëdha gjatë vegjetacionit, për shkak të rrënjës së zhvilluar dobët dhe të cekët. Për rendimentin optimal të mentës dhe vajit esencial, kërkohet që kapaciteti fushor ujorë i tokës (KFU) të mbahet në 80%. Në kushte  të tilla rendimenti i mentës rritet deri në 30% me tre kositje në vit.

Kërkesat për tokën  

Për kultivim të mentës duhet të zgjidhet tokë e pasur me humus dhe lëndë ushqyese lehtësisht të asimilueshme, me strukturë të mirë dhe përbërja mekanike mesatare. Ka nevojë për shumë lagështirë, prandaj është mirë që të kultivohet me sistem të ujitjes. Toka duhet të pastrohet nga barërat e këqija sepse menta mbetet në ngastër për 2-3 vjet, dhe prezenca e barërave të këqija ndikojnë shumë në cilësinë e lëndës së parë të marrë. Menta nuk i duron tokat argjilore e të ftohta dhe me veti jo të mira fizike sepse ka sistem rrënjor të dobët.

Kultivarët e mentës

Ka dy forma të M. piperita: rubescens, e njohur si menta e zezë, me gjethe ngjyrë të gjelbër të errët dhe lule rozë në vjollcë dhe ajo pallescens, e quajtur rëndom menta e bardhë, me gjethe ngjyrë të gjelbër të çelur dhe lule të bardha. Ajo që kultivohet zakonisht është menta e zezë sepse ka një aromë më intensive dhe depërtuese (sepse është më e pasur me vaj eterik) në krahasim me mentën e bardhë. Veç kësaj, i përshtatet një areali më të gjerë mjedisesh kultivimi. 

Përfaqësuesi kryesor i grupit të mentave të zeza është kultivari anglez ‘Mitcham’, shumë i përhapur në tregti por që po zëvendësohet nga kultivarë të tjerë si ‘Bullgar 36 A’, ‘De Banat’, ‘Krasnodarskaja’, ‘Mentola’, ‘Multimentha’ (= Polymentha, rezistues ndaj ndryshkut), ‘Prilukskaja I’. 

Vende të ndryshme kultivojnë lloje të tjera mentash. Nw varwsi nga  nga kërkesat e tregut (blerësve), prodhuesit mund të zgjedhin një nga midis kultivarëve të përmirësuar për prodhimin e vajit eterik cilësore: ‘Murray– Mitcham’ (Australi), ‘Todd–Mitcham’ dhe ‘Black–Mitcham’ (SHBA), ‘Tundzha’ (Bullgari), ‘Zarya’, ‘dhe ‘MC. 10’ (Rusi) si dhe llojet e kultivuara në Itali (‘Italo– Mitcham’) të cilat shquhen për prodhimtari dhe cilësi të lartë.

Cilat janë kërkesat e mentës për parabimën?

Duke pasur parasysh rendimentin, është e justifikuar ekonomikisht që menta të rritet për dy vjet në të njëjtin vend dhe më pas ta zhvendosni atë në një sipërfaqe të re. Për shkak të sëmundjeve dhe dëmtuesve, menta mund të mbillet në të njëjtin vend pas katër vjetësh. Parabimë më të mira janë drithërat, gruri dhe elbi. Ato korren herët, kështu që para mbjelljes së mentës mund të kryhen të gjitha masat e nevojshme agroteknike të nevojshme për një prodhim të qëndrueshëm. 

Menta është parabimë shumë e mirë për shumë kultura bujqësore sepse e le tokën pothuajse të pastër nga barërat e këqija dhe  të pasur me lëndë organike nga gjethet e rëna dhe mbetjet e bimëve. Kështu ajo është një parabimë shumë e mirë për grurin dhe misrin. 

Cila është teknologjia e kultivimit të mentës?

Për kultivimin e mentës njihen metoda të ndryshme të mbjelljes së saj. Duke qenë se menta e kultivuar është një hibrid ajo  përgjithësisht nuk prodhon fara të afta të mbijnë, ndaj edhe shtohet në mënyrë vegjetative me copa (lastarë) të gjelbra dhe stolone. Shumimi me copa të gjelbra të rrënjëzuara nuk është shumë praktik për mbjellje në sipërfaqe të mëdha sepse është i kushtueshëm dhe kërkon shumë fuqi punëtore.

Shumimi me stolone 

Stollonet për ngritjen e parcelave të reja me mentë merren nga bimët mëmë dy vjeçare, pra ato merren nga parcelat dyvjeçare. Gjatë marrjes së stoloneve bëhet kujdes të shmangen parcelat me mentë të egër ose të infektuara me barëra të këqija  shumëvjeçare. Stolonet mund të jenë të bardha dhe të gjelbra. Duhet të ketë 70% stolone të bardha dhe pjesa e mbetur mund të jenë vetë stolone të gjelbra. 

Përmbajtja e lagështisë e stoloneve të mbjella duhet të jetë afro 80%.

Për të rritur raportin e stoloneve të bardha ndaj atyre të gjelbra, këshillohet mbulimi/mbathja e rreshtave të mentës 4 – 5 cm me dhe me ndihmën e kultivatorëve midis rreshtave, 1 – 1,5 muaj para mbledhjes së stoloneve. Për mbjelljen e 1 ha me mentë nevojiten 1 – 1.5 t material mbjellës apo stolone. Nxjerrja e stoloneve nga toka mund të bëhet me një plug skarifikues ose makinë për vjeljen e patates e pajisur me një zinxhir vibrues. Stolonet duhet të transportohen menjëherë në vendin e trapiantimit ose të paketohen nëse do të mbahen përkohësisht në ruajtje. Pastrimi i dherave mund të realizohet me sita vibruese. Gjatësia e stoloneve nuk duhet të jetë më e shkurtër se 15 cm (të paktën tre nyja) sepse stolonet më të shkurtra shpesh bëjnë që të ketë mungesa bimësh të tepërta, e për pasojë, parcela me dendësi jo uniforme.

Shumimi me copa 

Menta shumohet edhe në rrugë vegjetative, me copa të rrënjëzuara por që karakterizohen nga një zënie e ulët. Një metodë e tillë e shumimit kërkon temperature dhe lagështi relative optimale për ta rritur përqindjen e rrënjëzimit. Nga bima mëmë një apo dy vjeçare, priten me brisk të dezinfektuar disa copa me gjatësi 7 – 9 cm.

Edhe te rrënjëzimi i copave përdoren teknologjitë sikurse të prodhimit të fidanëve i cili mund të realizohet në shtretër dhe në kaseta. Të njëjtat përparësi sikurse te fidanët janë dhe te rrënjëzimi. Përqindja e rrënjëzimit është më e madhe tek teknologjia ku aplikohen substratet dhe kasetat. 

Deri në nxjerrjen e rrënjës, bimët mbulohen me plastmasë. Copat për rrënjëzim mbahen në 18 – 20 °C dhe lagështi relative të lartë. Në këto kushte copat zakonisht rrënjëzojnë për 2 – 3 javë. Gjatë rrënjëzimit të copave, sidomos në fazat fillestare, kërkohet aplikimi i rrjetave hijezuese nëse shkëlqimi diellor është i lartë. Pas 3 – 4 javësh dhe një fazë forcimi dhe kalitje fidanët janë të gatshme për trapiantim.

Përgatitja e tokës për mbjellje

Menta këshillohet të mbillet në vjeshtë, sidomos kur mbjellja realizohet me stolinë. Pas korrjes së para bimës, përgatitja e tokës fillon me lërimin e cekët të tokës. Ky punim stimulon dhe përshpejton mbirjen e barërave të këqija. Para mbjelljes realizohet edhe një plugim tjetër i cili bën prishjen dhe përmbysjen e barërave të këqija (masës së gjelbër të mbirë).  Ky plugim duhet të bëhet në thellësisnë 30 – 33cm dhe me anë të frezimit apo diskimit duhet të arrihet një shtresë e shkrifët në trashësi 10 – 12 cm. 

Si edhe për bimët tjera kositëse, sipërfaqja e tokës duhet të jetë sa më e rrafshët. Për mbjelljet pranverore, që bëhet me copa të rrënjëzuara, plugimi i thellë duhet të bëhet në vjeshtë, dhe gjatë përpunimit të pranverës (përgatitjes së tokës për mbjellje), duhet pasur kujdes për të ruajtur lagështinë e akumuluar në tokë gjatë dimrit. Përgatitja e tokës shoqërohet edhe me pleh organik të dekompozuar rreth 30-40 t/ha. Varësisht nga struktura e tokës apo edhe nga cilësia e punimit bazë, punimet plotësuese realizohen me qëllim të përgatitjes sa më të mirë të tokës për trapiantim të fidanëve apo stoloneve. Përgatitja e tokës për mbjellje mund të realizohet me nivelim, frezim, lesim apo edhe rulim, këtë e vlerëson vetë kultivuesi në bashkëpunim me një specialist/agronom në momentin e përgatitjes së tokës.  

Plehrat dhe plehërimi i mentës 

Plehrat e përdorur në prodhimin e mentës, në përgjithësi, i referohen prodhimit organik. Menta është bimë me  kërkuesa për lëndë ushqyese. Për  një ton biomasë kërkon 5,5 kg azot, 5,7 kg potas dhe 0,9 kg fosfor. Provat e ndryshme të kryera me plehërimin e mentës kanë evidentuar se për një prodhim optimal duhen përdorur afërsisht këto doza plehrash:  Azot (N) 120 - 150 kg/ha, Potas (K2O) 200 – 250 kg/ha, dhe Fosfor (P2O) 80 – 100 kg/ha. Nevoja për azot është më e lartë në fillim të pranverës dhe pas vjeljes së parë. Azoti rrit përmbajtjen e mentolit dhe mentonit në vajin eterik. Ushqimi me lëndë organike është i rëndësishëm për një kulturë shumë vjeçare, për më tepër në prodhimin organik. 

Mbjellja apo trapiantimi me stolone

Stolonet e mbledhura duhet të pastrohen nga pjesët e vjetra dhe të sëmura dhe të trapiantohen menjëherë në brazda. Për hapjen e brazdave mund të përdoret një plug i montuar në kultivator. Brazda duhet të hapet pak para mbjelljes së stoloneve për të shmangur tharjen e tokës. Mbjellja realizohet duke vendosur stolonet në grupe me nga 2 ose 3 në brazda në distanca 50 – 70 cm dhe thellësi 13 – 15 cm dhe  duke i mbuluar me një shtresë dheu 10 – 12 cm. 

Kujdes! Në mbjellje më thellë se 10 – 12 cm rrezikohet mbirja, ndërsa në mbjellje më cekët stolonet mund të thahen nga i ftohti. 

Mbulimi dhe mbjellja duhen bërë me një kalim sepse stolonet e lëna në brazdë të pa mbuluara mund të vyshken pas 20 – 30 minuta. 

Për mbjellje të mekanizuar mund të përdoren makina mbjellëse patatesh në të cilat arkat që mbajnë tuberët zëvendësohen me arkat apo mbajtëset më të mëdha. Periudha optimale për mbjelljet e vjeshtës është mesi i Shtatorit deri në fillim të Tetorit. Për të mbjellë 1 ha me mentë nevojiten 1 - 1,5 ton stolone. Marrja e materialit për shumim mund të kryhet edhe në fillim të pranverës. Në këtë rast, veçanërisht në zona me klimë të ftohtë, bimët mulçërohen para dimrit me qëllim mbrojtjen e stoloneve nga i ftohti i dimrit. Megjithatë, marrja e stoloneve në vjeshtë, që ndiqet menjëherë nga trapiantimi i tyre, parapëlqehet më shumë se ai pranveror, pasi ka lagështirë në dispozicion pa qenë nevoja e ujitjes dhe zhvillimi i bimëve nis më herët, kur sapo kanë kaluar ngricat, duke dhënë rendimente më të larta.

Mbjellja apo trapiantimi me copa 

Kjo metodë e mbjelljes përdoret në mbjelljet e pranverës. Për këtë qëllim përdoren lastarë/copa të rrënjëzuara me gjatësi 8 – 10 cm. Mbjellja pranverore mund të fillojë (në varësi nga kushtet e tokës) kur nisin të shfaqen lastarët e bimëve të mbjella në vjeshtë. Për shkak të mugullimit të vonë, të mentës së mbjellë në pranverë, rendimentet mund të jenë mjaft më të ulëta sesa mbjelljet në vjeshtë dhe mund të realizohet vetëm një vjelje. Mbjellja pranverore konsiderohet si një zgjidhje emergjence.

Shërbimet dhe përkujdesja pas mbjelljes

Shërbimet intensive fillojnë që në vitin e parë. Gjatë kultivimit të mentës aplikohen këto masa agroteknike të kujdesit: prashitja, plehërimi plotësues, herrja, ujitja dhe  mbrojtja nga dëmtuesit.

Prashitja është një masë e detyrueshme. Numri i prashitjeve varet nga karakteristikat e tokës, shkalla e infeksionit nga barërat e këqija, kushteve meteorologjike. Nëse toka krijon shpejt kore dhe shpejt mbulohet  nga barërat e këqija atëherë duhet të ndërhyhet disa herë me prashitje apo kultivime në mes të rreshtave. Rekomandojmë që pas çdo ujitje të kryhet kultivimi në mes të rreshtave, kurse prashitja kryhet zakonisht 2 herë. Këto operacione kryhen derisa stolonet e mbulojnë hapësirën  ndërmjet rreshtave. Rekomandojmë të kryhet një prashitje direkt pas mbjelljes dhe ujitjes për zënie. 

Herrja – Nëse gjatë vegjetacionit kryhen 3 deri 4 prashitje atëherë herrja shpesh nuk është e nevojshme. Para vjeljes kur hapësirën ndërmjet rreshtave tek menta e mbulojnë barërat e këqija është mirë që ato së pari të herren. Prania e barërave të këqija do të ndikojë negativisht  si në tharje edhe në cilësinë e vajit eterik që përfitohet. 

Ujitja e mentës duhet të kryhet aty ku është e mundur. Gjatë vegjetacioni kur kemi periudha të gjata kohore me thatësi ujitja është e detyrueshme. Pra, nisur nga kushtet e motit, reshjet, mund të bëhet 2 e më shumë ujitje.  Pothuaj, gjithmonë pas kositjes së parë është e nevojshme një ujitje. Ujitja mund të realizohet me metoda të ndryshme , por më e mira është ujitja në formë shiu. Ujitja është mirë të kryhet pasdite vinë dhe gjatë natës. 

 

SËMUNDJET DHE DËMTUESIT E MENTËS

Si të gjitha bimët e tjera edhe menta preket nga sëmundje e dëmtues të cilat duhet të parandalohen e luftohen në kohë sepse ato bëhen shkak për uljen e prodhimit dhe prishjen e cilësisë. 

Nga sëmundjet kërpudhore menta më së shumti preket nga ndryshku (Puccinia menthae). Zhvillimi i ndryshkut favorizohet nga lagështia dhe nga luhatjet e temperaturës që mund të ndodhin në fund të verës. Kjo sëmundje manifestohet me shfaqjen e njollave ngjyrë ndryshku në faqen e poshtme të gjethit. Sëmundja së pari prek gjethet e poshtme afër tokës dhe pastaj infeksioni kalon edhe në gjethet e sipërme. Gjethet e  poshtme ngadalë marrin ngjyrë të errët dhe fillojnë të bien. Kjo sëmundje shfaqet në fazën e zhvillimit të bimës pak para lulëzimit, kështu që me kositje mund të pengohet përhapja e sëmundjes dhe eliminimi i humbjeve të mundshme. Por nëse shfaqet më herët atëherë nuk duhet të pritet pjekja teknologjike, por duhet të kositet më shpejt me qëllim eliminimin e sëmundjes. Në periudhën kur dihet se shfaqet sëmundja atëherë duhet që parcela e mbjellë  me mentë të vizitohet çdo ditë sepse sëmundja përhapet shumë shpejtë dhe sëmundja për disa ditë  shkatërron në tërësi parcelat e mbjella me mentë, prandaj sapo të vërehen simptomat e para të sëmundjes duhet  të kryhet prerja. Gjethet e prekura nga ndryshku, pjesërisht, nuk kanë vlerë tregtare as si lëndë e parë për distilim.

Në prodhimin organik rekomandohet marrja e masave për  parandalimin e sëmundjeve dhe për këtë qëllim masat e marra  janë kryesisht të karakterit agroteknik. Një masë agroteknike e rëndësishme është eliminimi i barërave të këqija  sepse ato shërbejnë si burim për ushqim dhe si vend për dimërimin e shumë llojeve të dëmtuesve dhe shkaktarëve të sëmundjeve. Prandaj një mase e tillë agroteknike konsiderohet edhe si preventive e sëmundjeve dhe dëmtuesve të mentës. 

Mbrojtja nga ndryshku mund të bëhet edhe me anë të djegies, kur prekja ndodh në fazën kur bima nuk ka kaluar lartësinë e 4 – 5 cm. Ndonëse djegia shkatërron lastarët dhe burimet infektive, menta do t’i rrisë përsëri lastarët brenda disa ditësh. Nëse ky trajtim vonohet, dëmtimi mund të jetë shumë i madh.

Sidoqoftë, sistemi më i sigurt i mbrojtjes nga ndryshku është kultivimi i varieteteve të mentës rezistuese ndaj ndryshkut. 

Gjithashtu sëmundje të tjera që prekin dhe mund të dëmtojnë mentën janë, verticiloza, hiri (Erysiphe cichoracearum), antraknoza (Sphaceloma menthae) dhe Ramularia menthicola të cilat prekin kryesisht gjethet. 

Menta mund të preket edhe nga sëmundje që shkaktojnë kalbëzimin e sistemit rrënjor si Rhizoctonia solani dhe  Macrophomina phaseoli. 

Midis insekteve të dëmshme vlen të theksohen lepidopterët si: Syngamia abruptalis, Cacoecia epicyrta, Euxoa ochrogaster, Peridroma saucia, Loxostege sticticalis, larvat e të cilëve jetojnë në pjesën mbitokësore; koleopterët Cassida viridis, Chrysomela menthastri, Longitarsus water-housei dhe L. lycopi, që ushqehen me gjethe; hemipterët Aleyrodes menthae, Aphis menthae, Myzus persicae dhe Philaenus spumarius, që dëmtojnë veçanërisht gjethet e reja dhe majat vegjetative. 

Kundër morrave mund të përdoren bioinsekticide si Pyrethrin dhe Rotenon, acide yndyrore ose përzierje insekticidesh. Kundër larvave mund të përdoren me efektivitet biopreparatet Bt.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Vjelja e Mentës.

Data e publikimit: 11/12/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale: