Nga mënyra, koha e cilësia e kryerjes së shërbimeve agroteknike pas mbjelljes dhe në vazhdim varet edhe siguria e zënieve të bimëve dhe ecuria e mirë e tyre për përfitimin e bimëve të shëndetshme. Shërbimet janë të njëjta si edhe për bimët e tjera drufrutore si shkrifërimi i tokës, sigurimi i lagështisë së nevojshme në tokë, të sigurimit të elementëve ushqyes, trajtimeve fitosanitare (luftimi i sëmundejve e dëmtuesve) etj.
Gjatë periudhës së vegjetacionit, në vitin e parë të mbjelljes, një kujdes i veçantë i kushtohet sigurimit të lagështirës së nevojshme në tokë. Numri i ujitjeve, sipas kushteve të verës, mund të shkojë nga 3 deri në 5 ujitje.
Mënyrat e mbajtjes së tokës janë të ndryshme. Ajo varet nga kushtet klimatike të zonës. Rekomandohet mbajtja e tokës livadh, ndërsa hapësira ndërmjet bimëve brenda rreshtit punohet. Mund të aplikohen edhe punime të lokalizuar për çdo bimë më vete.
Rritja e pjellorisë së tokës nëpërmjet përdorimit të plehrave është një kërkesë agroteknike e domosdoshme për kulturën e gështenjës. Sasia e plehrave përcaktohet mbështetur në pjellorinë e tokës, prandaj del e domosdoshme kryerja e analizave agrokimike të tokës.
Në mënyrë orientuese, gështenja në prodhim, kërkon një herë në tre vjet përdorimin e plehut organik në doza 300 – 500 kv/ha, të plehrave fosforike 5 – 6 kv/ha, të plehrave potasike 3 – 4 kv/ha dhe plehra azotike në masën 4 – 5 kv/ha. Plehu azotik përdoret gjatë vegjetacionit i shpërndarë në dy duar.
Mbjelljet e reja të gështenjës rekomandohet të ujiten gjatë vegjetacionit, kryesisht, kur vera shoqërohet me mungesë të reshjeve (kur reshjet zbresin nën 30 mm për çdo muaj ose 100 mm reshje për muajin korrik, gusht dhe shtator). Aplikimi i 2 – 3 ujitjeve gjatë vegjetacionit ndikon në rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e cilësisë së frutave.
Sëmundjet dhe dëmtuesit kryesorë të gështenjës
Gështenja preket nga një sërë sëmundjesh dhe dëmtuesish. Lufta kundër sëmundjeve dhe dëmtuesve nuk duhet lënë pas dore sepse mos marrja e masave të duhura dhe në kohë çon në humbje të mëdha ekonomike. Lufta kundër tyre duhet të jetë ajo agronomike dhe lufta kimike.
Sëmundja e bojës (Phytophthora cambiovora Petri)
Kjo sëmundje në të kaluarën ka pasur një përhapje mjaft të gjerë. Sot kjo sëmundje ndeshet rrallë.
Simptomat e sëmundjes

Sëmundja manifestohet me shfaqjen e pjesëve nekrotike në formën e “gjuhës së zjarrit”. Zonat nekrotike fillojnë nga pjesa bazale e kërcellit. Infeksioni shfaqet edhe në rrënjë. Nga pjesa e infektuar del një eskudat me ngjyrë të zezë, që lëshon një erë karakteristike infeksioni shkakton rënien e parakohshme të gjetheve dhe tharjen e degëve të infektuara.
Phytophthora dimëron në organet e infektuara të bimës dhe në vite me dimër jo shumë të ftohtë mbetet vitale. Organet infektuese janë zoosporet ku në prani të ujit dhe temperaturave të përshtatshme ato mbijnë dhe bëjnë infeksionin e bimës.
Luftimi është kryesisht i natyrës agronomike, por mund të ndërthuren disa elementë të luftës kimike, që kanë të bëjnë kryesisht me dezinfektimin e plagëve. Lufta agronomike konsiston kryesisht në parandalimin e infeksionit nëpërmjet masave të tilla si: përdorimi i specieve ose nënshartesave rezistente, preferohen varietetet e gështenjës japoneze, eliminimi dhe shkatërrimi i pjesëve të infektuara dhe i bimëve të thara, sigurimi i një kullimi të mirë për të evituar ujin e tepërt, zhveshja e trungjeve të infektuara në periudhën e dimrit, për të ulur vitalitetin e micelit me të ftohtin e dimrit, dezinfektimi i plagëve dhe prerjeve të krasitjes me preparate me bazë bakri.
Kanceri i kërcellit (Endothia parasitica)

Është sëmundja më e rrezikshme e gështenjës në Shqipëri. Ajo prek degët dhe trungjet e moshave të ndryshme. Infeksioni fillon nga pjesët e larta të bimës. Në pjesët e pa drunjëzuara sëmundja shfaqet me njolla me ngjyrë të kuqe kafe. Këto nganjëherë shtrihen gjatë gjithë trashësisë së degës duke shkaktuar tharjen e degës mbi vendin e infektuar. Në degët e drunjëzuara dhe në trung lëvorja shkëputet për së gjati dhe simptomat e sëmundjes evoluojnë në kancer. Lëvorja ngrihet dhe duke u shkëputur bën që të vihen në dukje formacione me ngjyrë të verdhë me strukturë të shndritshme ose në formë freskoreje, të përbërë nga miceli i kërpudhës. Në nivelin e plasaritjeve të kancereve dhe mbi lëvore, vihen re pustule me ngjyrë portokalli në rozë, të përbërë nga piknidet dhe peritecet. Bimët e prekura paraqiten me tharje të degëve dhe në rastet më të rënda e gjithë bima thahet brenda një kohe të shkurtër. Megjithatë, infeksioni nuk është gjithmonë vdekjeprurës.
Lufta kundër kancerit është kryesisht ajo agronomike. Kjo metodë konsiston kryesisht në: rikthimin në kufij normal të dendësisë së numrit të bimëve (dendësia e lartë është faktor favorizues për sëmundjen), përdorimin e specieve rezistente, eliminimin e të gjitha pjesëve të infektuara, me shkurtimin dhe djegien e bimëve të thara, në pjesët e prekura rekomandojmë kryerjen e operacioneve të vogla kirurgjikale, duke pastruar mirë vatrën e kancerit dhe duke bërë dezinfektimin e tyre me preparate me bazë bakri.
Një metodë e suksesshme e luftimit të kësaj sëmundje është edhe metoda biologjike. Kjo metodë konsiston në izolimin e çepeve hipovirulente te kancerit (entodias) e cila ul virulencën e sëmundjes.
Krimbi i gështenjës (Cydia splendana Hb)

Përshkrimi i dëmtuesit. Insekt i rritur, Cydia splendana, është një flutur. Krahët e përparmë kanë ngjyrë gri mermeri në kafe me shirita të qartë. Krahët e poshtëm janë gri me thekë ngjyrë kafe në drejtim të bazës.
Larva (rreth 15 – 18 mm e gjatë)është me ngjyrë të bardhë në moshat e para, më vonë bëhet e verdhë me kokën dhe protoraksin ngjyrë lajthi. Dëmi shkaktohet nga larvat që ushqehen me frutat. Larvat gjatë ushqyerjes hapin galeri në fruta dhe shkaktojnë rënien e parakohshme të tyre.
Cikli biologjik. Dimëron si larvë, në tokë. Në verën e ardhshme nga fundi i muajit qershor fillimi i muajit korrik krisalidohet. Insektet e rritura dalin duke filluar nga korriku e deri në shtator. Pak pas daljes së fluturave bëhet bashkimi dhe fekondimi. Femrat i vendosin vezët mbi gjethe dhe mbi zhguallin e gështenjës. Larvat dalin pas rreth 7–15 ditësh dhe depërtojnë menjëherë në frut.
Normalisht hyn një larvë për frut. Larva gjatë ushqyerjes hap galeri të cilat mbushen me jashqitjet e tyre. Frutat e infektuar rrëzohen para kohe. Larvat qëndrojnë rreth një muaj në brendësi të kokrrës. Kur arrijnë maturimin dalin dhe vendosen në tokë. Ato krisalidohen vitin e ardhshëm. Cydia splendana plotëson një gjeneratë në vit.
Lufta kundër Cydia splendana është e tipit parandalues. Lufta parandaluese konsiston në mbledhjen dhe shkatërrimin e gështenjave të infektuara të rëna për tokë para kohe, për të parandaluar infeksionet e rënda në vitin e ardhshëm. Në natyrë ky dëmtues kontrollohet nga disa entomofagë.
Nuk këshillohet lufta kimike. Në raste të rralla ajo këshillohet të kryhet gjatë periudhës së verës duke përdorur preparate të sistemit.
Hundëgjati i gështenjës (Curculio elephas Gyll)

Dëmtuesi është një coleopter, insekt i rritur me madhësi 7 – 10 mm, me ngjyrë gri - kafe, me trupin e mbuluar nga një push i lehtë. Insekti i rritur karakterizohet nga një sqep i gjatë dhe i hollë, lehtësisht i përkulur që tek femrat arrin madhësinë e trupit. Tek meshkujt sqepi është shumë më i shkurtër.
Larva, pa këmbë, ka ngjyrë të bardhë me kokë dhe protoraks ngjyrë lajthie. Dëmi shkaktohet si nga insektet e rritura ashtu dhe nga larvat.
Cikli biologjik.
Curculio elephas dimëron si larvë, në tokë, në thellësinë 20 – 30 cm. Në pranverën e ardhshme, gjatë muajit qershor, kalon në pupë dhe pas një muaji dalin insektet e rritura. Insektet e rritura me njëherë fillojnë të ushqehen me frutat e sapoformuara, duke gërryer me sqep. 7 – 15 ditë pas fluturimit ndodh kopulimi, femrat depozitojnë vezët (në përgjithësi një vezë për frut, duke shpuar me sqep. Larva zhvillohet duke u ushqyer me gështenja. Në muajin shtator – tetor larvat dalin nga fruti dhe futen në tokë për të dimëruar. Hundëgjati plotëson një gjeneratë në vit. Për luftimin e këtij dëmtuesi përdoret e njëjta strategji si ajo e krimbit të gështenjës.
Morri i zi i gështenjës (Lachnus roboris L.)

Insekti i rritur arrin deri në 6 mm gjatësi. Trupi është me ngjyrë të zezë dhe këmbë të gjatë. Krahët janë transparentë me njolla të zeza. Morri infekton degët më të reja nga fillimi i vegjetacionit në pranverë e deri në vjeshtë. Dëmi, në rastin e infeksioneve të rënda, konsiston në një dobësim të përgjithshëm të vegjetacionit, si rezultati të cilit ulet cilësia e prodhimit.
Zakonisht nuk merren masa kimike për luftimin e këtij dëmtuesi. Në rastet e infeksioneve të rënda në bimët e reja dhe fidanishte mund të ndërhyhet me preparate kimike të sistemit për eliminimin e dëmtuesit.
Grerëza galëformuese ose Grerëza aziatike (Dryocosmus kuriphilus, Yusamatsu)
Insekti (Dryocosmus kuriphilus, Yusamatsu) është një pjesëtar i rendit Hymenopthera dhe i familjes Cynipidae. Në shqip këto insekte të vogla njihen ose thirren me emrin ‘‘grerëza‘‘.
Grerëza e gështenjës konsiderohet si një ndër insektet më dëmprurëse në plantacionet e gështenjave dhe prek pothuajse të gjitha speciet e gështenjave.
Shenjat e dëmit

Insekti formon gungëza/gale/fryrje me madhësi 5 – 20 mm në lastarët e rinj të gështenjës. Gungëzat me kohë thahen bashkë me një pjesë të lastarit. Kur gungëzat në pemë janë me shumicë, bima prodhon më pak sepse thahen degët prodhuese dhe në prekje të rënda rrezikon edhe tharjen e një pjese të kurorës ose krejt kurorën e gështenjës.
Formimi i galeve në degëzat e reja dëmton frutifikimin dhe në rastet e prekjeve të rënda, prodhimi dëmtohet deri në kufijtë 50 – 70%. Në këto raste rrezikohet edhe vetë ekzistenca e pemëve të gështenjës.
Përshkrimi morfologjik i insektit

Insekti femër i grerëzës (D. kuriphilus) ka një madhësi 2,5 – 3 mm dhe ngjyrë të trupit të zezë. Këmbët, antenat e mandibullat janë në ngjyrë të verdhë dhe antenat kanë 14 segmente. Veza është ovale, ka ngjyrë të bardhë dhe gjatësi 0,1 – 0,2 mm. Larva në rritje të plotë e D. kuriphilus ka një gjatësi 2,5 mm me ngjyrë të bardhë si qumësht. Meqenëse ushqehet në brendësi të gungëzës/galës/fryerjes, larva nuk ka as këmbë dhe as sy sepse ushqimin e ka pranë në gale.
Pupa e D. kuriphilus ka një madhësi prej 2,5 mm gjatësi. Fillimisht ngjyra është e verdhë dhe më vonë para se prej saj të dalë grerëza e rritur, ngjyra e pupës është e zezë.
Mënyra e jetesës (Biologjia)
Grerëza gale formuese e gështenjës i lëshon vezët në gjethet dhe në sythat lulorë herët në verë. Vezët çelin shpejt por nuk shkaktojnë ndonjë shenjë deri në pranverën tjetër. Me shpërthimin e sythave, larvat shkaktojnë shqetësime gjatë zhvillimit duke formuar gungëza të rrumbullakëta në gjethe dhe degëza. Këto gungëza jeshile shpesh kanë edhe ngjyra pjesërisht të kuqe. Brenda këtyre gungëzave ndodhet larva që ushqehet për disa javë. Pasi rritet plotësisht, larva kalon në stadin e pupës nga e cila del grerëza e rritur që përkon me periudhën e verës. Është interesant fakti se grerëzat e gështenjave janë të gjitha individë femra dhe çelin larva pa pasur nevojën e kopulimit me individët meshkuj.
Luftimi i parazitit
Mbrojtja më e suksesshme e gështenjës nga grerëza (Dryocomus kuriphilus) është kompleksi i masave mbrojtëse, ndër të cilat edhe masat agronomike. Ndër masat agroteknike mund të veçojmë:
Është e rëndësishme që procesi i djegies së drurëve të gështenjës të bëhet me kujdes që të mos mbeten pa djegur grerëzat dhe galet e grerëzës.
Mbrojtja kimike me insekticide është një metodë e cila nuk rekomandohet.
Mbrojtja me metoda biologjike kryhet me anë të insekteve që parazitojnë mbi larvat, nimfat dhe pupat e grerëzës D. kuriphilus. Kjo është metoda më e pranuar nga të gjithë e cila ka efektivitet më të lartë dhe nuk ka rreziqe ekologjike.
Nga institucione të ndryshme shkencore botërore janë përcaktuar disa parazitë që ushqehen mbi stadet larvave të D. kuriphilus. Insekti i dobishëm që ka efektivitetin më të lartë në parazitimin e D. kuriphilus, është Torymus Sinensis. Ajo që ka rëndësi në rritjen e efektivitet të kësaj metode është njohja e momenteve kryesore të biologjisë së grerëzës së gështenjës si dhe duhet përpunuar metoda e vrojtimit fushorë për të përcaktuar si shkallën e dëmit ashtu dhe strukturën e stadeve të zhvillimit (larvat e reja, larvat e rritura, pupat).
Kjo praktikë pune është e domosdoshme, sepse duhet gjetur koha e saktë e hedhjes së parazitit të grerëzës (Torymus sinensis) në bllokun e gështenjave. Gjithashtu, duhet të përkojë stadi i larvave të grerëzës me kohën kur paraziti kërkon për të lëshuar vezët mbi këto larva.
Përdorimi i metodës biologjike të mbrojtjes së gështenjës nga grerëza D. kuriphilus me anën e parazitit (Torymus sinensis), bazohet në zbatimin e një strategjie ku efiçienca e së cilës varet nga koha e lëshimit të parazitit dhe dendësia e individëve të tij. Koha më e përshtatshme për të lëshuar parazitoidin Torymus sinensis është periudha prill – maj dhe kjo në varësi të zhvillimit vegjetativ të bimës së gështenjës.
Duhet që lëshimi i parazitoidit të realizohet në kushtet e një moti të mirë, pa erë, pa reshje dhe veçanërisht duke shmangur mundësinë e zjarreve, të cilët ndikojnë në shkatërrimin e kolonizimit të parazitoidit (Torymus sinensis) të introduktuar si dhe në shkatërrimin e bujtësit.
Numri i individëve të cilët do të lëshohen në masivet pyjore të gështenjave ka një raport që varijon në 110/120 individë femra dhe 70/80 individë meshkuj, të cilët janë përgjegjës për një sipërfaqe prej 5000 metër katrorë ose gjysmë hektari. Duhet theksuar se për të pasur një efektivitet sa më të lartë, insektet duhet të lëshohen kur gungat janë me përmasa nga 1 – 3 cm.
Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Vjelja dhe Ruajtja e frutave tek gështenja
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Vendi ynë ka kushte shumë të mira klimatike e tokësore për rritjen dhe prodhimin e gështenjës. Gështenja mund të konsiderohet si “bimë bamirëse” për njeriun dhe faunën e egër.
Lexo më shumë
Për vjeljen e gështenjës mund të bëhet me dorë ose mekanike.
Lexo më shumë