TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË MELISËS (BARI I BLETËS)




                                                                             REGJISTROHUNI KËTU për të shfletuar rubrikat e tjera të platformës.

Melisa (Melissa officinalis), e njohur ndryshe edhe si bari i bletës, është bimë shumëvjeçare e familjes Labiate ose Buzoreme origjinë Europën jug-qendrore, pellgun e Mesdheut, Iranin dhe Azinë Qendrore, por tani e përhapur dhe natyralizuar kudo. Prandaj, e gjejmë të përhapur kudo si bimë në formë të egër, zakonisht rreth lumenjve dhe rreth pyjeve gjetherënëse.

Bima e melisës arrin lartësinë 60–80 cm. Nga pjesa e sipërme e rrënjëve të degëzuar dalin kërcejtë me formë katrore. Gjethet kanë aromë të lehtë limoni. Gjatë verës shfaqen lule të vogla të bardha plot me nektar dhe shumë tërheqëse për bletën. 

Pse merr rëndësi kultivimi i melisës?

Sepse ajo ka gjetur përdorim në shumë drejtime.

  • Melisa kultivohet, kryesisht, për nxjerrjen e vajit eterik. Në mjekësi, melisa përdoret si ilaç për traktin tretës, vështirësi në zemër, migrenën, vështirësi nervore, histeri, vjellje, diare, humbje apetiti, sëmundje të dhëmbëve dhe gingivat. Shfrytëzohet edhe për përdorim të jashtëm për neurologji dhe reumatizëm.
  • Gjethet e freskëta të melisës përdoren si mëlmesë për sallatë, gjellë të ziera, perime dhe supë. Shfrytëzohet edhe gjatë përgatitjes së djathërave të buta.
  • Për shkak të shijes dhe aromës së këndshme, melisa shpesh përdoret edhe si pije freskuese.
  • Për çaj më së shpeshti përdoret në përzierje me bimët e tjera mjekësore, siç janë kamomila, menta etj.
  • Në industrinë ushqimore përdoret për prodhimin e çokollatave etj.
  • Në kozmetikë përdoret për prodhimin e aromave freskuese, parfumeve, kremrave dhe sapunëve.

Cilat janë kërkesat e melisës për klimën dhe tokën?

Melisa nuk ka kërkesa të veçanta sa i përket klimës, prandaj e gjejmë të përhapur dhe kultivohet në kushte nga më të ndryshme.

Kërkesat për temperaturën 

Për rritje dhe zhvillim normal i përshtatet një temperaturë e moderuar prej 20°C. Ul­tësirat me mjegull të vazhdueshme ose pak lëvizje të ajrit duhen shmangur sepse janë shkak i infeksioneve të sëmundjes së njollave gjethore. Nën shtresën e dëborës ajo i qëndron temperaturave të ulëta deri - 20°C. Sidoqoftë, në rastin e motit të ftohtë të zgjatur, rrënjët kryesisht më të vjetra, dëmtohen rëndë qoftë edhe nën mbulesën e borës. Në rastin e një sezoni të ftohtë të gjatë (në vende të hijezuara) kemi frenim të zhvillimit si dhe zvogëlohet përmbajtja e vajit eterik. Bimët e reja të barit të bletës janë të ndjeshme ndaj ngricave. 

Në vendin tonë nuk përbën ndonjë rrezik dimri.

Kërkesat për dritën 

Melisa futet në grupin e bimëve dritë-dashëse ose gjysmë-hijedashës. Haset në toka të pasura me baza dhe me elementë ushqimorë, toka jo të thata por të fre­skëta (tokat ranore-argjilore dhe tokat e pasura me humus janë mjaft të preferu­ara për milcën), pH bazik deri në lehtë­sisht acid. Parapëlqen vende që i rreh dielli. 

Kërkesat për ujin – lagështia 

Melisa vlerësohet si bimë lagështi-­dashëse prandaj gjatë përzgjedhjes së zonës për kultivim duhet ta kemi në konsideratë mundësitë për ujitje. Bimët e melisës rriten dhe zhvillohen me vështirësi në zona me reshje me të vogla se 600 mm. Edhe melisa si çdo kulturë tjetër është e ndjeshme ndaj lagështisë së tepërt, mirëpo lagështia optimale gjatë rritjes dhe zhvillimit do të ndikojë në cilësinë dhe sasinë e prodhimit. 

Kërkesat për tokën 

Melisa ka kërkesa të moderuara për tokën. Parapëlqen tokat mesatare ranore ose ranore – argjilore me përm­bajtje humusi dhe strukturë të mirë. Rri­tet mirë në toka të pasura me lëndë ushqyese, jo shumë të thata, të ngrohta dhe pa lagështi të vazhdueshme. Bimët zhvillohen më shpejt në toka të shkrifë­ta, të përshkueshme e të thella. Është e ndjeshme ndaj ujit të tepërt ose të mungesës së theksuar të ujit në tokë. Toka të thata e të lehta shkaktojnë zverdhjen e gjetheve (klorozë). Rritja normale kërkon vlera të pH neutral. 

Kultivarët kryesorë të melisës

Në prodhimin e gjerë hasim dy tipa të melisës: 

  • Melisa me kërcej zvarritës;
  • Melisa qëndrim të kërcejve vertikalë.

Në të dy tipat përfshihet varietet më vete që duhet të mbahen në konsideratë sepse të dy tipat kanë përparësitë dhe mangësitë e veta. 

Bari i bletës i tipit zvarritës është më i vështirë për t’u korrur në vitin e parë, disi më i lehtë në vitin e dytë, por më i qëndrueshëm ndaj të ftohtit, më shumë gjethe por të vogla. 

Bari i bletës me qën­drim vertikal ka zhvillim më të bujshëm në vitin e parë, por është më i ndjeshëm ndaj të ftohtit dhe ka më tepër kërcell. 

Parabima dhe qarkullimi bimor 

Melisa është kulturë shumëvjeçare dhe mund të qën­drojë në një parcelë 4 – 5 vite dhe në raste shumë të rralla mund të arrijë 7 – 8 vite. Melisa edhe pse vlerësohet si një bimë mjaft e fuqishme nuk e duron monokulturën, prandaj mund të kthehet në të njëjtën parcelë të paktën pas 4-5 viteve gjatë të cilave janë mbjellë kul­tura të tjera. Në përgjithësi, parabimë më të mira janë drithërat dimërore, le­guminozet për kokërr, perimet e ndrys­hme, bimët zhardhokore dhe bimët foragjere (jonxha, përzierjet foragjere, etj.), të cilat lirojnë tokën shpejt dhe japin mundësi për përgatitjen në kohë të tokës dhe për mbjellje në afat të farës ose fidan­it.

Teknologjia e kultivimit të melisës

Në praktikën e kultivimit të melisës njihen mënyra të ndryshme të mbjelljes e shtimit, aplikimit të teknologjive të ndryshme gjatë mbjelljes si dhe afate të ndrys­hme (pranverë ose vjeshtë) të mbjell­jes. 

Shumimi (kultivimi) i melisës mund të bëhet:

  • me farë me mbjellje të drejtpërdrejtë
  • me prodhimin e fidanëve (nga fara)
  • me copa të rrënjëzuara të shkëputura nga bima mëmë

Secila metodë e kultivimit ka përparësitë dhe mangësitë e veta gjatë kultivimit të melisës.

Mbjellja e drejtpërdrejtë me farë 

Mbjellja e drejtpërdrejtë me farë kon­siderohet si një metodë mjaft e vjetër e kultivimit të bimëve mjekuese dhe aromatike. Fara duhet të jetë cilësore me energji dhe fuqi mbirëse të larta. 

Melisa mund të mbillet në dy periudha kohore:

  • në fund të tetorit dhe fillim të nëntoritquhet mbjellje vjeshtore;
  • ajo pranverore.

Për të dyja mbjelljet, sasia ose norma e farës duhet të jetë 8-10 kg/ ha dhe thellësia e mbjelljes të jetë 0.5- 1 cm. Distancat orientuese të mbjelljes janë 50-60 cm (rreshti nga rreshti) x 25-30 cm bima nga bima në rresht. 

Fara e melisës është shumë e imët, prandaj toka për mbjellje duhet të jetë e përgatitur shumë mirë me qël­lim që thellësia e mbjelljes së farës të jetë e njëjtë, uniforme. Pas mbjelljes së farës rekomandohet një cilindrim i le­htë për ngjeshjen e tokës për të realizuar një kontakt sa më të mirë të farës me tokën. 

Fara e mbjellë në vjeshtë do ta fillojë mbirjen në pranverën e hershme kurse ajo e mb­jellë në pranverë mbirja do të fillojë rreth 30 ditë pas mbjelljes. Mbjellja e drejtpër­drejtë me farë konsiderohet një sfidë sepse kjo metodë e kultivimit përmban rrezikun e konkurrueshmërisë së bimës së kultivuar me barërat e këqija. Mbirja e farës së melisës pas mbjelljes është e ngadalshme dhe po aq e ngadalshme është rritja fillestare ku kjo karakteristike e bën bimën e melisës jo konkurruese ndaj barërave të këqija. Kjo mënyrë e mbjelljes zbatohet në rast se ekziston fuqi punëtore e mjaftueshme për herrje, sidomos në vitin e parë të kul­tivimit të melisës dhe ky operacion rrit koston e prodhimit të melisës.

Mbjellja me fidanë (të përgatitur nga fara)

Shumimi i bimëve me fidanë ka dëshmuar të jetë më i suksesshëm dhe më i sigurt krahasuar me mbjellje të drejtpërdrejtë me farë. 

Fidanët mund të prodhohen në dy peri­udha kohore, kjo varet se kur planifikohet trapiantimi në fushë të hapur. Mbjellja e fidanëve në fushë mund të bëhet në pranverë ose në vjeshtë. Në rastet kur mbjellja në vendin e përhershëm do të bëhet në vjeshtë, përgatitja e fidanit (mbjellja e leheve) bëhet gjatë verës, ndërsa në rastet e mbjelljes në pranverë, mbjellja e farishteve bëhet herët në pranverë.

Lehët e ftohta përgatiten thjesht, dheu imtësohet (thërmohet) mirë. Fara shpërndahet njëtrajtësisht mbi sipërfaqen e përgatitur ose hidhet në rreshta. Fara e mbjellë mbulohet me një shtresë të dheut të përgatitur mirë (përafërsisht raporti dhe/pleh 50:50). Farishtja duhet të ujitet vazhdimisht derisa farat të mbijnë. Mbirja zakonisht ndodh pas 15 – 20 ditë. Fidanët qëndrojnë në lehë afërsisht 70-90 ditë. Në 1m² farishte merren zakonisht 200-300 fidanë me lartësi rreth 10-12 cm.

Sasia e fidanëve që nevojiten për 1 ha mund të prodho­het nga një sipërfaqe 250 – 300 m² me përdorimin e 0.5 kg farë. Një metodë e tillë e prodhimit të fidanëve njihet si prodhim i fidanëve rrënjë-zhveshura dhe vlerëso­het si praktikë tradicionale ku në dy deka­dat e fundit nuk po gjen zbatim të gjerë në praktikat bujqësore.

Përveç përgatitjes në lehe, fidani mund të përgatitet edhe në mbjelljen e farës në kaseta/bigurina. 

Sa i përket zgjedhjes së kasetave ato bëhen nga lloji i bimës dhe nga përvoja e kultivuesit. Melisa zakonisht mbillet në kaseta ku vrimat e tyre kanë një vëllim nga 32 – 44 ml ose siç njihen nga prodhuesit, kaseta me 84 – 104 vrima. Këto kaseta do të jenë të mjaftueshme sa i përket vëllimit për melisën ku ka hapësirë të mjaftueshme për rritje dhe zhvillim të mirë të sistemit rrënjor dhe masës vegjetative të fidanit. Mbjellja e farave të melisës për nevoja të kultivuesit zakonisht bëhet me dorë, kurse në fidanishte komerciale bëhet me makina mbjellëse speciale. 

Thellësia e mbjell­jes së farës në kaseta sillet 0.5-1 cm ku pas mbjelljes fara mbulohet me substrat ose vermikulit.

Menjëherë pas mbjelljes bëhet ujitje me një sasi të mjaftueshme uji për të siguruar lagien e plotë të substratit në 1- 2 cm. Pak orë më vonë bëhet një ujitje tjetër me doza më të larta për të mundësuar lagien e plotë të gjithë substratit. Pas këtij momenti, në asnjë rast nuk duhet të lejohet tharja e sipërfaqes së kompostos, deri në mbirjen e plotë të farave. Kasetat e mbjella dhe të ujitura vendosen në fi­danishte në mjedise të mbrojtura (serra) deri në përfundim të fazës së fidanit. Fidanishtet komerciale posedojnë edhe dhomat mbirëse ku mbahet temperatura optimale 20-25 °C dhe lagështi relative deri 95% për një periudhe kohore 14-21 ditë derisa të fillojë inicimi i mbirjes, ku nga ai moment kasetat vendosen në ser­ra për rritje dhe zhvillim të fidanëve. 

Pas mbirjes së melisës, nëse në vrima të kasetave kanë mbirë më shumë se një bimë, bëhet herrja e tyre me qëllim të largimit të konkurrencës në mes të bimëve dhe lihen vetëm një bimë për vrimë të kasetës. 

Një fidan rrënjë-veshur apo i prodhuar në kaseta, duhet të jetë i zhvilluar mirë dhe të jetë sa më uniform, ku kjo varet nga kushtet e kultivimit dhe menaxhimi i mirë i fidanishtes gjatë prodhimit të fidanit. Para se fidani të jetë i gatshëm për trapiantim duhet kalitur me qëllim që t’i përshtatet kushteve të ambientit të jashtëm ku ai do të vendoset. Një kalitje e fidanit të prodhuar, para se bima të trapiantohet, ndikon që lidhja me tokën të jetë shumë e shpejtë dhe pa strese të zënies në krahasim me atë të prodhuar në shtretër apo të ashtuquajtur rrënjë-zhveshura.

Mbjellja me copa 

Mbjellja me ndarje rrënjore ose me rizo­ma, është një metodë që përdoret rrallë. Për marrjen e copave përdoret një parcelë ekzistuese e mbjellë me melisë. Rrënjët rriten(rrënjëzimi) nga nyjat e rizomës dhe janë të holla me ngjyrë të verdhë në të kafenjtë. Nga boshti i gjetheve të poshtme në rizomë, stollonet rriten në drejtim horizontal, majat e tyre dalin nga toka duke çuar në formimin e bimëve të reja. Si bimë mëmë përdoren bimë 2 – 3 vjeçare dhe sa më të shëndetshme, ku seci­la ndahet mesatarisht në katër copa. Parapëlqehet që ndarja e rrënjëve të kryhet në Shtator, por mund të përdoret edhe mbjellja pranverore. 

Kjo metodë e shumimit të melisës, zakonisht, aplikohet vetëm në kopshte për pro­dhime vetjake apo edhe për ndonjë zëvendësim të bimëve në parcela ekzis­tuese.

Përgatitja e tokës për mbjelljen e melisës në vendin e përhershëm 

Përgatitja e tokës është një masë agroteknike shumë e rëndësishme për prodhimin e suksesshëm të melisës. Meqenëse melisa është kulturë shumëvjeçare këshillohet që gjatë punimit dhe përgatitjes së tokës të eliminohen sa të jetë e mundur barërat e këqija. 

Nëse mbjellja planifikohet të bëhet në vjeshtë atëherë menjëherë pas korrjes së parabimës bëhet punimi i thellë ku paraprakisht shpërndahen 25 – 30 t/ha pleh stalle të dekompozuar mirë (kur është e mundur). Punimet plotësuese duhet të pa­sojnë sipas nevojës nivelimin, diskimin, lesimin, mbjelljen dhe një rrulim i lehtë. Këto janë masat agroteknike që i paraprijnë një mbjellje të vjeshtës të melisës. 

Nëse planifikohet që melisa të mbillet në pranverë, punimi mbetet me brazda të hapura gjatë dimrit, pra toka thjesht përmbyset dhe punimet plotësuese dhe përgatit­ja e tokës për mbjellje bëhet herët në pranverë. Në varësi nga struktura e tokës apo edhe nga cilësia e punimit bazë punimet plotësuese realizohen me qëllim të përgatitjes sa më të mirë të tokës për trapiantim të fidanëve apo mbjelljes me farë. Nivelimi, frezim, trinim apo edhe rulim se cili do përdoret, vlerësohet nga momen­ti i përgatitjes së tokës ku një vlerësim i tillë bëhet nga kultivuesi. Gjatë përgatitjes së tokës duhet pasur kujdes që të shmangim formimin e pellgjeve ujore sepse melisa është shumë e ndjeshme dhe në raste të tilla kalbëzimi i sistemi rrënjorë do të jetë i pa-evitueshëm.

Çfarë plehërash dhe si duhet përdorur ato tek melisa? 

Plehrat e përdorur në prodhimin e melisës në përgjithësi i referohet pro­dhimit organik. Duhet pasur parasysh se bari i bletës është kërkues për elementin azot, me afro 150 kg/ha, e ndarë sipas vjel­jeve brenda vitit (afro 50 kg/ha pas çdo vjelje). Përsa i takon fosforit dhe pota­sit nevojitet një furnizim rreth  50 kg/ha P2O dhe 180 - 200 kg/ha K2O, fosfori dhe potasi rekomandojmë të përdoret gjatë periudhës së mbjelljes (plehërim bazë), por që mund të shpërn­dahen edhe këto gjatë sezonit, duke pas­ur parasysh ciklin vjetor të gjatë, por gjithmonë duke i përmbysur në tokë. Pra, përdorimi i tyre para prashitjeve ose gjatë kultivimeve. Sasitë e mësipërme duhet të korrigjohen në varësi të gjendjes së lëndëve ushqyesve në tokë që rezultojnë nga analizat laboratorike. Plehërimet shtesë jepen mes rreshtave duke i futur në tokë përmes kultiva­torëve që përdorën për frezime në mes rreshtave. Një plehërim i mirë zgjat edhe jetëgjatësinë ekonomike të parcelës me melisës, për më tepër që është një kulturë shumëvjeçare. Ushqimi me lëndë organike është i rëndësishëm për një kulturë 3-4 vjeçare, për më tepër në rast se kemi të bëjmë me prodhimin organik. Nëse ferma nuk ka bagëti, lejohet të blini plehra organikë nga fermat e tjera (tradicionale dhe organike) mbi të cilat kryhet kontrolli, ku, ndër të tjera, kërkohet konfirmimi që or­ganizmat e modifikuar gjenetikisht nuk janë të pranishëm në pleh. Plehrat me origjinë nga sistemet intensive, kur kemi të bëjmë me prodhim organik, janë të ndaluara.

Mbjellja në vendin e përhershëm apo trapiantimi i melisës 

Meqenëse kultivimi i melisës rekomando­het me fidan, atëherë rekomandohet që fidani të jetë një fidan i prodhuar me një sistem rrënjor dhe masë vegjetative të zhvilluar mirë. Trapiantimi i fidanëve të melisës, në fushën e përgatitur, mund të bëhet me makina për mbjelljen e fidanëve të perimeve, por që adaptohen duke i fiksuar distancat e mbjelljes. Gjithashtu, mbjellja realizohet edhe me dorë, me fuqi punëtore me kunja, duke hapur vrima dhe mbjelljen e fidanit. Kur mbjellja realizohet me dorë, përveç mbjelljes me kunj,  është mirë që të hapen hulli (kanale të cekët) në thellësi 6 - 8 cm. Fidanët shtrihen në njërën faqe të hullisë dhe pastaj me dheun që gjendet në anën e kundërt mbulohen mirë dhe ngjeshet lehtë.

Menjëherë pas mbjelljes është e domosdoshme ujitja me qëllim që të sigurohet një kontakt sa më i mirë i sistemit rrënjor me tokën, e për rrjedhojë një zënie sa më të mirë e të shpejtë. Sa i përket kohës së trapiantimit ajo mund të bëhet në vjeshtë dhe në pranverë në varësi nga përgatitjet dhe kushtet e kultivimit. Dis­tancat e mbjelljes luhaten në funksion të gjerësisë së punimit të makinave bujqësore dhe kushteve klimatike. Dis­tancat e mbjelljes të këshilluara janë 50 - 60 x 25 - 30 cm. Dendësia e mbjelljes luhatet në rreth 5 – 7 bimë/m2. 

Shërbimet dhe përkujdesja pas mbjelljes (gjatë vegjetacionit) 

Shërbimet intensive fillojnë që në vitin e parë. Rëndësi i kushtohet mbajtjes së tokës në gjendje të shkrifët (me kultivime e prashitje) dhe luftim­it të barërave të këqija. Është shumë e rëndësishme që ngastra e mbjellë me melisë të jetë e pastër nga barërat e kë­qija pasi ato janë jo vetëm konkurrente në të ushqyerit e bimës por edhe janë bartëse të sëmundjeve dhe dëmtuesve. Pastrimi nga barërat e këqija realizohet me kultivime me moto kultivator, prashitje  edhe në mënyrë mekanike (heqja me dorë). Zakonisht sipas shkallës së infeksionit nga barërat e këqija, melisa prashitet 2 deri në 3 herë. Prashitja e parë, kur mbjellja është realizuar direkt me copa ose farë, kryhet porsa të dallohen bimët në rresht, e cila konsiston në thyerjen e kores së dheut të formuar për të lehtësuar daljen e bimëve. Gjithashtu, kjo ndërhyrje ndikon në rritjen e ajrimit të sistemit rrënjor. Prashitja e dytë kryhet 15-20 ditë pas prashitjes së parë dhe prashitja e tretë sipas nevojës, zakonisht para vjeljes. Kjo do të mundësojë që bimët e vjelura të mos mbajnë barëra të këqija të cilët ndikojnë në uljen e cilësisë së prodhimit. Në vitet në vazhdim, shërbimet foku­sohen kryesisht në mbajtjen pastër të ngastrës nga barërat e këqija si dhe në përdorimin e dozave të ulëta të plehrave organike, kryesisht, gjatë kultivimit në mes rreshtave edhe atë në vjeshtë. 

Ujitja, në rastet kur sigurohet ajo, është mirë që ajo të realizohet kur bima ka nevojë dhe kërkesa maksimale për ujë. Në këtë mënyrë sig­urojmë daljen më të shpejtë të sythave vegjetative pas vjeljes dhe sigurojmë një aktivitet fiziologjik të bimës gjatë periudhës së nxehtë e të thatë të verës. Ujitjet me sistemin pikë – pikë i ofrojnë bimës sasi të ujit më të balancuar dhe shfrytëzimi i ujit bëhet sa më racional në krahasim me metodat e tjera që për­doren në ujitjen e bimëve.

Sëmundjet dhe dëmtuesit e melisës 

Në përgjithësi, melisa është mjaft rezistente dhe rrallë preket nga dëmtuesit ose sëmundjet dhe rrallë herë janë intesive që kërkojnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë.

Në fushë të hapur, veçanërisht në fund të stinës së verës, mund të shfaqen dëmtime nga ndrys­hku (Puccinia menthae). Në këto raste, rekomandohet vjelja përpara se së­mundja të përhapet. 

Parazitë të tjerë janë hiri (Erisyphe galeopsidis) dhe sep­torioza (Septoria melissae)

Ndër dëmtuesit kryesorë vlen të përmendim cikadat (Eupteryxatro punctata), koleopterët (Cryptocephaluso cellatus dhe Cassidaviridis), çimkat dhe morrat.

Edhe te melisa apo bari i bletës duhet respektuar protokolli i prodhimtarisë organike në mbrojtje të bimëve. Masat agroteknike, preventive dhe lufta biologjike mund të kombinohen në luftimin e sëmundjeve dhe dëmtuesve të melisës.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Vjelja dhe tharja e melisës.

Data e publikimit: 29/11/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË ARONIAS

Aronia është një superfrut i shëndetshëm, që ofron sasi jashtëzakonisht të lartë të vitaminave, mineraleve, antioksidantëve dhe fitonutricientëve të tjerë.

Lexo më shumë

KORRJA E ARONIAS

Korrja e aronias zakonisht bëhet në gjysmën e dytë të gushtit. Data e saktë e korrjes varet nga varieteti, kushtet e motit të vitit dhe mund të ndryshojë me dy javë.

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË AGULIÇES

Aguliçja (latinisht Primula officinalis) është bimë barishtore shumëvjeçare që rritet e lartë 10 - 30 cm. Aguliçja është ndër lulet e para që lulëzon para ardhjes së pranverës. Emri vjen nga fjala latine “primus”, që do të thotë “i parë”. Lulëzon në periudhën prill-maj.

Lexo më shumë

VJELJA DHE THARJA E AGULIÇES

Cilësia e prodhimit varet kryesisht nga kushtet e tharjes. Në asnjë rast tharja nuk mund të bëhet në dritë të madhe apo në diell.

Lexo më shumë