Në Navarricë ne vajtëm me plan për të takuar blegtorin Hysni Gega dhe me të hyrë në fshat shoh një burrë që zgjat kokën si për të shquar kush ishte në makinë, ndërkohë më zë syri Aliun, Përgjegjësin e Sarandës që ishte me buzë në gaz. Pasi mbarojmë vizitën te Hysniu, duke hipur në makinë Aliu sheh që makina ishte me logot e institucionit dhe na thotë: “Tani nuk kemi derman pa ndaluar tek lokali ku desh na futi kokën në makinë ai burri sepse është anëtari jonë”.
Mësojmë se ai quhej Krenar dhe e gjejme po buzë rruge duke pritur në këmbë. Pa parë sinjalin që ne do të ndalonim na del para makinës dhe na tregon me dorë që të parkonim përpara lokalit. Kur pa Aliun që doli nga makina tha: “Mirë këta që nuk e dinë po edhe ti kalon këtu dhe nuk ndalon”. Aliun i shpjegon që kishim qëllim tjetër por Krenari vazhdon: “Tani hajde uluni dhe lërini fjalët”.
Duke vajtur për në lokal shohim që jo e gjithë godina ishte e tillë. Pjesën më të madhe e zinte mulliri. Hyjmë për ta parë. Krenari thërret edhe gruan Merzon që ta vërë në punë. Në një pjesë të godinës ishte guri për vajin e ullirit ku Krenari kishte futur edhe makineritë e fabrikës së vajit të ullirit, ndërsa pjesa tjetër ishin gurët për blojën e misrit dhe të grurit. Na shpjegoi se babai i tij kish qenë mullixhiu i fshatit dhe pas ushtrie këtë zanat e kishte nisur edhe ai vetë. Ulemi dhe, lokali kishte vetëm dy tavolina. Më shumë ishte një vend ku njerëzit të uleshin kur vinin për të bluajtur. Merzua, pa u ulur mirë, na kishte nxjerrë pak djathë, pak gjizë, pak salcë, ndërsa Krenari na shpjegonte se këto janë sepcialiteti i Merzos dhe vërtetë kishin një shije fantastike.
Aliu na shpjegon se “Krenari dhe Merzua kishin marrë kredinë e parë SME në degën e Sarandës për fabrikë vaji. Pas disa kohe fabrika kishte pësuar defekt dhe për shumë kohë kishin mbetur pa punë dhe ishin futur në vështirësi me pagimin e kësteve. Na u drejtuan për ndonjë zgjidhje dhe FED-i i ofroi shtesë kredie për servis si dhe këste sezonale. Janë akoma pa e mbyllur kredinë por, shumë korrekt”.
Krenari na falenderon si pjesë e FED invest-it, “së pari që më ndihmuat të investoj në biznes dhe së dyti që më ndihmuat të mos lë borxhe pas, prandaj jeni miq në këtë shtëpi dhe për kudo ku të jeni nisur, po ju ra rruga këdej, ndalesa e parë është te Merzua, se ajo është kredimarrëse (qesh)”. Krenari dhe Merzua ishin gjithashtu të lumtur se më në fund djali bashkë me bashkëshorten e tij (shtetase e huaj) pasi kishin provuar emigrimin në Gjermani ishin kthyer. “Këta të dy e përballuan gjithë punën në fabrikë sivjet”.
Biseda do të kishte vazhduar deri në agim me batutat e Krenarit dhe të Merzos, që plotësonin shkëlqyeshëm njëri-tjetrin, sikur të mos ishim lutur që të na lejonin të largoheshim duke premtuar që do të shkonim ta takonim në rastin e parë që do të na binte rruga për Sarandë.
Krenari e mbylli duke na thënë: “Unë besoj që ju nga Tirana e mbani fjalën, jo si Aliu që gjithmonë më thotë që ja do vi dhe shyqyr që e bëtë mbarë juve të vinte. Prandaj udhë e mbarë dhe jeni mëse të mirëpritur”.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
vx5p78
-🌍 Hello World! https://national-team.top/go/hezwgobsmq5dinbw?hs=206ad465039fe570cf1c47d3388e55ab 🌍