Teknologjia e kultivimit të Kungullit në fushë të hapur




Kungulli i njomë ose kungulli i gjellës është mjaft i kultivuar në Shqipëri dhe kultivohet në zonat me klimë të ngrohtë në pranverë-verë- vjeshtë. Sipërfaqja më e madhe mbillet në Lushnjë, Fier, Kavajë, Durrës, Tiranë, Vlorë e Shkodër. 

Përse kungulli ka gjetur një përhapje gjithnjë  e më  të madhe në vendin tonë? Kjo  sepse:

  • Ka konsum të gjerë nga që ka shije të mirë dhe vlera ushqimore. Përdoret kryesisht i freskët dhe zë vend të veçantë në ushqimin e fëmijëve pasi përmban karotinë. Eshtë ushqim dietik, pasi ka inulinën që shkatërron diabetin. Përmban vitaminë A, 16 mgr proteinë etj. Pureja e përgatitur me kungull, rekomandohet të përdoret për kurimin e sëmurëve me ulçerën. Përdoret gjithashtu në kurimin e disa sëmundjeve të mëlçisë, veshkave, rrugëve urinare, arteriosklerozës e të tjera. Kungulli i freskët përdoret me sukses edhe në djegjet, ekzemat, gërvishjet e ndryshme e të tjera plagë.
  • Vendi ynë ka kushte shumë të përshtatshme klimatiko-tokësore për kultivimin e kungullit sidomos vendet e ulëta dhe bregdetare.
  • Ka aftësi të mira prodhuese dhe efektivitet ekonomik, fermeri siguron të ardhura të kënaqshme për një periudhë të shkurtër kohore.

Cilat janë kërkesat e kungullit për klimën, tokën dhe parabimën ?

Kungulli i njomë, duke qenë bimë e klimës së ngrohtë, dallohet për kërkesa termike relativisht të larta.

  • Temperatura më e ulët biologjike është 10°-12°C 
  • Temperatura më lartë biologjike është 30°-34°C
  • Temperatura optimale e rritjes në është 25°-28°C ditën dhe 15°-18°C natën
  • Temperatura minimale e mbirjes është 15°C
  • Temperatura optimale e mbirjes është 22°-25°C
  • Temperatura optimale e lulëzimit 21°-24°C 
  • Temperatura optimale e lidhjes së frutave 20°-24°C .
  • Temperatura e përshtatshme e tokës është 18°-25°C. Pra është më pak kërkues për ngrohtësi, në krahasim me bostanoret e tjera (shalqinin, pjeprin etj).

Kungulli ka kërkesa më të mëdha për lagështi se bostanoret e tjera, për shkak të sipërfaqes së madhe gjethore dhe transpirimit të madh të tyre.

Vlerat e temperaturave optimale të kungullit:

Periudha bimoreTemperatura (°C)Lagështia ajrore (në %)Lagështia e tokës (në %)
Mbirja20 - 2660 - 7080 – 85
Nga mbirja e deri në dalje në fushë22 - 2860 - 7070 – 80
Gjatë lulëzimit deri në pjekje26 - 3050 - 6060 – 70

Kujtesë për kultivuesit e kungullit!
Raporti midis luleve mashkullore dhe femërore,  një bimë është cilësi e kultivarit, por ndikohet shumë edhe nga kushtet e mjedisit.
Temperatura e lartë dhe dita e gjatë shton numrin e luleve mashkullore kurse temperatura e ulë dhe dita e shkurtër favorizon lulet femërore dhe redukton prodhimin e luleve mashkullore.

Në cilat toka shkon më mirë kungulli ?
Bimët e kungullit rriten e zhvillohen mirë në toka të mesme, të thella, të freskëta e të kulluara mirë, me ph 5.5-7.5. Kungulli shkon mirë edhe në toka argjilore të lehta, të kulluara e të pasura me lëndë organike. Mund të kultivohet pa probleme në toka me kripëzim mesatar.

Cilët nga parabimët i përshtaten më shumë kungullit? 
Parabimë të mira për kungullin janë të lashtat dhe bimët bishtajore.

KUJDES! Duhet të mënjanohet mbjellja e kungullit pas bimëve të të njëjtës familje si (shalqini, pjepri, kungulli, kastraveci), pas solanaceve si (domatja, speci, patëllxhani) dhe qeporeve. Kungulliështë mirë që të rikthehet në të njëjtën ngastër, jo më parë se 3-4 vjet.

Klikoni këtu në se dëshironi të dini më shumë për si duhet të përgatitet toka për mbjelljen e fidanave të kungullit.

Data e publikimit: 30/06/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË LOTUSIT

Lotusi – foragjeri natyral që ushqen bagëtinë dhe pasuron tokën

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË ENDIVIES NË FUSHË TË HAPUR

Përse endivia meriton të përhapet më shumë në vendin tonë?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË GUAVAS

Guava ka përdorime të shumta falë profilit të saj ushqyes, shijes dhe vlerës së saj në mjekësinë tradicionale.

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË FEIJOAS

Feijoa është një frut i pasur me lëndë ushqyese, që siguron minerale, vitamina dhe fibra thelbësore për mirëqenien e përgjithshme.

Lexo më shumë