RUAJTJA DHE MAGAZINIMI I VAJIT TË ULLIRIT




 

1. Jo enë të mëdha!

- Elementi që ndikon në uljen e cilësisë së vajit të ullirit ekstra të virgjër është oksigjeni. Oksidimi i shkaktuar nga ajri është ndryshimi kryesor që me kalimin e kohës i nënshtrohet vaji i ullirit ekstra i virgjër. Mënyra më e mirë për ta ruajtur është përdorimi i enëve me kapacitet të vogël, deri në 5 litër, pasi sasia e oksigjenit në një enë të madhe është më e lartë sesa në një enë të vogël dhe për pasojë, sipërfaqja e kontaktit ndërmjet vajit dhe ajrit është në mënyrë të pashmangshme më e madhe.

- Në ruajtjen afatgjatë të vajit në depozita inoksi, është mirë të përdoret mbushja e hapësirave mbi vaj me azot. Zëvendësimi i oksigjenit me azot bën të pamundur oksidimin e vajit gjatë ruajtjes.

2. Jo dritë!

- Të gjitha enët që përmbajnë vaj duhet të mbahen në errësirë, mundësisht në shishe qelqi të errët, sepse drita është përgjegjëse për përshpejtimin e fenomeneve të oksidimit dhe rritjes së përmbajtjes së peroksideve dhe produkteve të oksidimit dytësor në vaj, gjë që përkeqëson në mënyrë të pakthyeshme cilësinë e vajit.  

- Të përshtatshme janë edhe shishet e qelqit të tejdukshme, por të mbuluara nga jashtë me letër alumini.

 - Ruajtja afatgjatë e vajit në depozita inoksi të mbyllura realizon mbrojtjen e përkryer të vajit nga drita.

3. Jo enë plastike!

- Është gjithmonë më mirë që vaji i ullirit, në vecanti cilësia ekstra i virgjër, të mos ruhet në enë plastike, pasi materiali plastik prodhon substanca të dëmshme për shëndetin gjatë procesit të ruajtjes. 

- Ruajtja e vajit duhet të bëhet në enë qelqi të errët për sasi të vogla, ose depozita prej çeliku inox të pastruara mirë, me mbyllje hermetike dhe të mbushura plotësisht. 

- Për amabalazhimin  e vajit të ullirit për konsum nëpër markete, duhet të përdoren shishe qelqi me ngjyrë të errët.

4. Jo enë të hapura!

- Vaji duhet të ruhet në enë të mbyllura rreptësisht, për të parandaluar thithjen e aromave të mjedisit në të cilin ruhet.

- Edhe ambienti i ruajtjes duhet të jetë pa erë, pasi vaji ka aftësi shumë të madhe përthithëse të erërave të ambientit ku ruhet apo prodhohet.

5. Jo ambiente me temperaturë të lartë!

- Zgjedhja e vendit ku do të vendoset vaji është shumë e rëndësishme: ambientet duhet të jenë të freskëta.

- Në verë është e nevojshme të tregohet kujdes edhe më i madh, duke u siguruar që vendi i zgjedhur të jetë i errët dhe i freskët. 

- Vaji ruhet në 12-15°C, në kushte të errëta, në vende pa erë dhe të ventiluar mirë.

- Temperaturat shumë të ulëta, nën 5°C, duhen shmangur, pasi vaji i ullirit fillon të ngrijë në 5,5°C.

 

 

 

*Material i përgatitur nga Prof. As. Anila Kopali, për Dritaren e Vajit të Ullirit në ABA Online.

Data e publikimit: 13/05/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale: