Histori Suksesi – MUHARREM QERSHIA




Duke ju afruar Shkodrës, zonës së zgjedhur për të takuar fermerin e radhës, i telefonojmë Valentinit, Opinionist i Qendrës ABA, për vendtakimin tonë të cilin ai na e dërgon përmes aplikacioneve të telefonit.

Takohemi në qendër të Oblikës në një kafe. Valentini na kërkon ndjesë sepse takimi me fermerin kishte pësuar një zhvendosje në kohë, pasi ky i fundit i duhej të shoqëronte një të afërm në spitalin e Shkodrës për një vizitë. Kohën deri në takim e shfrytëzojmë për të mësuar më shumë për bujqësinë dhe blegtorinë e zonës ndër vite pasi Valentini ka qenë një prej specialistëve të zonës dhe ai na tregon me pasion.

Bisedën e këndshme me shpjegimet e Valentinit na e ndërpret telefonata e Ermirit, fermerit, i cili na sugjeron që të shkojmë tek shtëpia ku ishte i ati që na priste, pasi ai mund të vonohej edhe pak. Në makinë Valentini na shpjegon që Muharremi ka qenë ndër anëtarët e parë të FED invest dhe ai ka nisur të ndërtojë serat ndërsa tani, anëtar është edhe Ermiri që vazhdon angazhimin në bujqësi.

Muharremi na hap derën dhe përpara na del një bahçe e mirë-organizuar. Përshëndetemi me të zotin e shtëpisë dhe fillojmë një bisedë prezantimi. 

Muharremi na shpjegon fillimet e pas viteve ’90 dhe vështirësitë, vendimin për të ngritur serra dhe arritjen që një nga produktet që e identifikonte ishte ruajtja e farës dhe kultivimi i domates tonë zemërkau.

Ndërkohë mbërrin edhe Ermiri, një djalë rreth të 35-ave dhe pas prezantimit pyetja ime e parë ishte: “Po ti çfarë bën këtu ndërkohë që pjesa më e madhe e bashkëmoshatarëve të tu mendojnë si e si të largohen nga Shqipëria”. Na përgjigjet Muharremi: “Motrat e tij jetojnë dhe punojnë në Itali dhe kur kërkuan që ta merrnin unë u thashë që lëreni të mbushë një herë 18 vjeç pastaj kollaj ajo punë. Ja ku është sot që vazhdon të merret me fermën”. 

Ermiri na thotë se “Italinë e kam këtu, ke kjo fermë”. Interesit tonë lidhur me shërbimet, Ermiri na thotë se “Nuk përdor pesticide, por vetëm çfarë i sugjeron Valentini dhe ABA online” ndërsa lidhur me tregtimin e produkteve ai thotë se është i kënaqur, “jo për shkak të shtimit të numrit të turistëve por sepse produktet e Myzeqesë eksportohen dhe kjo ka krijuar mundësinë që produktet e zonës të mbulojnë pjesë të kërkesës së tregut të brendshëm”.

Pyetjes së fundit, por që e kemi si motiv tonin nëse mundi në bujqësi shpërblehet, Ermiri na përgjigjet shkurt: “Po të mos shpërblehej, sot do takoheshim në Itali e jo në Oblikë”. 

Ndahemi me urimin që sa më shumë të rinj ta shohin të ardhmen si puna e Ermirit.

Data e publikimit: 19/12/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale: