KULTIVIMI I PANXHARIT FORAGJER




                                                                            REGJISTROHUNI KËTU për të shfletuar rubrikat e tjera të platformës.

Për një kultivim të suksesshëm të panxharit foragjer, ju rekomandojmë të keni parasysh:

Llojin e tokës dhe procesin e mbjelljes
Përgjithësisht, panxhari foragjer mund të kultivohet në një shkallë të gjerë, përsa i përket tipit të tokave, por në kushtet më ideale, tokat më të përshtatshme për kultivim janë ato të lehta deri në të mesme e me sistem të mirë drenazhimi. Gjithashtu, duhet theksuar se tokat ideale për kultivim, janë ato alkaline me ph 7 (pra tokat jo acide). Përgatitja e tokës përfshin punimin e saj si dhe plehërimin bazë me pleh organik

Kushtojini një vëmendje të veçantë plehërimit, pasi ai përbën një nga praktikat që siguron rendiment të kënaqshëm të kulturës së panxharit. Plehërimi bazë organik bëhet duke aplikuar rreth 300-400 kv pleh organik për hektar, (ose 30-40 kv për dynym) si dhe rreth 2.0-2.5 kv pleh kompleks për hektar, (ose 20-25 kg për dynym) duke i përmbysur ato me punimet përgatitore. Prodhimtaria më e lartë e panxharit sigurohet gjithashtu duke mbajtur parasysh qarkullimin bujqësor, pikërisht duke e mbjellë panxharin pas kulturave të tilla si bishtajoret, misri, drithërat. 

Rritja e panxharit kërkon një periudhë prej 120 deri në 150 ditë. Si rregull i përgjithshëm, koha e përshtatshme për mbjellje është ajo kur temperaturat e tokës në thellësi 10-12 cm arrijnë në 6-7°C, gjë që përgjithësisht përkon me fillimin apo mesin e muajit Prill. Mbjellja në temperatura më të ulta sjell dështime të farës, ndërsa një mbjellje e vonuar nuk do të sjellë prodhim në nivelin e dëshiruar. Mbjellja realizohet në brazda, që hapen me një distancë prej 50 cm nga njëra-tjetra. Thellësia e mbjelljes së farës rekomandohet të jetë 2.5-4.5 cm. Norma e rekomanduar për mbjelljen e farës është 150 gram për 100 m², (ose 15 kg për një hektar). Pas mbjelljes, për të siguruar mbirjen sipërfaqja e tokës, rekomandohet të ngjeshet me rrul. Në varësi nga temperaturat e ajrit, filizat e parë pritet të shpërthejnë brenda 5-12 ditëve

Shërbimet agroteknike
Pas shfaqjes së çiftit të parë ose të dytë të gjetheve të vërteta, fillon procesi i rrallimit duke siguruar 5 bimë çdo një metër, e duke ruajtur distancë të njëjtë të bimëve nga njëra-tjetra prej rreth 20 cm. Kujdes, rrallimi i vonuar shkakton ulje të prodhimtarisë në pasën 15-20%. Rrallimi më pas shoqërohet me plehërim plotësues duke përdorur nitrat amoni rreth 1 kv për hektarë (ose 10 kg për dynym) si dhe një plehërim tjetër përsëri me nitrat amoni rreth 2- 3 javë pas plehërimit të parë e duke përdorur 1.5 kv për hektarë ure ose (15 kg për dynym).  

Pikërisht, punimi i tokës ndërmjet rrjeshtave, ose përdorimi i herbicideve shërben si një mënyrë e kontrollit të barërave të këqija. Kontrolli i barërave të këqija është shumë i rëndësishëm, pasi në të kundërt ato do të bëhen shkaktare të uljes së prodhimit, humbje e cila mund të arrijë deri në përgjysmim të tij.  Panxhari foragjer mund të jetë pre e dëmtuesve të tillë si kërmijtë, afidet, brumbujt sikurse dhe sëmundjeve më të rrezikshme si peronosporoza e verdhëza virale. Ndaj, siguroni që fara e përdorur të jetë e trajtuar me produkte fungicide dhe insekticide që mundësojnë ruajtjen nga sëmundjet e dëmtuesit gjatë fazës së fiksimit të bimës.

Panxhari foragjer është kulturë që ka nevojë për lagështirë, ndaj ju rekomandojmë ta ujisni atë rregullisht. Veçanërisht gjatë periudhës së formimit të gjetheve, nevoja për vaditje është më e lartë, por duhet të mbani parasysh që vaditja duhet të ndërpritet rreth një muaj para vjeljes së prodhimit. Zakonisht në varësi nga zona dhe rënia e reshjeve përdoren 4-5 vaditje në formë shiu ose me brazda, kryesisht në periudhën nga formimi i gjetheve dhe përgjatë stinës së verës.   

Vjelja
Panxhari foragjer e vazhdon rritjen edhe gjatë vjeshtës, por vjelja e tij duhet realizuar pikërisht në vjeshtë, me qëllim që të eleminohen problemet që lidhen me një vjelje të vonuar. Koha e përshtatshme për vjelje është ajo ndërmjet javës së tretë të Shtatorit, deri në dhjetëditëshin e parë të Tetorit derisa temperatura të arrijë nën 7°C. Në këtë periudhë ka ndodhur rritja maksimale e rrënjëve si dhe fillon zverdhja e gjetheve. Nga një hektar i mbjellë me panxhar foragjer, sigurohen 400-600 kv masë rrënjore dhe 50-70 kv masë gjethore, (ose nga një dynym sigurohet 40-60 kv masë rrënjore dhe 5-7 kv masë gjethore). 

Procesi i vjeljes kryhet duke shkulur sistemin rrënjor. Ruajtjen e panxharit mund ta realizoni duke e pastruar atë fillimisht nga dheu dhe duke hequr gjethet. Panxhari i pastruar kavaletohet duke siguruar një temperaturë 3-5°C, për ruajtje sa më të gjatë dhe të pa dëmtuar të tij. Por shpesh, rrënjët mund të ruhen përgjatë gjithë dimrit, edhe duke i mbuluar me kashtë për t'i mbrojtur nga ngricat, para se të përdoren si ushqim për kafshët. Për të ruajtur sa më gjatë dhe në mënyrë cilësore prodhimin, ju duhet ta kontrolloni atë në mënyrë të vazhdueshme në pika të ndryshme të kavaletës, për të monitoruar nëse janë krijuar vatra të dëmtuara (kalbëzime)

Kujdes, ruani ambientin nga lagështia, për të siguruar mos kalbëzimin e panxharit dhe siguroni ventilim të mjedisit ku ai ruhet.

Data e publikimit: 13/10/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË BURXHAKUT

Cilat janë kërkesat e burxhakut për klimën (temperaturë dhe lagështirë)?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KUTIVIMIT TË KOÇKULLËS

Kërkesat e koçkullës për klimën dhe tokën

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË ELBIT

Kërkesat e elbit për klimën dhe tokën

Lexo më shumë

SHËRBIMET AGROTEKNIKE TË MISRIT

Cilat janë shërbimet agroteknike tek misri gjatë vegjetacionit?

Lexo më shumë