Për vjeljen e gështenjës mund të bëhet me dorë ose mekanike. Në vjeljen më dorë ka dy mënyra.
Mënyra e parë: shkundja e frutave të gështenjës nga bima bëhet me thupra (shufra) frashëri ose ndonjë bime tjetër të gjata 4 – 5 m. Vjelja me shufra bëhet me kujdes, duke ruajtur nga dëmtimi lastarët dhe degëzat njëvjeçare. Shkundja bëhet në pjekjen e tyre kur mbi pemë gjenden 10 – 15% të frutave të pa çara. Nga shkundja bien në tokë frutat e çara.
Mënyra e dytë: është ajo e grumbullimit të frutave pasi ato bien, vetë, në tokë, pas pjekjes së plotë. Kjo metodë ka kohëzgjatjen më të madhe sepse frutat e një pemë nuk piqen të gjitha njëherësh por për disa ditë. Kjo metodë ka firo sepse gjatë kësaj kohe frutat dëmtohen nga kafshët, shpendët dhe insektet. Gjithashtu, është pothuajse e pamundur të evitohen humbjet për arsye se gështenja menjëherë pas rënies së brymave bashkë me frutat rrëzon dhe gjethet, të cilat vështirësojnë mbledhjen e frutave.
Ruajtja e përkohshme e gështenjave bëhet në magazinë të freskët dhe të ajrosur. Trashësia e shtresës së frutave, në ruajtje, nuk duhet të jetë më shumë se 15 cm, shtresë e cila duhet të përzihet çdo ditë, duke evituar shkeljen dhe goditjen.
Ruajtja tradicionale e frutave
Në vendin tonë është traditë ruajtja e frutave e cila është trashëguar brez pas brezi duke e ruajtur atë deri në 5 – 6 muaj.
Paraprakisht caktohet vendi ku do të depozitohet për ruajtje gështenja dhe ky vend në zonat veriore quhet “thark”. Ky ndërtohet në terrene me pjerrësi të vogël në toka të thata dhe jo argjilore. Tharku është një gropë, zakonisht në formë rrethore, 70-80 cm e thellë dhe me diametër të ndryshëm, sipas kapacitetit të frutave që duhet të ruhen. Tharku mbushet me zhguaj (kokrra të pa zhveshura) në një trashësi 60–70 cm dhe mbulohen me degë gështenje me gjethe sa më të dendura, byk, fier, kashtë dhe mbi to hidhet dhe i shkrifët duke bërë një izolim të frutave brenda tharkut.
Trashësia e mbulesës si rregull është 30–40 cm që të pengojë depërtimin e ujërave dhe ngricave në nivelin e zhguajve të depozituar. Tharkut i bëhet një vijë rreth e rrotull (sipër dhe anash) për të shmangur futjen e ujërave në thark. Kështu ato mund të ruhen për disa muaj deri në mars.
Një mënyrë tjetër e ruajtjes së frutave është trajtimi i tyre me ujë. Frutat e porsa vjelë hidhen në fuçi druri ose plastike të mbushura me ujë të pastër dhe lihen për një periudhë 7–8 ditë. Pas kësaj periudhe frutat nxirren dhe thahen në diell. Ato ruhen të freskëta. Nëse thahen në lagështi nën 15% ato bëhen të forta dhe janë të përshtatshme për t’u bluar si miell.
Kur qëllimi është prodhimi i miellit të gështenjës ajo duhet tharë deri në 15% lagështirë. Tharja mund të realizohet edhe në furra tharëse të posaçëm. Pas tharjes thelbi bluhet. Mielli futet në thasë polietileni i cili gjen përdorime të ndryshme në industrinë ushqimore.
Gështenja duhet të ruhet në temperatura të ulëta sepse nëse ajo nuk ruhet në temperatura të ftohta, gështenjat myken. Rekomandohet ruajtja në ajër dhe atmosferë të kontrolluar me 2,5% CO2, 2% O2 dhe temperaturë 0°C. Kjo mundëson një ruajtje për 13 javë.
Vjelja mekanike
Vjelja mekanike, me makina mbledhëse ose paisje vjelje me vakuum, realizohet në plantacione të mëdha dhe atje ku e lejon terreni. Vjelëset e vogla motorike të shpinës me vakuum janë më praktike.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Vendi ynë ka kushte shumë të mira klimatike e tokësore për rritjen dhe prodhimin e gështenjës. Gështenja mund të konsiderohet si “bimë bamirëse” për njeriun dhe faunën e egër.
Lexo më shumë
Çfarë shërbimesh i kryhen gështenjës pas mbjelljes?
Lexo më shumë