PËRLLOGARITJET PER REMONT OSE NUMRI I MËSHQERRAVE




Në fakt, rritja e mëshqerrave në fermë përbën një prej kostove më të larta në fermë. Ajo renditet pas kostos së ushqimit dhe shpesh edhe pas kostos së fuqisë punëtore, veçanërisht në vitet e fundit kur kostot e angazhimit të fuqisë punëtore janë rritur ndjeshëm. 

Përllogaritet që kostoja e një mëshqerre nga lindja e viçit femër deri në momentin e pjelljes së pasardhësit të parë nga kjo mëshqerrë (pra një periudhë prej rreth 24 muaj) të luhatet tek rreth 200,000 Lekë. Në periudha të tilla si këto që kalojmë, përllogaritja e kostos për prodhimin e një mëshqerre është e rëndësishme, pasi në fermë ju duhet të prodhoni çdo vit numrin e duhur të mëshqerrave, duke qenë se prodhimi mbi nevojat është një kosto e shtuar e panevojshme. 

Pra, numri i duhur i mëshqerrave përbën një kosto kritike për fermën duke ndikuar në fitimin e fermës. Ndaj, për të përllogaritur numrin e duhur të mëshqerrave ju nevojitet të dini shkallën e mortalitetit (vdekshmërisë), shkallën e skartimit, si dhe moshën e pjelljes për herë të parë.  Shkalla e mortalitetit si dhe ajo e skartimeve janë të një rëndësie të veçantë, pasi janë dy tregues që ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në përcaktimin e numrit të lopëve që duhet të zëvendësojmë në tufë me qëllim që të ruajmë madhësinë e dëshiruar të tufës. Por, gjithashtu edhe mosha e pjelljes së parë të një mëshqerre është e rëndësishme, pasi edhe ajo ndikon në numrin e mëshqerrave që na nevojiten sikurse dhe ndikon drejtpërdrejt në koston e përgjithshme të rritjes së një mëshqerre nga lindja e viçit femër e deri në pjelljen e parë të një viçi nga mëshqerra. Kohëzgjatja e rritjes së mëshqerrës rrit koston e prodhimit të saj, dhe natyrisht një periudhë më e shkurtër do të ulë koston e prodhimit. Mbajtja e numrit të duhur të mëshqerrave në një fermë, ndihmon gjithashtu në menaxhimin e duhur të bazës ushqimore. Numri i duhur i mëshqerrave do të thotë gjithashtu më pak jashtëqitje si dhe më pak kohë e përpjekje për menaxhimin e jashtëqitjeve. 

Por, përpara se të merrni vendime lidhur me sigurimin e remontit, shtrojini vetes pyetje të tilla si: a synoni të zgjeroni tufën në vitet në vijim, të ruani të njëjtin numër krerësh, apo të reduktoni numrin e krerëve? Si do të jetë, jo vetëm madhësia, por edhe përbërja e tufës (lopë në mjelje dhe lopë në tharje)? Cila është mosha mesatare në pjelljen e parë? Cila është shkalla e skartimeve? Cila është shkalla e mos realizimeve nga mëshqerrat, pra përqindja e mëshqerrave të lindura të cilat nuk arrijnë të bëhen pjesë e tufës që milet, përfshirë dhe humbjet e viçave që në lindje si dhe humbjet e tjera.

Sidoqoftë, për të patur një pamje të plotë të situatës së remontit, na duhet të dimë sesa mëshqerra keni ju në tufë çdo vit, gjë që na mundëson të llogarisni sesa mëshqerra ju duhet të shisni në vit për të ruajtur madhësinë e dëshiruar të tufës. Ndaj, na duhet të dimë madhësinë e tufës, intervalin e pjelljeve, përqindjen e viçave femra të lindura (mëshqerra të ardhshme) shkallën e humbjes (mortalitetit) të mëshqerrave si dhe moshën e pjelljes së parë.

Është e rëndësishme të njihni numrin e mëshqerrave që nevojiten për remont çdo vit si dhe numrin e mëshqerrave që prodhohen çdo vit. Diferenca ndërmjet këtyre dy numrave përbën numrin e mëshqerrave që mund të shisni. 

Si të përcaktoni numrin e lopëve që duhen zevendësuar çdo vit? Për të përcaktuar numrin e lopëve që duhen zëvendësuar çdo vit, përdorni formulën:

 (numri i krerëve*) × (shkallën e skartimeve**) × (mosha në pjelljen e parë ÷24) × (1 + shkallën e mospërmbushjes për mëshqerrat***). 

*lopët e qumështit dhe ato në tharje

** shkalla e skartimeve përfaqëson numrin e kafshëve që vdesin

*** shkalla e mospërmbushjes për mëshqerrat, nënkupton ato mëshqerra që janë lindur gjallë, por që janë shitur ose kanë humbur jetë para se ato të realizojnë lindjen e parë.

Për përllogaritjen e numrit të mëshqerrave që prodhohen në një fermë, zbatoni formulën si më poshtë:

(madhësia e tufës) × (12 ÷ intervali i pjelljes) x (përqindja e viçave femra) × (1 – shkalla e mortalitetit të viçave*) × (24÷ mosha në pjelljen e parë) 

Shkalla e mortalitetit të viçave përllogaritet me vdekjet që ndodhin në 48 orët e para pas lindjes.

Por cilat mëshqerra mund të shisni? Për të vendosur se cilat viça femra ose mëshqerra do të shisni, analizoni dy prindërit e tyre, nënën si dhe demin që është përdorur për fekondim. Të dhënat mbi shëndetin janë shumë të rëndësishme veçanërisht për viçat femra që shiten në një moshë të rritur. Mëshqerrat me probleme shëndetësore, pa dinamikën e duhur të rritjes, me vështirësi në fekondim, me probleme të gjymtyrëve ose thundrave janë ato të cilat duhen skartuar. Një vëmendje të veçantë duhet ti kushtoni problemeve respiratore (të frymëmarrjes), pasi ato kanë ndikim tek lopët përgjatë të gjithë jetës së tyre. Mbani parasysh se viçat femra të cilat kalojnë sëmundje respiratore janë të predispozuar të prodhojnë më pak qumësht gjatë laktacionit të parë dhe të dytë në jetën e tyre produktive. Gjithashtu, kondicioni trupor, madhësia si dhe pesha përbëjnë arsye të forta për të shitur mëshqerrat.

Data e publikimit: 12/08/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

STANDARDET MINIMALE TË NDËRTIMIT TË STALLAVE

Në ndërtimin e stallave mbani parasysh respektimin e normave bazë që lidhen me hapsirën e nevojshme sipas kategorisë së kafshëve, hapsirat për ushqim e ujë-pirje, për t'i siguruar atyre kushte të përshtatshme për prodhim e riprodhim si dhe mirëqenie të përgjithshme.

Lexo më shumë

LYTHAT OSE PAPILOMAT NË GJEDH

Çfarë janë lythat dhe si mund t'i parandalojmë?

Lexo më shumë

SI MUND TË PARANDALOHEN DHE LUFTOHEN LYTHAT?

Vaksinat mund të ndihmojnë në parandalimin e lythave tek gjedhët e pa infektuar më parë.

Lexo më shumë

PYETJET MË TË SHPESHTA NË FUSHËN E BLEGTORISË - II

Duke ndarë me ju një përmbledhëse të tillë të situatave që hasin fermerë të ndyshëm me tufat e tyre, ju mund ti paraprini ngjarjeve në fermën tuaj dhe të jeni të përgatitur për t'i përballuar ato në kohë.

Lexo më shumë