PËRSE ËSHTË I RËNDËSISHËM VLERËSIMI I KONDICIONIT TRUPOR TEK GJEDHI?




                                                                             REGJISTROHUNI KËTU për të shfletuar rubrikat e tjera të platformës.

Vlerësimi me pikë i kondicionit trupor tek gjedhi është një metodë që shërben për të vlerësuar kondicionin trupor të kafshës, ose nivelin e dobësimit apo atë të dhjamosjes së tyre. Pikëzimi realizohet duke bërë vëzhgimin e pjesëve të veçanta me sy të lirë, duke kryer matje të këtyre pjesëve, ose me kombinimin e të dyja mënyrave, pra vlerësim me sy dhe matje.  Niveli i vlerësimit realizohet duke përdorur shkallën nga 1 në 9 pikë, ose nga 1 në 5 pikë, ku secila pikë përcakton një gjendje të caktuar të kondicionit trupor. 

Por, përse ju shërben vlerësimi i kondicionit trupor me pikë? 

Informacioni i marrë nga vlerësimi me pikë i kondicionit trupor të gjedhit ndikon në marrjen e disa vendimeve të rëndësishme të tilla si:

  • Përcaktimin e nevojave për ushqim.
  • Përcaktimin se cilat lopë duhet të kalojnë në tharje dhe kur.
  • Vlerësimin e performancës në riprodhim duke konsideruar kondicionin trupor gjatë inseminimit fekondues si dhe atë pas pjelljes
  • Marrjen e vendimeve për menaxhimin shëndetësor të kafshëve

Pra, vlerësimi me pikë i kondicionit trupor ju ndihmon të ndërmerrni vendime mbi bazë informacioni lidhur me të ushqyerit, shëndetin e kafshëve dhe gjendjen e tyre të përgjithshme me qëllim që të ruani një kondicion normal dhe të parandaloni problemet që rrjedhin si nga dobësimi i theksuar ashtu edhe nga obeziteti i tyre. 

Nëse synoni të ruani intervalin e pjelljeve për të siguruar një pjellje në vit në tufën tuaj, atëherë duhet të siguroni inseminimin fekondues brenda 80-85 ditëve nga pjellja. Pikërisht vlerësimi i kondicionit trupor në momentin e pjelljes përcakton përformancën e riprodhimit në sezonin pasardhës të ndërzimit. Lopët me një nivel të ulët të pikëzimit, pra lopët e dobëta në fazën e pjelljes, i rikthehen ciklit të riprodhimit shumë ngadalë. Gjithashtu, vlerësimi i kondicionit trupor është i rëndësishëm pasi ai ndikon në aftësinë e viçave për të zhvilluar një sistem të fuqishëm imunitar.

Për të kuptuar rëndësinë e vlerësimit të kondicionit trupor, mjafton të përmendim se lopët me kondicion trupor të vlerësuar me 2.5 deri në 2.75 pikë janë të prirura të prodhojnë më pak qumësht si dhe të shfaqin probleme me fertilitetin; ose lopët me kondicion trupor të vlerësuar me 3.5 0 4.0 pikë janë të prirura të preken nga ethja e qumëshit, të kenë vështirësi në pjellje, si dhe rezultat të dobët në absorbimin e ushqimit.  

Është detyrë e juaja si prodhues që të menaxhoni sezonin e lindjes së viçit, gjenetikën, të ushqyerit, përdorimin e suplementeve, si dhe shëndetin e tufës me qëllim që të arrini një nivel mesatar të kondicionit trupor prej 3-3.5 pikë tek lopët e maturuara në momentin e pjelljes dhe një nivel prej 2.75 – 3.0 pikë tek mëshqerrat në momentin e pjelljes së tyre për herë të parë. 

Për pasojë, ju duhet të menaxhoni tufën me synimin që të garantoni sa më pak humbje peshe dhe rrjedhimisht rënie të pikëve të kondicionit trupor në periudhën nga pjellja në ndërzimin fekondues. Ndaj, ju rekomandojmë t'i kushtoni vëmendje të veçantë menaxhimit që në faza të hershme, pasi ndryshimet drastike në kondicionin trupor gjatë fazës së barrsmërisë së vonë dhe fillimit të laktacionit janë sa të vështira aq edhe të kushtueshme për tu korrigjuar. 

Vlerësimi i kondicionit trupor ju jep një panoramë të qartë ndërmjet ushqimit që i ofroni lopës në një moment të caktuar dhe nevojave që ka ajo për ushqim në këtë moment, pra një balancë ndërmjet ofertës dhe kërkesës. 

Sistemi i vlerësimit të kondicionit trupor që përdoret më shpesh është ai me 5 pikë, ku me 1 pikë vlerësohen lopët tepër të dobëta dhe me 5 pikë lopët e tej dhjamosura. 

 Zonat kryesore të trupit mbi të cilat bazohet velerësimi janë:

Kurrizi – Vlerësoni nëse ai është i sheshtë apo i valëzuar. Vlerësoni nëse mund të dalloni gunga në kurriz përmes prekjes së tij.

Brinjët e gjata - Vlerësoni nëse mund t'i vëreni ose t'i ndjeni me prekje brinjët e gjata. Nëse ato janë të dukshme numëroni sa prej tyre mund të vëzhgoni me sy të lirë. 

Brinjët e shkurtëra - Vlerësoni nëse mund t'i vëreni brinjët e shkurtëra. Si i ndjeni ato? Vlerësoni nëse fundet e brinjëve të shkurtëra përfundojnë me majë, apo janë të rrumbullakosura. 

Legeni– Vlerësoni nëse kockat e legenit janë të rrumbullakosura apo këndore.

Të pasmet – Vlerësoni nëse zona ndërmjet gëngallës dhe kockave të legenit është e sheshtë, e zhytur ose e zbrazët.

Koka e bishtit – Vlerësoni nëse koka e bishtit ka një zgavër ndërmjet saj dhe gëngallës dhe nëse kjo zgavër është në formën e gërmës V të thellë apo në formën e një U-je të cekët.

Kofsha – Vlerësoni nëse zona e kofshës është e valëzuar, e sheshtë, apo e rrumbullakosur, dhe nëse struktura e muskujve është e dallueshme mirë.

Figura më poshtë shfaq elementët kryesorë të vlerësimit.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë lidhur me Procesi i vlerësimit të kondicionit trupor.

Data e publikimit: 06/07/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

MELASA DHE RËNDËSIA E SAJ NË TË USHQYERIT E GJEDHIT

Ofrimi i melasës shërben shërben si një prej mundësive për plotësimin e këtyre mungesave duke mundësuar përmirësime në drejtime të ndryshme të aktivitetit të lopëve, të cilat sjellin si rezultat shtimin e sasisë së qumështit të prodhuar.

Lexo më shumë

PËRDORIMI I MELASËS

Cilat janë disa nga mënyrat e përzierjes së Melasës me drithërat që prodhoni vetë në fermë (ose blini nga ferma të tjera, ose furnizuesit e inputeve bujqësore)?

Lexo më shumë

STANDARDET MINIMALE TË NDËRTIMIT TË STALLAVE

Në ndërtimin e stallave mbani parasysh respektimin e normave bazë që lidhen me hapsirën e nevojshme sipas kategorisë së kafshëve, hapsirat për ushqim e ujë-pirje, për t'i siguruar atyre kushte të përshtatshme për prodhim e riprodhim si dhe mirëqenie të përgjithshme.

Lexo më shumë

LYTHAT OSE PAPILOMAT NË GJEDH

Çfarë janë lythat dhe si mund t'i parandalojmë?

Lexo më shumë