Vendi ynë, është një vend i pasur me resurse gjenetike bimore si dhe është vend origjinë për disa specie e varietete të kultivuara. Në kuadër të zhvillimit të agroturizmit, veçanërisht në zonat kodrinore dhe malore, ato mund të kultivohen, të prodhohen dhe të përdoren produkte tipike të zonës. Shtimi i kujdesit dhe ndërgjegjësimi për përdorimin e varieteteve tradicionale nga komuniteti i zonës dhe i mbështetjes nga organet lokale e qendrore, nga donatorët, akademikët dhe media, do të mundësojë rritjen e të ardhurave në ato zona si dhe do të shtohen resurset gjenetike të vendit. Më poshtë po përshkruajmë disa nga varietetet kryesore autoktone të fasules sipas një studimi të Institutit të Resurseve Gjenetike të bimëve Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Specia: Phaseolus vulgaris L.
Përhapja: Fasulja “Shijaku” është përhapur në mjaft zona të Shqipërisë. Ajo kultivohet në rreth 65-70 % të sipërfaqes që mbillet me fasule në shkallë vendi. Është kultivar autoktoni gjetur në Shijak të rrethit të Durrësit; është kultivuar e bashkëshoqëruar me misër. Në vitet ’50 filloi të kultivohej si kulturë e veçantë. Mendohet se mund të jetë sjellë nga Italia, por kultivohet prej një kohe të gjatë në zonë ne Shijakut prej nga ka marrë emrin. Periudha bimore është 100-120 ditë.

Veçantitë:
Pozitive: Pjekja uniformë e farës dhe prodhim i lartë, përbëjnë dy tipare kryesore pozitive të fasules “Shijaku”.
Negative: preket pak nga sëmundje e ndryshkut
Përdorimi: Për gatime e konsum në familje dhe për treg.
Risku: Nuk ka.
Specia: Phaseolus vulgarisL.
Përhapja: Fasulja “Kallmeti” është përzgjedhur që në shekullin e 18-të dhe mbillej kryesisht në rrethet Lezhë, Shkodër, Krujë. Tani përbën rreth 20% të sipërfaqes së mbjellë me fasule në vendin tonë, duke u kultivuar më shumë në hamullore pas të lashtave, patates së hershme etj. Në zonën e Zadrimës kjo fasule emërtohet edhe “Shtatë javëshe” për shkak të periudhës bimore shumë të shkurtër që arrin rreth 70 ditë e përbën kultivarin e fasuleve tona me pjekje nga më të hershmet, prandaj mund të merren edhe 2 deri 3 prodhime në vit.
Kushtet e kultivimit: Duron lagështirën e tepërt sidomos të vjeshtës, aq të dëmshme për prodhimin, si dhe hijezimin çka lejon mbjelljen edhe në pemëtore
Përshkrimi: Dallohet për pjekje të njëtrajtshme të farës, preket pak nga sëmundja e ndryshkut, i duron mirë temperaturat e larta në lulëzim–formim bishtaje, i vendos bishtajat lart në kërcell për mos t’u dëmtuar nga lagështira e tepërt e tokës.
Kultivimi: Fshati Kallmet, tradicionalisht e ka mbjellë fasulen edhe të bashkëshoqëruar me ullirin.
Rendimenti: rreth 25kv/ha në prodhimin tonë të gjerë.

Veçantitë:
Pozitive: Pjekja e një trajtshme e farës dhe hershmëria, përbëjnë dy tipare kryesore pozitive të fasules “Kallmet”, e përzgjedhur pikërisht nga populli i kësaj zone.
Negative: preket pak nga sëmundje e ndryshkut.
Përdorimi: Për gatime e konsum në familje dhe për treg.
Risku: Nuk ka.
Specia: Phaseolus vulgaris L.
Përhapja: Në të gjithë krahinën e Dukagjinit-Shkodër. Kultivohet për më se 60-70 vjet; fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi. Aktualisht zë rreth 45-50% të sipërfaqes që mbillet me fasule në zonë, duke qenë kështu kultivari autokton më i përhapur.
Kushtet e kultivimit: Mbillet në ngastra të sheshta, toka të thella e të pasura dhe me mundësi ujitjeje.
Përshkrimi: Formon bimë të shkurtër e kaçubore; kokërr të vogël e të bardhë.
Kultivimi: Fasule me cikël të shkurtër; mbillet në 10-15 Maj dhe vilet në mes të Gushtit. Në zonë njihet ndryshe edhe si fasule “7-jaushe”, çka do të thotë “7-javësh”.
Teknologjia: Mund të mbillet në ngastër më vete, por shpesh mbillet në bashkëshoqërim me misrin e vendit “Farë deti”, në mes të rreshtave të misrit, në rresht më vete. Pas mbjelljes së misrit dhe mbirjes së tij, në mes rreshtave hapet me shatë një brazdë ku bëhet mbjellja. Fasulja përfiton nga shërbimet që i bëhen misrit.

Rendimenti: rreth 1-1,5 kv/dynym.
Veçantitë:
Pozitive: Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj sëmundjeve, temperaturave të ulëta dhe të larta. Jep prodhim të lartë e të qëndrueshëm. Zien shpejt dhe është me shije të veçantë.
Negative: Nuk ka.
Përdorimi: Për gatime e konsum në familje dhe për treg.
Risku: Nuk ka.
Specia: Phaseolus vulgaris L.
Përhapja: Në të gjithë krahinë ne Dukagjinit dhe Kelmendit-Shkodër, por edhe në Margegaj të Tropojës. Njihet edhe me emrin “Grosha e kuqe”. Kultivohet këtu për mbi 200 vjet; fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi. Aktualisht zë 20-25% të sipërfaqes fasules në këto zona.
Kushtet e kultivimit: Mbillet në ngastër më vete, toka të sheshta,të thella e të pasura dhe me mundësi ujitjeje.
Përshkrimi: Formon bimë të shkurtër e kaçubore; bishtaja të mëdha me ngjyrë laramane (me mozaik ngjyrë të kuqe-violet), kokërr mesatarisht të madhe, me ngjyrë laramane të kuqe.

Kultivimi: Fasule me cikël relativisht të shkurtër; mbillet në 10-15 maj e vilet në fund të gushtit deri fillim shtatori. Në vite të veçanta (kur dimri vjen shpejt) nuk piqen gjithë bishtajat dhe vështirësohet tharja e prodhimit të vjelë.
Teknologjia: Pas plehërimit me pleh organik (40-50 kv/dynym) dhe përgatitjes së tokës, bëhet mbjellja me makinë mbjellëse, me largësi të rreshtave 60 cm dhe 5-7 cm fara nga fara (dendësi 22-25 bimë/m2); në sipërfaqe të vogla mbillet me parmendë ose me brazda të hapura me shatë. Bëhen ujitje e prashitje sipas nevojës.
Rendimenti: rreth 1,5 -2,0 kv/dynym.
Veçantitë:
Pozitive: Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj sëmundjeve, temperaturave të ulëta dhe të larta. Jep prodhim të lartë e të qëndrueshëm. Zien shpejt dhe është me shije të veçantë.
Negative: Në vite të veçanta (kur dimri vjen shpejt) nuk piqen gjithë bishtajat.
Përdorimi: Në gatime e konsum në familje dhe për treg.
Risku: Nuk ka.
Specia:Phaseolus vulgarisL.
Përhapja: Në të gjithë krahinën e Nikaj-Merturit, Tropojë. Kultivohet për më se 70-80 vjet; fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi. Aktualisht zë rreth 30% të sipërfaqes që mbillet me fasule në zonë.
Kushtet e kultivimit: Mbillet në ngastra të sheshta, toka të thella e të pasura dhe me mundësi ujitjeje.
Përshkrimi: Formon bimë kacavjerrëse; kokërr të bardhë në formë veshke.

Kultivimi: Mbillet në bashkëshoqërim me misrin. Mbillet 10-15 Maj dhe vilet në fillim të Shtatorit.
Teknologjia: Mbillet në bashkëshoqërim me misrin e vendit (në çdo 3-4 bimë misri mbillet një bimë fasule). Fasulja përfiton nga shërbimet që i bëhen misrit; prodhon edhe në kushte me pak shërbime, pa përdorur plehra kimike dhe spërkatje.
Rendimenti: rreth 1,0 – 1,5 kv/dynym
Veçantitë:
Pozitive: Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj sëmundjeve, temperaturave të ulëta dhe të larta. Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm. Zien shpejt dhe është e pëlqyeshme për shijen e saj.
Negative: Ka vështirësi në vjelje, sepse ngatërrohet në misër.
Përdorimi: Për gatime e konsum në familje dhe për treg.
Risku: Nuk ka.

Shpërndaj në rrjetet sociale: