Një nga bazat që drejton punën e bletarit në mbarështimit të bletës është edhe njohja me kalendarin e punëve në bletari përgjatë një sezoni vjetor.
Muaji Janar
Për bletërritësit që mbarështojnë kolonitë e tyre të bletëve në zonat e ulëta ( ose zonat me klimë mesdhetare), 10-të ditëshi i parë i janarit është periudha kur duhet të kryejnë trajtimin radikal me acid oksalik për kontrollin e varroas. Një trajtim i tillë mund të kryhet si në formën e solucionit përmes shiringës, po ashtu edhe me sublimim duke përdorur sublimatorët.
Në rastet kur vërehen mangësi në rezervat ushqimore të kolonive të bletëve, bletari i zëvendëson ato me korniza me mjaltë ( nëse ka rezerva të tilla), në të kundërt u vendoset bletëve mbi korniza ushqim i ngurtë në formën e Candy.
Përgjatë kësaj periudhe Bletarët pastrojnë dhe dezinfektojnë zgjojet dhe katet e përdorura në sezonin e kaluar, lidhin kornizat dhe u vendosin fletët e dyllit për pranverën e ardhshme, shkrijnë dhe filtrojnë dyllin, pastrojnë ambientet e vjeljes dhe ambalazhimit të mjaltit që të jenë gati për sezonin e ri.
Muaji Shkurt
Përgjatë muajit Shkurt bletarët duhet të mbajnë nën kontroll rezervat ushqimore, nëse janë të pakëta ose mungojnë, t'i zëvendësojnë ato.
Në zonat me klimë mesdhetare në këtë periudhë të vitit bëhet kontrolli i hershëm pranveror i bletëve i cili konsiston në:
Vlerësimin e forcës së kolonive në rrugë/mizë.
Vlerësimi i rezervave ushqimore dhe plotësimin e tyre sipas rastit për secilën koloni bletësh.
Në rastet kur vërehet pakësimi i forcës së kolonisë së bletëve, bëhet ngushtimi i menjëhershëm i saj në aq rrugë/mizë sa kanë ngelur duke larguar kornizat pa ushqim dhe duke afruar korniza me ushqim pranë lëmshit dimëror të bletëve.
Vërehet me kujdes nëse bleta ka ç'rregullim të lëvizjeve në zgjua si dhe kur zhurma e zukatjes është e fortë dhe e pandërprerë përgjatë kontrollit, mund të jetë për shkak të humbjes së mëmës gjatë dimërimit. Kontrollojmë më imtësisht dhe nëse rezulton ta ketë humbur mëmën, e zëvendësojmë me një mëmë tjetër nga nukleuset rezervë rë ruajtur për këtë qëllim, nëse nuk kemi një të tillë kjo bletë duhet bashkuar me një koloni tjetër, me qëllim që kjo sasi bletësh punëtorë të mos shpërdorohet.
Kujdes!! Duke qenë se temperaturat në këtë periudhë të vitit janë të ulëta, ky kontroll duhet të kryhet sa me shpejt me qëllim që të mos e dëmtojmë koloninë e bletëve. Vazhdon puna me përgatitjen e kornizave, lidhja e tyre dhe vendosja e fletëve të dyllit në to.
Muaji Mars
Në javën e parë të Marsit kryhet kontrolli i hershëm pranveror në zonat me klimë kontinentale duke vepruar sipas të gjitha hapave të përshkruara në muajin Shkurt për zonat me klimë mesdhetare.
Në pjesën e parë të muajit plotësohen rezervat ushqimore të kolonive të bletëve duke përdorur ushqime të ngurta në formën e Candy.
Në pjesën e dytë të muajit kryhet kontrolli i plotë pranveror i cili konsiston në vlerësimin duke shënuar në skedën e secile kolonie bletë a- numrin e rrugëve të mizës; b- kontrollin për gjetjen e mëmës dhe vlerësimin e jashtëm të saj;c- vlerësimin e pjellës dhe rregullsisë së saj;d- Kur kolonitë ë bletëve jnë të forta dhe zona e mbarështimit ka kullota të hershme, të bollshme pranverore ( si në rastin e shqopave, etj.), dhe bletët kërkojnë zgjerim ato plotësohen me korniza te reja, apo nga ato të ruajtura nga viti pararendës.
Nëse ndonjë koloni bletësh rezulton ta ketë humbur mëmën, e zëvendësojmë me një mëmë tjetër nga nukleuset rezervë rë ruajtur për këtë qëllim, nëse nuk kemi një të tillë kjo bletë duhet bashkuar me një koloni tjetër, me qëllim që kjo sasi bletësh punëtore të mos shpërdorohet.
Në pjesën e dytë të Marsit, kur bletët kanë filluar të shtojnë pjellën dhe rezervat ushqimore janë të pamjaftueshme, mund të fillojë ushqyerja e tyre me invert apo me shurup sheqeri.
Vlerësohet situata shëndetësore e kolonive të bletëve për sëmundjen e nozematozës, duke dërguar kampione bletësh në laborator me qëllim shmangien e dëmeve nga kjo sëmundje nëse është e prezente në bletët.
Muaji Prill
Nëse kushtet e motit janë me reshje shiu për shumë ditë, në këtë periudhë të vitit bletët duhen ushqyer që të mos ndërpresin zhvilimin.
Për rastet kur analizat laboratorike kanë rezultuar pozitive për sëmundjen e nozematozës, sipas shkallës së infestimit, duhet të bëhet ndërhyrje e menjëhershme me preparate me bazë organike, sipas këshillës së Mjekut Veteriner për dozimet dhe kohëzgjatjen e trajtimeve.
Shumë i rëndësishëm është vlerësimi i i situatës për sëmundjen e varroatozës, bazuar në përqindjen e varroave prezente në pjellën e vulosur, ose në mbeturinat e zgjoit, ose në trupin e bletëve të rritura, bletërritësi duhët të vendosë nëse ka nevojë që të bëhen ndërhyrje për kontrollin e kësaj sëmundje ose jo.
Kolonitë e bletëve tashmë të zhvilluara kanë nevojë të plotësohen me korniza me fletë dylli që t'i ndërtojnë ato si për pjesën e folesë ku do të hedhin pjellën po ashtu edhe për depozitën e mjaltit apo katin.
Kolonive të bletëve që janë plotësuar në të 10 kornizat e plota të folesë duhet tu vendosen depozitat e mjaltit apo katet.
Muaj Maj
Në fillim të muajit Maj duhet të plotësohen të gjitha bletët me depozitat e mjaltit apo me katet në zonat e vendit me klimë mesdhetare, ndërsa për zonat me klimë kontinemtale një gjë e tillë duhet të jetë plotësuar në pesëmbëdhjetë-ditëshin e dytë të këtij muaji.
Në zonat me klimë mesdhetare i gjithë ky muaj është muaji kur bletarët duhet të kene kujdes roitjet, ndërsa në zonat me klime kontinentale zakonishtë roitjet fillojnë nga pesëmbëdhjetë ditëshi i dytë i muajit. Bletarët duhet të jenë të përgatitur për të mbajtur nën kontroll roitjet në parqet e tyre të bletëve, kur ky fenomen ndodh duhet të mbledhin rojin.
Prodhimi i mëmave të reja duhet të planifikohet dhe të realizohet në këtë muaj nga bletarët, si për kolonitë e reja po ashtu edhe për ndërrimin e mëmave të vjetra, sepse mëmat e Majit janë edhe më cilësoret.
Varësisht nga kushtet klimaterike dhe kullotat, në zonat me klimë mesdhetare bletarët mund të fillojnë vjeljet e pjesshme ose edhe të plota të mjaltit, përpara nisjes së parqeve të bletëve për në kullotat malore.
Fundi i muajit Maj përkon me kohën e shtegëtimeve nga zonat me klimë mesdhetare për në kullotat malore. Bletarët përgatisin parqet për shtegëtim.
Muaj Qershor
Në dy javët e para të këtij muaji në zonat me kullota të qëndrueshme dhe varësisht nga kushtet e motit, periudha përkon me sezonin e vjeljeve të para të mjaltit në bletari.
Vijon mbajtja nën kontroll e kolonive të bletëve edhe përgjat dy javëve të para të këtij muaji përsa i përket roitjeve.
Bëhen kampionime për të kontrolluar përqindjen e shkallës së infestimit nga varroa.
Nëse vërehet infestim në rritje nga varroa, pas vjeljes së mjaltit, kryhet nje trajtim tapon me preparate me bazë organike
Kontrollohen kolonitë e bletëve për sëmundjet e pjellës dhe nëse rezultojnë shenja klinike të tyre njoftohet Mjeku Veterinar i zonës dhe në raste të dyshimeve dërgohen kampionë me hoje që kanë pjellje në laborator për tu analizuar.
Kliko këtu për më shumë informacion për muajt e tjerë të Punëve në Bletari.