Teknologjia e kultivimit të çikores në fushë të hapur




Çikorja është perime tipike e zonës së Mesdheut, me origjinë nga Evropa jugore dhe Azia, njohur që nga koha e grekëve, romakëve dhe Egjiptit të lashtë. Përhapje më të madhe ka në vendet e Mesdheut, të Evropës Jugore dhe Qendrore. Çikorja në vendin tonë njihet pak dhe ka përdorim të kufizuar, kryesisht forma e egër, por, që duhet të përhapet më shumë.

Përse çikorja meriton të përhapet më shumë në vendin tonë? Kjo sepse: 

  • Kjo bimë ka gjetur dhe po gjen një përdorim gjithvjetor nëguzhinë jo vetëm si e freskët, në formë sallate, por edhe për përpunim. Mund të jetë e pranishme në treg gjatë gjithë vitit dhe në veçanti gjatë periudhës së dimrit.
  • Çikorja mund të përdoret gjatë gjithë vitit në supë dhe gjellë të ndryshme ose të konservuara.
  • Çikorja është bekuar me sasi të vogla të gati çdo vitaminë esenciale. Në 7% të vlerës ditore për secilin, seleni dhe mangani janë dy kryesoret.
  • Rrënjët e çikores përmbajnë inulinë të pasuruar me oligosakaride, një element prebiotik jetësor i sistemit imunitar që stimulon rritjen dhe aktivitetin e probiotikëve, gjë që përmirëson tretjen.

Cilat janë kërkesat e çikores për klimën, tokën dhe parabimën?
Çikorja, është bimë e klimës së butë dhe duron mirë temperaturave relativisht të ulta.

  • Temperatura më e ulët për mbirje të farës është 10°C
  • Temperatura e përshtatshme është 20-30°C. Në këto kushte farërat mbijnë për 4-6 ditë.
  • Temperatura më e ulët për rritjen është 4-5°C.
  • Temperatura e përshtatshme për rritjen është 15-20°C.

Kujtesë për kultivuesit e çikores!
Me shtimin e sipërfaqes gjethore rriten edhe kërkesat për ujë.
Nevojat më të larta i ka gjatë mbjelljes në fushë dhe në fazën e formimit të rozetës, veçanërisht kur kultivohet në periudhën pranverë-verë dhe verë-vjeshtë.

Në cilat toka shkon më mirë çikorja?
Çikorja është bimë shumë kërkuese ndaj tokës. Pëlqen toka mesatarisht të lehta, të thella, të freskëta, të kulluara mirë dhe të pasura me lëndë organike e me pH 6-7. Nuk pëlqen tokat e rënda. Është mjaft “e durueshme” ndaj kripëzimit të tokës.

Cilët nga parabimët i përshtaten më shumë çikores? 
Parabimë të mira janë të lashtat dhe gramoret e tjera, bimët bishtajore, etj. 

KUJDES! Është mirë që të rikthehen në të njëjtën ngastër, jo më parë se pas 3-4 vjet. Në mbjelljet e vazhdueshme, në të njëjtat toka rritet ndjeshmëria dhe mundësia e prekjes së bimëve prej sëmundjeve të sistemit rrënjor, çka shoqërohet me ulje të prodhimit dhe për rrjedhojë të nivelit të të ardhurave, për njësi sipërfaqe të kultivuar.

Si duhet të përgatitet toka për mbjelljen e çikores? 
Për përgatitjen e tokës për mbjelljen e çikores duhet të kemi parasysh këto specifika të saj:

Punimi i tokës
Punimi i thellë 30-35 cm është mirë të kryhet herët. Pas tij, në përputhje me periudhën e mbjelljes, kryhen punime përgatitore, gjatë të cilave bëhen trajtime për luftimin e barërave të këqija. Zgjedhja e herbicidit bëhet gjithmonë nën këshillimin e specialistit, në varësi të species infektuese të barërave, kohës dhe mënyrës së përdorimit. Pas tij merren masa për ta mbajtur tokën në kullim të plotë si dhe, në drejtim të rreshtave hapen brazdat ujitëse.

Kanalet kulluese dhe vaditëse
Pas punimit dhe frezimit të sipërfaqes së tokës, është e domosdoshme të përgatitet i gjithë sistemi i kanaleve kulluese dhe vaditëse.

Plehërimi i tokës
Çikorja, është bimë me kërkesa të larta ushqyese. Plehërimi këshillohet të bëhet në përputhje me karakteristikat bimore të kultivarëve, tipin e tokës, mënyrën e kultivimit, dendësinë e mbjelljes etj.
Në punimet përgatitore para mbjelljes të përdoret gjithë sasia e plehrave organike e fosforike, 1/3 e atyre azotike dhe ½ e plehrave potasike.

Sasia dhe raporti i plehërimit 
Si përcaktohet sasia e plehrave që duhen përdorur tek çikorja ? 
Në varësi tëpjellorisë natyrale të tokës, për çdo 100 kg prodhim nevojiten azot (N) 0.4-0.7 kg; fosfor (P2O5)  0.2-0.4 kg; potas (K2O) 1.5 – 2, kg. Për të siguruar një prodhim prej 35-40 kv/dynym, këshillohet të përdoren azot (N) 18-25 kg/dyn; fosfor (P2O5)  10-15 kg/dyn; potas (K2O) 35-40 kg/dyn.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë mbi Varietetet, mbjellja dhe kultivimi i çikores.

Data e publikimit: 17/11/2021


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

KANCERI BAKTERIAL (Cmm) në domate

Kanceri Bakterial është një sëmundje shumë e rrezikshme e domates që shkaktohet nga Clavibakter Michiganensis (Cmm)

Lexo më shumë

VARIETETET, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I ÇIKORES

Cila është struktura varietore e rekomanduar?

Lexo më shumë

Si të luftoni kuskutën në parcelat e farës së tërfilit aleksandrin?

Në gjininë e kuskutës bëjnë pjesë mbi 201 specie bimësh parazitare me ngjyra të verdhë, portokalli ose të kuqe (rrallë jeshile).

Lexo më shumë

Teknologjia e kultivimit të tërfilit aleksandrin për farë

Cilat janë kërkesat e tërfilit aleksandrin për klimën?

Lexo më shumë