REGJISTROHUNI KËTU për të shfletuar rubrikat e tjera të platformës.
Fara e prodhuar nga mbjelljet verore është me cilësi më të mira prodhuese dhe pa degjenerim.
Sa duhet të jenë distancat e mbjelljes së patates në fushë?
Për të patur bimësi rreth 15 kërcej/m2, largësitë ndërmjet bimëve jepen për tri largësi ndërmjet rreshtave.
Në varësi të madhësisë, tuberët e farës ndahen në tri kategori: 28 – 35 mm; 35 – 45 dhe 45 – 55 mm.
Sipas këtyre madhësive, pesha mesatare është përkatësisht: 25g; 50g dhe 90g.
Vlerësimi i numrit të kërcejve mesatarë sipas madhësive është përkatësisht:
Me 2.5 kërcej/bimë ose tuberë; me 4 dhe me 5 kërcej/bimë ose tuberë.
Nisur nga numri i kërcejve prej 15 për m2 ose 150000 kërcej/ha, më poshtë jepen të dhëna për numrin e kërcejve për ha, normën e farës dhe largësitë ndërmjet bimëve në rresht e midis rreshtave.
| Madhësia e farës (në mm) | Pesha e farës (në gram) | Kërcej/tuber | Numri i nevojshëm i kërcejve për ha ose m2 | Numri i tuberave të nevojshëm/ha |
| 28-35 | 25 | 2.5 | 150000 | 60000 |
| 35-45 | 50 | 4 | 152000 | 38000 |
| 45-55 | 90 | 5 | 150000 | 30000 |

Përvoja ka treguar se rritja e numrit të kërcejve nga 15 në 20 kërcej/m2, çon në rritjen e rendimentit, kurse mbi 20 kërcej/m2, nuk rritet rendimenti, por vetëm shtohet numri i tubereve me peshë të vogël për farë.
Nëse numri i kërcejve për tuber është më i ulët se ai i vlerësuar në pasqyrë, duhet të përdoret më shumë farë dhe në të kundërt, nëse numri i kërcejve është më i lartë për tuber se ai i vlerësuar, norma e farës ulet.Ky moment është shumë i rëndësishëm, sepse duke ulur normën e farës nëpërmjet bulëzimit, ulen shpenzimet, ndërkohë që merret i njëjti prodhim e, për pasojë, fitimi do të jetë më i lartë për njësi sipërfaqeje.
Me thellësi mbjelljeje kuptojmë largësinë ndërmjet sipërfaqes horizontale të tokës së punuar e niveluar dhe majës së farës së patates. Thellësia e mbjelljes nuk është e prerë, por varet nga tipi i tokës e përgatitja e saj, si dhe nga kushtet klimatike. Sot me mbjellje të cekët nënkuptohet thellësia 0 – 2 cm; mesatare, 2 – 5 cm dhe e thellë, mbi 5 cm. Në mbjelljen e cekët kreshta ndërtohet në lartësi ose tuberi farë mbulohet me shtresë dheu mbi 15 cm. Kurse në mbjellje të thellë tuberi mbulohet vetëm 10 cm.
Në kushtet e vendit tonë, në varësi të afatit të mbjelljes, madhësisë së tuberave të farës (tuberat e mëdhenj mbillen më thellë dhe anasjelltas), tipit të tokës, mënyrës së mbjelljes etj, patatja mbillet deri në 8 cm thellë. Në toka të lehta, me pak lagështi e temperaturë normale, mbillet 5 – 8 cm thellë, ndërsa në toka të mesme, aluvionale, me temperaturë të ulët, deri 5 cm thellë. Në zonën bregdetare mbillet cekët. Sot, meqë patatja po mbillet nën ujë dhe koncepti i ujitjes po ndryshon, tentohet drejt mbjelljeve të cekëta.
Mbjellja e patates duhet të plotësojë këto kërkesa:
Mbjellja mund të bëhet me të gjitha mënyrat që plotësojnë këto kërkesa.
Më e mirë është mbjellja me brazda, duke ndjekur këtë radhë pune:
Fillimisht, pas diskimit ose frezimit të fundit, hapen brazdat me kultivator me plug hapës vijash, në largësi60; 70; 80 cm e thellësinë e nevojshme. Në këto brazda, ndërmjet tubereve, hidhen plehrat kimike dhe organike, kur janë në sasi të pakët, ndërsa kur janë me shumicë hidhen para punimit ose punimeve përgatitore.
Në toka të sheshta e sipërfaqe të mëdha mbjellja bëhet me makina gjysmë-automatike ose automatike. Në mbjelljen me makina zbatohet me rigorizitet largësia dhe thellësia e mbjelljes. Po ashtu, puna kryhet në afate shumë të shkurtra e me cilësi të lartë. E përsosur është mbjellja me makina mbjellëse gjysmë-automatike, ku fara merret me dorë nga bokset e bulëzimit e vendoset në mbajtëset e makinës dhe nuk dëmtohen sythat e bulëzuar, siç ndodh shpesh me makinat mbjellëse automatike.
Çfarë shërbimesh agroteknike kryhen për pataten në fushë?
Shërbimet agroteknike te patatja synojnë mbajtjen e tokës të shkrifët, ruajtjen e lagështirës së nevojshme në tokë, luftimin e barërave të këqija dhe sëmundjeve e dëmtuesve. Barërat e këqija ulin vlerën tregëtare të prodhimit, sepse shkaktojnë deformimin e tuberave ose plagosjen dhe dëmtimin e tyre, sidomos nga grami, kripëza, etj. Një pjesë e barërave të këqija janë bartëse të sëmundjeve të patates ose të afideve e nematodave. Po ashtu, formimi i kores në sipërfaqen e tokës bën që të avullojë një pjesë e lagështirës. Për të eleminuar ndikimin negativ të këtyre faktorëve, pas mbirjes së bimëve, kryhen shërbime agroteknike, si lesimi, prashitjet, mbushjet, ujitjet, plehërimet, etj. Ato fillojnë që pas mbirjes dhe vazhdojnë gjatë gjithë vegjetacionit, por më intensivet janë nga mbirja deri në lulëzimin e bimëve.
Lesimi
Kryhet kur toka ka formuar kore, duke përdorur lesa të lehta, por mund të kryhet edhe kur kanë mbirë 10 – 15 % e bimëve, veçse duke bërë kujdes që të mos dëmtohen mbirjet e reja. Me anë të lesimit luftohen edhe barërat e këqija, kur janë në lartësi 3 – 5 cm, pasi më vonë ato forcohen dhe nuk shkatërrohen me anë të lesimit.
Prashitjet
Pas mbirjes së plotë, jo më vonë se 5 – 10 ditë, kryhet prashitja e parë, në thellësi 12 – 18 cm, me krahë ose kultivator. Ajo, në zonën e ngrohtë shoqërohet me hedhjen e gjithë sasisë së plehut azotik të planifikuar, ndërsa në zonat e tjera plehu azotik hidhet në dy duar, shoqëruar me mbathje dhe ujitje. Prashitja e dytë dhe mbushjet (1 – 2) kryhen 8 -10 ditë pas njëra-tjetrës. Prashitjet kanë si qëllim të shkrifërojnë tokën në thellësinë e sistemit rrënjor të patates, ruajtjen e lagështirës, mobilizimin e lëndëve ushqyese dhe luftimin e barërave të këqija. Për mbushjen janë të mjaftueshme 1 – 2 prashitje.
Mbushjet (mbathjet).
Një cilësi biologjike e patates është se stolonet, që dalin nga nyjet e poshtme të kërcellit, zhvillohen mirë vetëm në errësirë dhe nën tokë. Kështuqë, duke grumbulluar sa më shumë dhe rreth pjesës së poshtme të kërcejve nëntokësorë, nxitet formimi i stoloneve të reja në nyjet e bazës së kërcellit dhe gjetheve të poshtme. Kjo arrihet duke kryer mbushjen (mbathjen) e patates, me anë të secilës rregullohet regjimi ajror e ujor dhe temperatura e tokës. Mbushja fillon kur bima është në lartësinë 15 – 20 cm. Ndërsa e dytë kryhet 8 -15 ditë pas së parës. Sa më cekët të jetë bërë mbjellja, aq më shumë dhe duhet lëvizur nga brazda për në kreshtën e krijuar nga mbushja.
Distanca optimale ndërmjet tuberit “farë” dhe majës së kreshtës varet nga disa faktorë. Në shumë raste ajo duhet të jetë 12 – 18 cm. Në kushte me lagështi ajrore të lartë ajo duhet të jetë jo më shumë se 12 cm. Ndërsa në kushte thatësire e klime të nxehtë, lartësia e kreshtës duhet të jetë jo më pak se 18 cm.
Luftimi i barërave të këqija. Që të luftohen sa më shumë barërat e këqija, përveç eleminimit mekanik të tyre me anë të (lesimit, prashitjet), përdoret edhe luftimi kimik, duke përdorur herbicide të ndryshme, selektive ose jo. Herbicidët kanë efekt më të madh në fazat e para të zhvillimit të barërave të këqija, prandaj përdoren disa ditë pas mbjelljes së patates dhe para mbirjes. Ato veprojnë sidomos në toka të punuara mirë e me lagështi të mjaftueshme; në toka të rënda, gurishtore e me lagështi të madhe veprojnë më pak, ndërsa në thatësirë nuk veprojnë. Në tokat ranore, duke shkuar në thellësi të madhe, e humbasin karakterin selektiv dhe mund të dëmtojnë pataten. Kur pas përdorimit të herbicideve biejnë shira të shumta, humbet karakteri selektiv, sepse ai futet në thellësi.
Efekt të mirë japin ato me bazë dikuat dhe parkuat. Në vendin tonë rezultate më të mira ka dhënë përdorimi i herbicidit me bazë metobromuron, me dozë 3 – 4 kg/ha, pas mbjelljes së patates. Megjithatë, çdo fermer, sipas kushteve konkrete, në konsultim me specialistët e mbrojtjes së bimëve, zgjedh herbicidin e duhur.
Ujitja
Në prodhimin e patates, mungesa e ujit është një nga faktorët kryesorë kufizues. Prandaj, për ujitjen e saj duhet të kihen parasysh:
Më shumë se 95% e sasisë së ujit që merret nga sistemi rrënjor i bimës, humbet nëpërmjet evapotranspirimit dhe vetëm një pjesë shumë e vogël përdoret për rritje.
Një bimësi në rritje të plotë, me mbulesë të dendur (e gjithë toka është mbuluar nga sistemi gjethor) mund të avullojë 2 – 10 mm ujë në ditë ose baraz me 20000 – 100000 l/ha apo rreth 0,5 - 2,5 l/bimë në ditë. Sasia e ujit të evapotranspiruar nga bimët dhe toka varet nga:
Efektet e ujit mbi prodhimtarinë dhe cilësinë e tuberit.
Mungesa e ujit ka këto efekte kryesore mbi prodhimin:
Ujitja ose kërkesat për ujë të bimëve të patates, kalojnë në katër faza ose periudha:
Periudha ndërmjet mbjelljes dhe mbirjes.
Në këtë periudhë toka duhet të jetë e njomur, por jo e tejngopur me ujë (me lagështi të tepërt). Nëse toka duhet të ujitet, ajo duhet bërë me shumë kujdes dhe duhet përdorur vetëm një sasi e vogël uji. Kur ka temperaturë të lartë, ajo duhet të kryhet para dhe pas mbjelljes. Mungesa e ujit në këtë periudhë shkakton:
Periudha ndërmjet mbirjes dhe fillimit të zhardhokimit.
Në këtë periudhë bimët janë të vogla dhe mjaft sipërfaqe toke nuk është mbuluar nga gjethet. Evapotranspirimi është sa rreth gjysma e një bimësie që mbulon tërë sipërfaqen. Uji i tepërt, por edhe mungesa e tij shkakton bllokimin e sistemit rrënjor. Sasia e ujit për çdo ujitje duhet të jetë rreth 15–25 mm ose 150–250 m3 ujë/ha.
Periudha e zhardhokimit.
Kjo periudhë, sipas kushteve klimatike, fillon 1 – 3 javë pas mbirjes së plotë. Furnizimi me ujë në formimin e tuberave (fryerja e stoloneve) ndikon në prekjen ose jo nga kroma e zakonshme e tuberit dhe numrin e tuberave për bimë. Lagështira e tokës rreth formimeve të reja, tubera shumë të vegjël, për një periudhë rreth tre javë, mbron tuberat nga prekja e kromës. Nëse toka ka lagështi të mjaftueshme gjatë formimit të tuberave, formohen shumë tubera dhe rriten në madhësinë e duhur për tregtim.
Periudha pas formimit të tuberave.
Kjo është periudha e rritjes së tuberave, kur bimës i nevojitet shumë ujë. Nëse do të ketë mungesë uji, prodhimi do të jetë i ulët. Vonesat në ujitje (ujitje të rralla dhe mungesë reshjesh) mund të shkaktojë rritje të dyta të tuberave ose deformim të tyre. Në këtë mënyrë,furnizimi me ujë në këtë periudhë, jo vetëm jep efekt të madh në prodhim, por ndikon edhe në cilësinë e tuberave. Sipas tipit të tokës, agroteknikës e kushteve klimatike, ujitjet kryhen çdo 3 – 10 ditë. Një ujitje në këtë periudhë mund të shtojë prodhimin 50 kv/ha. Në zonën kondrinore, 300 – 500 m mbi nivelin e detit, kryhen2–6 ujitje. Në lartësitë 500 –800 m mbi nivelin e detit, kryhen 2–5 ujitje. Ndërsa në zonën mbi 800 m mbi nivelin e detit, kryhen 1–4 ujitje. Tokat e lehta zakonisht ujiten më shpesh se ato të rënda.
Koha dhe denduria e ujitjes.
Sasia e ujit të shfrytëzueshëm nga bimët, varet nga aftësia ujëmbajtëse e tokës, thellësia e sistemit rrënjor, niveli i ujërave nëntokësore, etj. Në tokat ranore momenti për të ujitur është kur është shfrytëzuar 60% e ujit, ndërsa në ato më të rënda kur është shfrytëzuar 40% e ujit.
Sa më i zhvilluar të jetë sistemi rrënjor dhe më e lartë aftësia ujëmbajtëse e tokës, aq më i gjatë do të jetë intervali ndërmjet dy ujitjeve. Zhvillimi i sistemit rrënjor mund të nxitet nëpërmjet punimeve të thella, përgatitjes së shtratit të përshtatshëm për mbjellje, përdorimit të plehut organik, prashitjeve, etj. Duhet theksuar se bima e patates ka sistem rrënjor shumë të dobët, në krahasim me bimët e tjera.
Roli i ujit nëntokësor për bimën mund të jetë i dukshëm nëse largësia ndërmjet rrënjëve dhe ujit nuk është e madhe (50 – 100 cm). Por, në shumë fusha ku kultivohet patate ai është mëse 2 m poshtë sipërfaqes së tokës, prandaj, në këto raste praktikisht, roli i ujit kapilar në furnizimin me ujë është i parëndësishëm.
Përcaktimi i kohës së ujitjes mund të ndjekë disa rrugë:
Periudha ndërmjet ujitjeve mund të jetë më e gjatë kur ujitet me brazda, ndërsa kur ujitet në formë shiu, sasia maksimale për cdo ujitje duhet të jetë 200 – 400 m3/ha.
Mënyrat e ujitjes
Patatja ujitet me brazda, me shi-hedhje dhe kohët e fundit edhe me pika. Uji lëshohet ndërmjet brazdave të krijuara nga mbushjet ose kreshtat. Avantazhet e kësaj mënyre, në krahasim me atë në formë shiu, janë:
Nëse ka infiltrim të madh, siç është rasti i tokave të drenazhuara, brazdat bëhen të shkurtëra dhe niveli i ujit në brazdë nuk duhet të jetë më shumë se gjysma e lartësisë së kreshtës. Por edhe kjo mënyrë ujitjeje ka të metë se krijon ngjeshje të tokës përrreth sistemit rrënjor dhe tuberat deformohen.
Ujitja në formë shiu
Përparësitë e kësaj mënyre ujitjeje janë:
Ujitja me pika
Sot ka filluar gjerësisht kultivimi i patates me mulçerim me plastmas dhe ujitja me pika, e cila e mban bimën vazhdimisht në formë sfungjeri të lagur. Por, duhet theksuar se kjo mënyrë kërkon më shumë shpenzime në krahasim me dy metodat e tjera të ujitjes.
Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Sëmundjet dhe dëmtuesit e patates në fushë të hapur.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Ky eshte botimi im ne librin "Kultivimi patates" viti 2005 . Ky liber duhet te permiresohet
-AVNI Salceni
Ky eshte botimi im ne librin "Kultivimi patates" viti 2005 . Ky liber duhet te permiresohet
-AVNI Salceni
Ky eshte botimi I'm ne vitin 2005
-AVNI Salceni
Mbjellja e patates dhe qepes ne koder dhe rendimenti I tyre
-Armand Bushi