ÇFARË ËSHTË E RËNDËSISHME TË DINI NDËRSA SHKOJMË DREJT ANËTARËSIMIT TË VENDIT NË BASHKIMIN EUROPIAN




Në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian (BE), shfaqen detyrime për fermat e angazhuara në prodhimin bujqësor e blegtoral. Si një pronar apo menaxhues i një ferme blegtorale, ju duhet të njiheni me detyrimet e përcaktuara përmes direktivave dhe rregulloreve të BE-së ku ndër më të rëndësishmet janë ato që adresojnë shëndetin e kafshëve dhe mirëqënien e tyre. Politikat e BE-së mbi shëndetin e kafshëve janë rezultat i progresit që është bërë përgjatë dekadave lidhur me luftën që zhvillohet kundër sëmundjeve të transmetueshme të kafshëve. Këto politika përfshijnë si kafshët e fermës që mbarështohen për ushqim, për sport, kafshët e shoqërimit, ato të argëtimit, si dhe kafshët që mbahen në kopshtet zoologjike. 

Politikat e shëndetit të kafshëve përfshijnë gjithashtu edhe kafshët e egra si dhe ato që përdoren për kërkime shkencore të cilat përbëjnë gjithashtu rrezik për përhapjen e sëmundjeve në kafshë të tjera ose tek njerëzit. 

Në qendër të politikave mbi shëndetin e kafshëve qëndron mbrojtja e shëndetitnjerëzve dhe kafshëve si dhe mirëqenia e tyre, si dhe siguria ushqimore duke mundësuar zhvillimin e programeve mbi kontrollin e përhapjes së sëmundjeve, survejimin dhe zhdukjen e tyre. Këto politika mundësojnë gjithashtu një treg të sigurtë ndërmjet vendeve anëtare si për kafshët e gjalla dhe produktet me origjinë shtazore përmes masave legjislative dhe jo-legjislative. 

Moto nën të cilën operojnë vendet e BE-së është: “Parandalimi i sëmundjeve është më mirë sesa luftimi i tyre”.

Në Prill të vitit 2021, hyri në fuqi Ligji i ri i Shëndetit të Kafshëve mbi sëmundjet e transmetueshme tek kafshët. Përmes këtij ligji është krijuar një politikë e vetme mbi shëndetin e kafshëve dhe ofrohen masa të qarta dhe të harmonizuara për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve që janë të transmetueshme tek kafshët dhe njerëzit. 

Po cilat do të jenë përgjegjësitë tuaja si operator i një biznesi blegtoral në kushtet e ligjit të ri?

Ju si menaxher, apo pronar i një ferme blegtorale jeni përgjegjës për shëndetin e kafshëve dhe luani një rol të rëndësishëm në kontrollin dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjeve të kafshëve si nga kafshët tek kafshët, ashtu edhe nga kafshët tek njerëzit. 

Ju si menaxher dhe pronar i fermës duhet të keni njohuri bazë mbi shëndetin e kafshëve, sikurse edhe disa përgjegjësi të tjera lidhur me:

  • shëndetin e kafshëve të fermës; 
  • përdorimin e kujdesshëm dhe të përgjegjshëm të medikamenteve veterinare;
  • menaxhimin e mirë të kafshëve;
  • regjistrimin e fermës, të aktivitetit,kafshëve dhe mbajtjen e rregullt të të dhënave;
  • biosigurinë, parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve në fermë;
  • bashkëpunim me autoritetin kompetent mbi masat e ndryshme që ndërmerren;
  • survejimin e sëmundjeve në kafshët e fermës;
  • sigurimin që lëvizja e kafshëve nuk rrezikon përhapjen e sëmundjeve dhe se kafshët që lëvizin nga ferma janë të pajisura me dokumentat e nevojshëm

Regjistrimi, identifikimi dhe mbajtja e të dhënave. 

Referuar rregulloreve të BE-së, ju si operator i biznesit blegtoral duhet të informoni autoritetet kompetente lidhur me objektet ku mbarështoni kafshët. Ju duhet gjithashtu të përmbushnni detyrimin për mbajtjen e shënimeve përmes të cilave sigurohet gjurmueshmëria e kafshëve dhe produkteve duke lejuar autoritetet kompetente të kenë një pasqyrë të përditësuar të objektit, aktivitetit të tij, gjendjes shëndetësore të kafshëve dhe rrezikut që ato mund të shfaqin.

Për më tepër, jo vetëm kafshët që mbahen në objekt, por edhe kafshët që lëvizin nga objekti jashtë tij duhet të identifikohen dhe regjistrohen siç duhet për të siguruar gjurmueshmërinë e tyre. Niveli i kërkesave për identifikimin, regjistrimin dhe gjurmueshmërinë varet nga speciet dhe kategoritë e kafshëve. Ato mund të përfshijnë matrikullimin, markimin, tatuazhin, ose implantimin e një transponderi, ofrimin e një dokumenti shoqërues siç është pasaporta e kafshëve kur kafshët zhvendosen, si dhe regjistrimin në bazën e të dhënave. 

Lëvizja e kafshëve, materialit riprodhues, vezëve dhe embrioneve si dhe produkteve me origjinë shtazore.

Ligji për Shëndetin e Kafshëve trajton gjithashtu si lëvizjen e kafshëve, materialit riprodhues, vezëve, embrioneve dhe produkteve me origjinë shtazore brenda vendeve të Bashkimit Europian, ashtu edhe rastet kur këto kafshë dhe produkte hyjnë nga jashtë vendeve të BE-së në vendet e BE-së

Çfarë duhet të mbajnë parasysh operatorët që zhvillojnë aktivitetin brenda vendeve të BE-së?

Një operator duhet të sigurojë që kafshët, produktet riprodhuese ose produktet me origjinë shtazore plotësojnë kërkesat për shëndetin e kafshëve kur ato lëvizin brenda vendeve të BE-së. Rregulli kryesor është që gjatë lëvizjes nuk duhet të rrezikohet shëndeti i kafshëve apo njerëzve në vendin e destinacionit ose përgjatë rrugës. Kjo procedurë përfshin:

  • masat për të garantuar biosigurinë gjatë transportit;
  • detyrimet për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve;
  • gjendjen e shëndetëshme të kafshëve;
  • çertifikatat shëndetësore të kafshëve të jenë prezente për të shoqëruar kafshët, produktet riprodhuese si dhe produktet me origjinë shtazore;
  • nëse kafshët zhvendosen në një shtet tjetër anëtar, mund të nevojitet të përmbushin kërkesa të tjera të shëndetit të kafshëve, të tilla si testet shtesë dhe depistim për sëmundje të caktuara.

Çfarë duhet mbajtur parasysh gjatë hyrjes së kafshëve, materialeve riprodhuese si dhe produkteve me origjinë shtazore në vendet e BE-së nga vendet jashtë tij. 

Të gjitha kafshët, produktet riprodhuese dhe produktet me origjinë shtazore

(p.sh. mish i freskët, vezë, produkte qumështi, produkte nga kafshët ujore) mund të hyjnë në vendet e BE-së vetëm nëse:

  • ato përputhen me të gjitha kërkesat që zbatohen për shëndetin e kafshëve;
  • vendi i origjinës është i autorizuar për mallin përkatës dhe përfshihet në një listë të vendeve të treta të pranueshme për aktivitetin në vendet e BE-së;
  • ato e kanë origjinën nga një stabiliment/ndërmarrje të listuar në një vend të tretë (e përshtatshme për vendet e BE-së);
  • autoriteti kompetent përkatës vërteton pajtueshmërinë e shëndetit të kafshëve me anë të një çertifikate shoqëruese.

Masat për kontrollin e sëmundjeve

Ligji për Shëndetin e Kafshëve përshkruan rregullat që duhen ndjekur edhe në rastin e shpërthimit të sëmundjeve të rënda, si FMD (foot and mouth disease - prekja e thundrave dhe gojës, murtaja afrikane e derrave, ose murtaja klasike e derrave). 

Krahas kërkesës për të njoftuar autoritetin kompetent për shpërthimin e një sëmundje tek kafshët, ligji parashikon edhe disa masa për kontrollin e sëmundjeve, masa të cilat zbatohen:

  • në stabilimentin/ndërmarrjen ku shfaqen sëmundjet; dhe
  • zonat kufitare që rrethojnë vendndodhjen e sëmundjeve.

Këto masa mund të përfshijnë kufizime të lëvizjes, pastrimin dhe dezinfektimin e objekteve/stabilimenteve, kryerjen e testimeve, vaksinimin e kafshëve, etj. 

Në raste të tilla, të gjithë operatorët duhet të ndjekin nga afër udhëzimet e marra nga autoriteti kompetent.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë lidhur me Medikamentet veterinare dhe ushqimet me përmbajtje medikamentesh.

Data e publikimit: 18/06/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale: