Shërbimet agroteknike tek qershia




Nga niveli i shërbimeve agroteknike varet koha e hyrjes në prodhim,  jetëgjatësia e pemishtes, koha e shfrytëzimit, prodhueshmëria e pemishtes së qershivecilësia e prodhimit si dhe kostoja e prodhimit.

Shërbimet agroteknike kryesore tek qershia janë:
Punimi i tokës (mirëmbajtja e sipërfaqes së tokës), ujitja, plehërimi, krasitja, lufta kundër sëmundjeve dhe dëmtuesve, etj.

Punimi i tokës, ujitja dhe plehërimi

  • Punimi i tokës kryhet në periudhën vjeshtë dimër dhe aplikohet në tokat fushore dhe nën ujë.
  • Punimi bëhet në thellësinë 15 – 20 cm. Me anë të punimit bëhet përmbysja e plehrave organike, kimike, ruhet vlaga (lagështia) në tokë si dhe luftohen barërat e këqija.
  • Në rastet kur tokat janë me mbi 5% pjerrësi dhe kur mundësia e ujitjes është e kufizuar, atëherë sipërfaqja e tokës këshillohet të mos punohet por të mbahet e pastër nga barishtet e këqija (të paktën deri në 70 cm nga trungu) nëpërmjet aplikimit të herbicideve. Ne sipërfaqen ndërmjet bimëve këshillohet mulçërimi i tokës, vendosja e lëndëve organike si barë, byk, gjethe të thara, tallash, torfe, etj, me qëllim që të eliminohet largimi i ujit nëpërmjet avullimit.

Ujitja:  Periudhat kritike për ujë janë: 

  • në fazën e lulëzimit;
  • në fazën e lidhjes së frutave dhe 
  • në fazën e rritjes intensive të frutave. 

Këshillohet aplikimi i sistemit të ujitjes me pika. Duhet kihet parasysh parasysh që sasia e ujit për një periudhë vegjetative është rreth 2000-3000 m3 për ha.

Plehërimi: Veç plehërimit të përvitshëm është e domosdoshme, që gjatë përgatitjes së tokës për mbjellje, ajo duhet të plehërohet me rreth 500 kv/ha plehra organike, 10-15 kv/ha plehra fosforike, 5-6 kv/ha plehra potasike, etj. Në vitin e parë pas mbjelljes, plehërimi azotik duhet të jetë rreth 150 g lëndë aktive  për bimë dhe në vitin e dytë kjo sasi duhet të dyfishohet

Në vitin e tretë duhet të shtohen edhe rreth 50-70 kg/ha lëndë aktive të plehrave fosforike dhe 100 kg/ha ato potasike. Në tokat me përmbajtje të lartë të gëlqeres sasia e plehrave fosforike duhet të rritet deri në 150 kg/ha. Këto duhet të hidhen në të gjithë sipërfaqen e tokës dhe mundësisht në punimin e vjeshtës. Plehrat azotike duhet të jenë nga 150 deri në 180 kg/ha lëndë aktive dhe duhet të shpërndahen gjatë pranverës (me punimet e shkrifërimet e tokës).

Këshillë!  Sasia e plehrave duhet të shpërndahet uniformisht nën të gjithë kurorën dhe të përmbyset në tokë gjatë shkrifërimeve të sipërfaqes së tokës.

Krasitja prodhuese e qershisë

  • Karakteristike për qershinë është se kurora zhvillohet me degë skeletore të rralla dhe të shpërndara uniformisht në të gjithë kurorën duke formuar hapësirat e nevojshme natyrale.
  • Kjo veti e qershisë duhet të kihet parasysh gjatë krasitjeve, e cila kurrë nuk duhet të jenë të renda, sepse nga prerjet e rënda bima tronditet shumë fiziologjikisht si dhe stimulohet prekja nga gomoza, e cila është tepër e vështirë të menaxhohet dhe të luftohet.
  • Pemët e qershisë zakonisht kultivohen në formën e kurorës së lirë dhe atë kupore, por në disa raste edhe palmeta/kordon. Synohet që gjatë krasitjeve dimërore kurora të mbahet në formë e duhur.

Gjatë fazës së krasitjeve dimërore, duhet të ndiqen këto rregulla kryesore:

  • Qershia prodhon kryesisht në degëzat buketore, prandaj gjatë krasitjes dimërore ato duhet të ruhen.
  • Te qershitë e reja lastarët e fuqishëm duhet të përgjysmohen me qëllim veshjen e degëve me degëza veshëse.
  • Te qershitë e vjetra synohet që degët të mbajnë degëzat buketore, të përgjysmohen ato të vjetra me qëllim shpërthimin e lastarëve vegjetative dhe shndërrimin e tyre në të përzier, e buketore.
  • Duhet të eliminohen prerjet e renda sepse, stimulohet gomoza dhe bimët do të thahen.
  • Rrallohen pjesërisht degëzat që hijezojnë njëra tjetrën;
  • Hiqen plotësisht degët e vjetra apo të thyera dhe të sëmura;
  • Thithakët zakonisht hiqen plotësisht, por nëse ndonjë degë skeletore është dëmtuar, atëherë ato shkurtohen ne 6 -7 sythe për të formuar e zëvendësuar degën e ardhshme.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë Mbrojtjen nga sëmundjet dhe dëmtuesit tek qershia

Data e publikimit: 16/10/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

Variatetet Autoktone të Panxharit të kuq, Rrepës, Majdanozit dhe Koprës

Mësoni rreth variateteve autoktone të Panxharit të kuq, Rrepës, Majdanozit dhe Koprës

Lexo më shumë

Variatetet Autoktone të Bamjes, Mashurkës dhe Sallatës

Mësoni rreth variateteve autoktone të Bamjes, Mashurkës dhe Sallatës

Lexo më shumë

VARIETETET, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I ENDIVIES

Cila është Teknologjia e Kultivimit të Endivies?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË GUAVAS

Guava ka përdorime të shumta falë profilit të saj ushqyes, shijes dhe vlerës së saj në mjekësinë tradicionale.

Lexo më shumë