Histori Suksesi – AUREL & AGUSTIN ASLLANI




Në Mollas të Cërrikut jemi për të takuar vëllezërit binjakë Aurel dhe Agustin Asllani, anëtarë që kanë qenë të suksesshëm gjatë këtyre viteve. Aktualisht kanë 6 dynym sera dhe janë të përqendruar në 3 kultura, spec, kungull dhe domate.

Siç na tregon Aureli, e gjitha nisi kur tentoi të shkonte të punonte në Greqi, duke kaluar nga mali. 

Na kapi policia dhe na futi në izolim derisa të na kthente në Shqipëri. Ditën e parë na nxorrën vetëm një orë në oborr për ajrim. Në dhomë ishim shumë vetë. Gjithë natën mendova dhe thashë me vete, vjen të punosh këtu e lë tokat e tua djerrë dhe përfundon në birucë”. 

Të nesërmen kur do dilnim për ajrim i kërkova policit “Ore vetëm më lëshoni se nuk vij më këtu”. Ndënja kështu nja 8 ditë të mira derisa na kthyen. Me të mbërritur në shtëpi në darkë gjëja e parë ishte telefonata me Selimin, kushëririn tim që e dija që punonte në një bankë (FED invest). “Para se të shkosh nesër për në punë, ndalo njëherë te unë se dua të bisedoj me ty. U takuam dhe i thashë që të më ndihmonte me kredi dhe më tha po, por si kredimarrës për herë të parë mund të marrësh deri në 800.000 lekë. Kështu morëm kredi unë edhe vëllai Agustini. Me këto lekë e ndërtuam serën e parë. Viti i parë, katastrofë. Ngaqë nuk dinim, nuk kishim njohuri. Viti i dytë diçka më mirë. Vitin e tretë, megjithëse thashë që nuk iki në Greqi dhe puna po më ecte mirë, u detyrova të shkoj, pak kohë, që të përballoja kredinë”.

Meqë puna filloi të ecte mirë, mora disa kohë edhe sera me qera, por babai një natë na tha: “Paguani qeranë çdo muaj dhe një ditë të bukur vjen i zoti dhe ju thotë dilni jashtë, kështu që më mirë merrni një kredi tjetër dhe në fund ju mbetet sera”. “Dhe kështu bëmë”, dhe me kënaqësi na tregon serën e re që për momentin e kishte mbjellë me kungull.

Duke biseduar për Qendrën ABA dhe Abaonline, Aureli menjëherë na çon tek një bimë dhe thotë ta pyesim ekspertin se çfarë problemi kishte bima që nuk zhvillohej si të tjerat. Përgjigja ishte bindëse kështu që u ndamë të kënaqur që kishim takuar një njeri shumë punëtor, por edhe praktik duke na kërkuar ndjesë që “do ju bezdis herë pas here për ta pyetur ekspertin për problematikat që do has në produkte”, por që i shpjeguam se ky ishte thjesht misioni jonë.

Data e publikimit: 26/08/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale: