Kolza (Brassica napus L.) është bimë një ose dyvjeçare e familjes Brasicae (Kryqore) me origjinë nga Evropa dhe Afrika Veriperëndimore. Kolza hyn në grupin e bimëve vajore, por në vendin tonë njihet vetëm si bimë foragjere. Kolza vajore kultivohen për prodhimin e vajrave bimore të ngrënshëm, ushqimit për kafshë dhe biodizelit. Farat e kolzës ishin burimi i tretë kryesor i vajit bimor në botë në vitin 2000, pas sojës dhe vajit të palmës. Është burimi i dytë kryesor në botë i miellit të proteinave pas sojës.
Kolza mund të përdoret:
Si vaj ushqimorë, është një nga vajrat bimorë më të vjetër të njohur, por historikisht është përdorur në sasi të kufizuar për shkak të nivelit të lartë të acidit erucik, i cili dëmton muskujt kardiak të kafshëve dhe glukozinolatet, të cilat e bënë atë më pak të ushqyeshme për kafshët. Vaji i kolzës më parë përmbante deri në 54% acid erucik (në vitet 1970). Vaji i gradës ushqimore i nxjerrë nga kultivarët e kolzës, i njohur si vaj kanola, tani është njohur përgjithësisht si i sigurt dhe përmban nivele shumë të ulëta të acidit erucik (shpesh ≤2% të acideve yndyrore totale).
Si ushqimi për kafshët: Përpunimi i farës së kolzës për prodhimin e vajit prodhon miellin e farës së kolzës si nënprodukt. Nënprodukti është një ushqim për kafshë me përmbajtje të lartë proteinash, konkurrues me sojën. Ushqimi përdoret kryesisht për ushqimin e bagëtive, por përdoret edhe për derrat dhe shpendët. Megjithatë, nivelet e larta të glukozinolateve, sinapinës dhe acidit fitik në miellin e farës së kolzës shkaktojnë efekte të dëmshme shëndetësore tek kafshët, zvogëlojnë tretshmërinë e disa lëndëve ushqyese, zvogëlojnë shijen dhe kontribuojnë në eutrofikimin e rrugëve ujore
Si biodizel: Vaji i kolzës përdoret si lëndë djegëse dizel, qoftë si biodizel direkt në ose i përzier me distilate nafte për të furnizuar me energji automjetet. Biodizel mund të përdoret në formë të pastër në motorët më të rinj pa dëmtime të motorit dhe shpesh kombinohet me naftë me lëndë djegëse fosile në raporte që variojnë nga 2% në 20% biodizel. Për shkak të kostove të kultivimit, shtypjes dhe rafinimit të biodizelit të kolzës, biodizel i nxjerrë nga kolza kushton më shumë për t'u prodhuar sesa karburanti standard dizel, kështu që lëndët djegëse dizel zakonisht bëhen nga vaji i përdorur.
Vlera të të tjera agronomike: Kolza përdoret gjithashtu si kulturë mbuluese gjatë dimrit pasi parandalon erozionin e tokës, prodhon sasi të mëdha biomase, shtyp barërat e këqija dhe mund të përmirësojë pjellshmërinë e tokës me sistemin e saj rrënjor.
Disa kultivarë të kolzës përdoren gjithashtu si foragjere vjetore dhe janë gati për kullotje bagëtish 80 deri në 90 ditë pas mbjelljes. Kolza ka një potencial të lartë melliferik (prodhon substanca që mund të mblidhen nga insektet) dhe është një kulturë kryesore foragjere për bletët e mjaltit.

Zakonisht tipet vjeshtorë të kolzës paraqiten më të favorshëm, pasi karakterizohen nga mos hapja e silikës, pjekja e njëkohshme, hershmëria, përshtatshmëria, qëndrueshmëria ndaj sëmundjeve, mungesa e acidit erucik në vaj dhe mungesë e glukosinolateve në miell.
Kërkesat e kolzës për klimën dhe tokën
Kjo bimë mund të kultivohet me sukses në të gjitha zonat dhe tipet e tokave, por rendimentet më të larta i jep në zonat e freskëta ku bien dhe më shumë reshje. Ka qëndrueshmëri të lartë ndaj temperaturave të ulëta. Ajo mund t’i durojë uljes së temperaturës deri në 12 – 18°C nën zero. N.q.s bimët futen në dimër me rozetën e gjetheve të formuara plotësisht, u qëndron mirë temperaturave të ulëta deri – 18°C.
Në literaturë thuhet se kultivohet me sukses në zonat që kultivohet gruri. Duke qenë një bimë mjaft e qëndrueshme dhe me kërkesa të pakta i përshtatet edhe zonave të nxehta e të thata e sidomos kur mbillet në vjeshtë. Edhe ndaj tokës nuk ka kërkesa të veçanta. Mund të kultivohet në të gjitha tipet e tokave. Preferon më shumë tokat e freskëta me teksturë deri në të rëndë që e ruajnë lagështirën. Për sa i përket kultivimit njihen dy tipe të kolzës, vjeshtor dhe pranverorë. Zakonisht tipet vjeshtorë të kolzës paraqiten më të favorshëm, pasi karakterizohen nga mos hapja e silikës (më të qëndrueshme ndaj shkoqjes), pjekja e njëkohshme, hershmëria, përshtatshmëria, qëndrueshmëria ndaj sëmundjeve, mungesa e acidit erucik në vaj dhe mungesë e glukosinolateve në miell. Në përgjithësi kolza mund të shkojë pas çdo bime për vetë aftësinë që ka për t’u përshtatur atyre. Ka preferenca për bimët bishtajore dhe për foragjeret në përgjithësi. Kultivohet me sukses edhe pas të lashtave. Pavarësisht nga aftësia e saj për tu përshtatur, në asnjë rast nuk duhet të mbillet pas vetes dhe bimëve të tjera të familjes kryqore si lakra për kokërr, perko e lakra foragjere. Zakonisht pas kolzës shkojnë mirë gruri dhe tërshëra.

Përgatitja e tokës
Në varësi të zonave ku kultivohet, teksturës së tokës dhe kohës së mbjelljes, bëhet plugimi me thellësi 26 – 30 cm. Zakonisht në zonat me reshje të bollshme dhe në toka të rënda plugimet bëhen në thellësinë 30 – 35 cm. Shtrati i mbjelljes duhet të jetë sa më i shkrifët, për të siguruar një kontakt sa më të mirë të farës me tokën dhe një thellësi mbjellje sa më uniforme. Një shtrat jo i përshtatshëm e ul në mënyrë të theksuar përqindjen e farërave që mbijnë dhe në raste të veçanta, kur ka dhe mungesë të lagështirës në tokë, mbirja mund të dështojë.
Plehërimi
Për rendimente të larta në farë, 20 kv/ha, bimët përvetojnë nga toka azot 135 kg/ha, P2O5 80 kg/ha dhe K2O 70 kg/ha lëndë aktive. Nisur nga pjelloria e tokës dhe kërkesat e e bimës për të realiziuar prodhimin e planifikuar hartohet edhe bilanci i plehërimit. Rekomandojmë që sasia e azotit të shpërndahet në dy duar ku dora e parë, nëmasën 30% të sasisë së planifikuar, të hidhet në fazat e para të zhvillimit dhe dora e dytë, 70% e sasisë, të hidhet gjatë rritjes intensive të bimëve. Sasitë e mëdha të azotit mund të sjellin rrëzimin e bimëve. Fosfori dhe kaliumi shpërndahen gjatë përgatitjes së tokës për mbjellje, para plugimit apo diskimit e frezimit të tokës. Në tokat normale (ph 6 – 7) mjafton sasia e fosforit në 50 kg/ha, ndërsa në tokat acide apo gëlqerore kjo sasi duhet të shkojë deri në 60 – 80 kg/ha. Kolza është konsumatore e fuqishme e squfurit, i cili nuk mungon në tokë. Megjithatë në disa tipa tokash ranore e acide duhen përdorur plehra që e përmbajnë këtë element si sulfati i potasit dhe sulfati i amonit. Në raste të tilla, veçanërisht ky i fundit, përdoret në plehërimin azotik nga ngritja në lulëzim.
Mbjellja
Koha e mbjelljes është në varësi të zonave. Për zonat e ulëta e ato kodrinore e para malore, periudha më e përshtatshme e mbjelljes është muaji shtator deri në 10 tetor;
Për zonën e ftohtë të vendit mbjelljet kryhen në pranverë pa lënë mënjane mundësinë e mbjelljes në vjeshtë. Për kushtet e vendit tonë, në rreth 70% të territorit, mbjellja mund të bëhet në vjeshtë. Në të gjitha aspektet, mbjelljet e vjeshtës janë më superiore ndaj atyre të pranverës. Mbjellja realizohet me makinat e të lashtave që mund të jenë 35 ose 45 cm larg njëri tjetrit. Norma e farës shkon nga 5 – 8 kg/ha. Thellësia e mbjelljes luhatet nga 1 – 3 cm, në varësi të teksturës së tokës. Kusht i domosdoshëm për sigurimin e mbirjeve të plota është përgatitja e një shtrati sa më të shkrifët dhe lagështia e përshtatshme në thellësinë e mbjelljes. Në rastet kur vlaga e tokës në momentin e mbjelljes nuk është në nivelin e dëshiruar ndikon për mirë rulimi i menjëhershëm pas mbjelljes.
Përkujdesjet kryesore
Lufta kundër barërave të këqija
Kolza e ndjen infeksionin në dy periudha, nga mbjellja deri në mbylljen e rreshtave dhe në fillim të ngritjes vegjetative. Veçanërisht të rrezikshme paraqiten graminoret spontane si Avena spp, Lolium spp, Phalaris spp. dhe Sinapis spp. Për luftimin e tyre rekomandojmë luftën kimike, sepse është shumë efektive dhe me leverdi ekonomike.
Mbrojtja nga sëmundjet dhe dëmtuesit
Më të rrezikshme paraqiten alternarioza, sklerotinia, foma dhe cilindrosporioza, trakeomikozat, ndërsa nga dëmtuesit nematodët dhe afidet. Alternarioza e prek bimën gjatë gjithë vitit. Kur sëmundja fillon e kap silikët bëhet trajtimi me preparatet përkatëse. Sklerotinia, si sëmundje polifage, paraqet rrezikshmëri sidomos në lulëzim, prandaj edhe trajtimi bëhet përpara kësaj faze. Duke qenë në përgjithësi bimë vjeshtore, me periudhë bimore të shtrirë gjatë dimrit e pranverës, masat për kullimin e tokës duhet të jenë të plota.
Korrja e prodhimit
Zakonisht fara në lulesë nuk piqet njëherësh, prandaj vjelja e prodhimit bëhet atëherë kur janë pjekur pjesa dërmuese e silikëve. Korrja, në varësi të viteve klimatike, bëhet në periudhën prej fundit të muajit maj dhe gjatë gjithë muajit qershor. Korrja me autokombajnë kryhet kur lagështia në farë arrin 15%, ndërsa korrja me krah kur lagështia është rreth 25 – 35%, ndërsa shirja bëhet kur lagështia arrin në 8 – 9%.
Shpërndaj në rrjetet sociale: