Teknologjia e kultivimit të shegës




Shega është bimë që kultivohet për fruta të freskët, për industrinë përpunuese të lëngjeve e pijeve, për industrinë farmaceutike, si bimë zbukuruese dhe si bimë e rëndësishme e ekosistemit, sidomos për zona të thata, tokat e pjerrëta, të cekëta gurishtore të pa ujitshme. 

Këto toka ku bimët e tjera vegjetojnë me vështirësi ose nuk mund të vegjetojnë, shega i gjelbëron i lidh dhe i bën të qëndrueshme ndaj erozionit. Jep rendimente të larta 250 - 300 kv/ha, ka raste edhe 600 kv/ha, duke siguruar të ardhura të kënaqshme për njësi të sipërfaqes. 

KËRKESAT PËR KLIMËN DHE TOKËN

Kërkesat për klimën: Klima tipike për shegën është ajo me dimër të butë dhe të lagësht dhe verë të ngrohtë e të thatë. Për këtë arsye ajo ka gjetur kushte të mira kultivimi në vendin tonë, kryesisht në zonën e ullirit. Konsiderohet më e qëndrueshme se agrumet dhe ulliri ndaj temperaturave të ulëta. 

  • Druri shumë vjeçar dëmtohet në temperatura më të ulëta se -15°C dhe në -18°C  deri në -20°ajo mund të dëmtohet totalisht.
  • Shega i duron thatësirës dhe temperaturave të larta, përgjithësisht, më shumë se kulturat e tjera frutore.
  • Nuk duhet të mbillet në territore ku bien shumë mjegulla dhe fryjnë erëra të forta. 
  • Në ekspozicione nga jugu ose jug perëndimi mund të kultivohet deri në lartësinë 800-1000 m.

Kërkesat për  tokën: Shega nuk ka shumë kërkesa për tokën. Mund të kultivohet edhe në toka të thata e të varfra. Por për të dhënë rendimente të larta dhe cilësi të mirë frutash, duhet të mbillet në toka të pasura, të freskëta, ku në kushte të tilla mund të prodhojë deri në 200 kg/rrënjë. 

  • Kërkon toka me pH 5.5 - 7 dhe përshkueshmëri elektrike 10 ds/m.
  • Shega preferon toka gëlqerore ose lehtësisht acide, si dhe toka gurishtore, zallishtore, por ajo shkon më mirë në toka të zakonshme e të kulluar mirë.

Kultivarët  më të përhapura të shegës në vendin tonë

Në zgjedhjen e kultivarëve ose në importimin e kultivarëve nga vende të tjera duhet të merren në konsideratë disa cilësi të tyre si: periudha e vjeljes (koha e pjekjes), kërkesat për klimën dhe kërkesat për tokën. Varietet e shegës janë vetë pllenuese, prandaj ato frutifikojnë pa nevojën e bimëve tjera pjalmuese. Lulet vizitohen nga bletët dhe është vërtetuar se ato ndikojnë në sasinë dhe cilësinë e prodhimit. 

Kultivarët e vendit

Devedishe

  • Ka gjetur përhapje në të gjithë territorin e vendit tonë në saj të përshtatshmërisë që ka fituar.
  • Bimë është në formë shkurreje me rritje mesatarisht të fuqishme.
  • Fruti është shumë i madh, me formë të rrumbullakët, me cipë të hollë në mesatare, me ngjyrë të kuqe e cila nga ana e diellit errësohet.
  • Kokrrat janë me ngjyrë të kuqe me lëng dhe të ëmbla.
  • Farëzat (bërthamat) janë të vogla.
  • Prodhueshmëria e lartë dhe e përvitshme. Ruhet për rreth 6-8 muaj.

Tivaresha

Kultivar me origjinë nga Tivari, por që është kultivuar për një kohë të gjatë në vendin tonë.

  • Bimë është në formë shkurreje me rritje të fuqishme, arrin në rreth 4 m lartësi.
  • Fruti është me madhësi mesatare, me ngjyrë të kuqe në të verdhë.
  • Kokrrat janë me madhësi mesatare, me ngjyrë të kuqe, plot lëng dhe të ëmbla. Prodhimi është i lartë dhe ruhet për rreth 6 muaj.

Bahçallëk

Kultivar autokton i përhapur në rrethin e Shkodrës. 

  • Pema është në formë shkurreje me rritje mesatare.
  • Fruti mesatar, me lëkurë mesatarisht të hollë dhe të lëmuar, me ngjyrë të verdhë dhe të kuqe nga ana e diellit.
  • Kokrrat janë me madhësi mesatare, me ngjyrë të kuqe, me shije majhoshe dhe të lëngshme.
  • Prodhimtari e lartë dhe e qëndrueshme.

Majhoshe e Libohovës
Kultivar autokton i përhapur në trevën e Gjirokastrës. 

  • Bima është shkurre, me rritje shumë të fuqishme.
  • Fruit i madh, i rrumbullakët, lëkura e lëmuar, e trashë, me ngjyrë të verdhë dhe e kuqe nga ana e diellit.
  • Kokrrat janë me ngjyrë të kuqe, të mëdha, me bërthama të vogla dhe me shije majhoshe.
  • Ruhet për rreth 8 muaj.
  • Prodhimtari e lartë.

Kultivarë të huaj

Hicanzar: E quajtur në botë si shega turke, është kultivari më i përhapur në Turqi. Ka peshën më të madhe të eksportit të shegës në Turqi. 

  • Frutat kanë fara të buta dhe tultë kuq të errët, me shije majhoshe. Lëkura ka ngjyrë të kuqe dhe trashësi 3.3 mm.
  • Një bimë mund të japë deri 40 kg fruta.
  • Pragu i qëndrueshmërisë së temperaturave të ulëta është -10°C. Nën këtë temperaturë bimët dëmtohen.
  • Vjelja fillon në fillim të tetorit dhe vazhdon deri në fund të tetorit.
  • Mund të ruhet deri në 6 muaj.

Hicrannar: Është një kultivar tjetër i rëndësishëm në Turqi. 

  • Frutat kanë fara të buta, ngjyra e tulit të farave dhe e lëkurës është e kuqe.
  • Pragu i rezistencës për temperatura të ulëta është i njëjtë me atë Hicanzar.
  • Njihet si kultivuar me pjekje të mesme. Vjelja fillon në fund të shtatorit dhe vazhdon gjithë tetorin.

Ylmaznar: Është një shegë e hershme që vilet ndërmjet datave 13-15 shtator. Ka frut më të madh se kultivari Hicaznar dhe jep rendiment më të lartë.

Wonderful: Është një kultivar i rëndësishëm me origjinë amerikane dhe që ka gjetur përhapje në shumë vende.

  • Frutat janë shumë të mëdha dhe lëkura me ngjyrë të kuqe të ndezur.
  • Tuli ka ngjyrë të kuqe, me lëng dhe shije të thartë.
  • Rritet mirë në toka alkaline tek të cilat nuk rriten shumë bimë të tjera.
  • Ka kurorë të madhe, piqet në shtator.
  • Përveç Kalifornisë është i përhapur në shumë vende te tjera të botës si në: Siçili, Izrael, Greqi etj.

Sistemet  dhe distancat e mbjelljes  tek shega

Distancat e mbjelljes së shegës varen nga varieteti, toka, agroteknika, forma e kurorës, mekanizimi etj. Sistemet e mbjelljes mund të jenë katror, drejtkëndësh ose trekëndësh.
Në varësi të formës së kurorës dhe sistemit të mbjelljes distancat e mbjelljes së shegës jepen ne tabelën e mëposhtme.

Forma e kurorësSistemi i mbjelljesDistancat (m)
ShkurreDrejtkëndësh4x3
ShkurreKatror4x4
Formë kuporeDrejtkëndësh4x5
Formë kuporeKatror4x4
Palmet 2x5
Gardh (si bimë zbukuruese) 0.3 – 0.4

Koha e mbjelljes

  • Koha e mbjelljes varet nga mënyra e përgatitjes dhe e tregtimit të fidanit.
  • Kur fidanët nuk janë në vazo ose bukë dheu mbjellja bëhet gjatë periudhës së qetësisë absolute, pasi kanë rënë gjethet, nga muaj nëntor e deri në fillim të muajt mars.
  • Kur fidanët janë në vazo ose bukë dheu mbjellja mund të realizohet në çdo stinë të vitit, përjashto ditët me ngrica, me shi si dhe ditët shumë të nxehta të verës.
  • Gjatë procesit të mbjelljes zbatohen rregullat teknike që janë përmendur edhe për pemët tjera.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Shërbimet agroteknike tek shega. 

Data e publikimit: 23/10/2021


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

Teknologjia e kultivimit të rrushit të tavolinës në serra

Cilat janë disa nga përparësitë e kultivimit të rrushit në serra?

Lexo më shumë

Teknologjia e kultivimit tek bajamja

Frutat e bajames janë të pasura me magnez, kalium, fibër dhe proteinë

Lexo më shumë

Si duhet të përgatitet toka për mbjelljen e majdanozit?

Cila është struktura varietore e rekomanduar?

Lexo më shumë

Kultivimi i shalqirit në serra

Shalqiri është një kulturë shumë e përhapur në Shqipëri. Ai prodhohet kryesisht në zonat bregdetare, në fushë të hapur dhe në mjedise të mbrojtura.

Lexo më shumë