TRAJTIMI I STRESIT NGA VAPA




                                                                             REGJISTROHUNI KËTU për të shfletuar rubrikat e tjera të platformës.

Ndërsa stresi i nxehtësisë mund të ketë ndikime të rëndësishme në prodhimin dhe mirëqenien e kafshëve, duke bërë disa ndryshime të vogla në menaxhim dhe duke u kujdesur pak më shumë për kafshët tuaja gjatë periudhave të motit ekstremisht të nxehtë, efektet e stresit të nxehtësisë mund të reduktohen ndjeshëm.

Nëse kafshët tuaja po shfaqin ndonjë nga shenjat e stresit nga vapa, ju mund të ndërmerreni veprimet e mëposhtme për ta zbutur ndikimin e vapës:

  • Zhvendoseni tufën menjëherë në zonë të hijezuar, mundësisht në një zonë me qarkullim të mirë të ajrit (në prani të korridoreve të lehta ajrore), ose sigurojini hije në zonën ku ato ndodhen.
  • Ofrojini ujë të freskët të pastër, duke i inkurajuar të pijnë shpesh e në sasi të vogla.
  • Siguroni spërkatje të tufës me ujë të freskët, veçanërisht në pjesët e gjymtyrëve.
  • Rritni nivelin e qarkullimit të ajrit rreth tyre, duke përdorur ventilatorë, ose duke krijuar kushtet për qarkullimin e ajrit.
  • Ulni densitetin e tufës në një zonë të caktuar, me qëllim që kafshëve t'i krijoni një gjendje të rehatshme për tu shtrirë.
  • Mbani parasysh se tretja e ushqimit shkakton prodhimin e nxehtësisë që kontribuon në shtimin e nivelit të nxehtësisë së kafshëve. Ndaj, sigurojini kafshëve ushqim me cilësi të lartë për të ruajtur marrjen e lëndëve ushqyese pa prodhim të tepërt të nxehtësisë.
  • Ushqejeni tufën herët në mëngjes ose në mbrëmje kur temperaturat janë më të ulëta.

Hidratimi i tufës, si masë e rëndësishme për kontrollin e stresit nga vapa

Qoftë në një mot me temperatura të larta dhe një verë të thatë, ashtu edhe në një mot të ftohtë, mbajtja e lopëve në gjendje të hidratuar është e një rëndësie të veçantë. Për të siguruar hidratimin është e rëndësishme të krijoni kushtet që tufa të ketë mundësi të marrë ujë në sasinë e duhur, por duke i ofruar një ujë cilësor dhe të pastërt. Natyrisht hidratimi, si dhe marrja e sasisë së duhur të ujit janë faktor për të sigururar lopë të shëndetshme, me aftësi për prodhimtari të lartë dhe një riprodhim të suksesshëm. Aq e rëndësishme është marrja e ujit në sasinë dhe ciësinë e duhur, saqë mjafton që ju të mbani parasysh se rreth 60-70% e trupit të lopëve përbëhet nga uji. Për ti dhënë kuptimin e duhur rëndësisë së ujit, mjafton të përmendim se gjedhi mund të jetojë pa ushqim përreth dy muaj, ndërsa pa ujë mundet të rezistojë deri në shtatë ditë dhe më pas ti dorëzohet tërësisht dehidratimit.

Bëni kujdes, në rastet e dehidratimit, lopët duhet të konsumojnë ujë menjëherë, por vetëm në sasi të vogla. Ju rekomandojmë ofrimin gradual të ujit. Kështu nëse enët mbajtëse të ujit janë bosh, filloni ti mbushni ato me sasi të vogla me qëllim që të gjithë lopët të shfaqin konkurencë për ujin e ofruar dhe të mund të pijnë shumë pak ujë. Ju duhet ta përsërisni këtë veprim disa herë me një interval prej 30 minutash nga njëri ofrim i ujit tek tjetri, deri sa të shuhet etja e tyre. Pra, ofroni ujë në mënyrë graduale, mbajini lopët të hidratuara dhe në gjendje të shëndetshme gjatë sezonit të thatësirave. 

Cilësia dhe pastërtia e ujit janë po aq të rëndësishme sa edhe sasia e tij. Enët ofruese të ujit duhet të mbahen të pastra duke i projektuar në mënyrë të atillë që të mundësohet pastrimi dhe dezinfektimi i tyre me lehtësi. Mbani parasysh se enët prej betoni ofrojnë ujë të pijshëm të freskët.

Hijezimi, një mënyrë për zbutjen e ndikimit të temperaturave të larta 

Hijezimi është një praktikë efektive pë zbutjen e ndikimit të temperaturave të larta mbi jetën, prodhimin dhe riprodhimin e gjedhit. Ndaj, ju rekomandojmë të siguroni sa më shumë hijezim, pasi kjo mund të zbusë ndikimin e rrezatimit diellor në një masë prej 50%. Hijezimi është shumë i rëndësishëm për të gjithë tufën, por në veçanti për kafshët shumë të reja ose të vjetra dhe kafshët që janë në gjendje të rënduar shëndetësore ose të sëmura.

Cilat janë disa nga alternativat për hijezime?

  • Hijezues duke përdorur materiale të tilla si rrjeta për hijezim, hekur të valëzuar ose lëndë druri. Përdorimi i aluminit ose çelikut të galvanizuar krijojnë mbulesa ideale për hijezim, pasi ato janë materiale shumë të mira që bëjnë reflektimin e rrezeve të diellit.
  • Pemë me kurora të mëdha mund të mbillen si breza hijezues në sipërfaqen përreth stallës apo padokut, kjo pasi pemët kanë një efekt ftohës ku gjethet luajnë rol në thithjen e nxehtësisë.
  • Padokë të krijuar në mënyrë natyrale në zona të freskëta, gryka, lugina, etj.
  • Breza hijezues duke krijuar gardhe të trasha pemësh, që mund të ofrojnë mbrojtje të mirë nga dielli. Gardhe të tillë duhet të rrallohen në mënyrë të njëtrajtshme për të lejuar depërtimin e erës dhe të mbillen në drejtimin lindje-perëndim për të siguruar hije gjatë pjesës më të nxehtë të ditës.

Bëni kujdes! Nëse hapësira e hijezuar nuk është e mjaftueshme për të gjithë tufën, ekziston rreziku që kafshët të grumbullohen apo përqendrohen sëbashku nën strehën e hijezuar duke rezultuar në ngjeshjen e njëra-tjetrës. Ndaj, është e rëndësishme që hijezimin ta siguroni për të gjithë kafshët në të njëjtën kohë. Rekomandohet që hijezimi të përfshijë hapësirë të mjaftueshme për të gjitha kafshët që ato të mund të shtrihen, duke qenë se shtrirja ndihmon në freskinë e tyre.

Trajtimi i kafshëve në mot të nxehtë

Rekomandohet të mos i trajtoni kafshët kur temperaturat janë shumë të larta përveç rasteve kur është absolutisht e nevojshme. Nëse është e nevojshme, sigurohuni që trajtimi i tyre të bëhet sa më herët në mëngjes ose vonë gjatë ditës kur temperaturat janë më të ulëta.

Lëvizja ose trajtimi i kafshëve në një mot të nxehtë mund të rrisë temperaturën e trupit të tyre me 0,5 deri në 3,5°C. Rritja e temperaturës së trupit ose stresi i shkaktuar nga nxehtësia do të shkaktojë humbje prodhimi dhe do të ndikojë në aftësinë e tyre për të kryer funksionet normale.

Lëvizja e kafshëve gjatë orëve më të freskëta mund të ulë ndikimin e temperaturave të larta në performancën e prodhimit. Për shembull, një vonesë në mjelje me një orë ose më shumë në mbrëmje mund të rezultojë në një rritje të prodhimit deri në 1.5 litra për lopë në ditë.

Transporti i kafshëve gjatë vapës

Transporti i kafshëve duhet të planifikohet në mënyrë që të shmangen ekstremet klimatike që mund të rrezikojnë mirëqenien e kafshëve. Nëse transporti është absolutisht i nevojshëm, plani i udhëtimit duhet të minimizojë efektet e motit të nxehtë mbi kafshët. Ndaj, përpara se të bëni transportin, paracaktoni rrugën nga do të transportohen kafshët dhe nëse distanca është e largët identifikoni vendet e hijezuara dhe me prani të ujit. Kohëzgjatja e ndalesave duhet të mbahet në minimum për të shmangur rritjen e nivelit të nxehtësisë gjatë kohës që automjeti është i palëvizshëm. Gjithashtu, ju rekomandojmë që kafshët ti transportoni vetëm gjatë orëve të freskëta të ditës si dhe të reduktoni dendësinë e tufës në 85% të kapacitetit për të siguruar lëvizje të mirë të ajrit ndërmjet kafshëve.

Data e publikimit: 30/06/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

PYETJET MË TË SHPESHTA NË FUSHËN E BLEGTORISË - II

Duke ndarë me ju një përmbledhëse të tillë të situatave që hasin fermerë të ndyshëm me tufat e tyre, ju mund ti paraprini ngjarjeve në fermën tuaj dhe të jeni të përgatitur për t'i përballuar ato në kohë.

Lexo më shumë

PËRFITIMI NGA SHËNDETËSIMI I TUFËS

Indeksi i Përfitimit nga Shëndetësimi i Tufës (PShT) është nga indekset më gjithëpërfshirës dhe me tregues ekonomikë të matshëm, kjo pasi përfitimi ekonomik i nje ferme vjen vetëm nga një tufë e shëndetshme.

Lexo më shumë

VLERA E NJË TUFE TË SHËNDETSHME

Ne të gjithë duam të kemi një tufë të shëndetshme, por a keni menduar ndonjëherë, se cila është vlera e vërtetë e një tufe të shëndetshme?

Lexo më shumë

PËRSE NDRIÇIMI ËSHTË I RËNDËSISHËM PËR KAFSHËT E PRODHIMIT?

Ndjeshmëria dhe reagimi ndaj ndriçimit ndodh kudo dhe ka ndikim mbi çdo specie, ndërsa në botën e kafshëve kjo ndjeshmëri është më e theksuar në gjedhë, të imta dhe një-thundrakë.

Lexo më shumë