NDËRTIMET NË FERMAT BLEGTORALE – STANDARDET MINIMALE KOMBËTARE




Jo rrallë jemi mësuar të dëgjojmë fjalët “burgu i bagëtive” për vend-strehimet e kafshëve, gjë që përfaqëson një mentalitet e histori të lidhur me strehimin, por që gjithnjë e më shumë po tentohet të lihet pas. Pra, fermeri po ndërgjegjësohet mbi rëndësinë që ka strehimi ku stallat duhet ti përgjigjen disa kushteve e standardeve që sjellin mbi të gjitha mirëqenien e kafshëve, kushte optimale pune si dhe kanë ndikim të ndjeshëm në prodhim, riprodhim, shëndetin e tufës dhe të ardhurat e fermës.

Cilat janë disa nga kërkesat dhe standardet që duhen plotësuar për ndërtimin e strehimeve të përshtatshme?

Aspektet ligjore

Ndërtimi i vend-strehimeve të reja si dhe ndryshimet në ndërtesat ekzistuese, bëhen duke siguruar së pari çertifikatën e pronësisë si dhe lejen e ndërtimit. Mbani parasysh se rregullorja aktuale për ndërtimet në shërbim të blegtorisë bazohet në Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 283, datë 01.04.2015 “Për përcaktimin e tipave, rregullave, kritereve dhe procedurave për ndërtimin e objekteve për prodhimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, në tokë bujqësore”. Ky vendim ka pësuar disa ndryshime me VKM nr. 592, datë 01.07.2015; nr. 956, datë 25.11.2015; nr. 734, datë 20.10.2016, dhe nr. 373, datë 05.06.2024. 

Në kuptimin e VKM nr. 373, datë 05.06.2024, objektet për prodhimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale që ndërtohen në tokë bujqësore janë:

  • Stallat për mbarështimin e kafshëve dhe objektet ndihmëse funksionale, të cilat përfshijnë, por nuk kufizohen në depo silazhi, hangar, silos, ambiente për përpunimin e ushqimeve, sallë mjelje, padoqe, plehrishte, depozita uji, etj. 
  • Objektet për grumbullimin dhe ruajtjen e produkteve bujqësore dhe blegtorale, si dhe tregtimin e tyre
  • Objekte për përpunimin e produkteve primare, bujqësore dhe blegtorale
  • Thertoret

Çfarë përcaktohet në këtë VKM si rregulla dhe kritere të veçanta?
1.         Ndërtimet e objekteve duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:

  1. Vëllimi maksimal i objektit të mos tejkalojë intensitetin e ndërtimit 3m3/m2
  2. Të zhvillohet në një kat të vetëm dhe të respektohet lartësia maksimale 5.5 (pesë pike pesë) metra, me përjashtim të oxhakëve, siloseve dhe strukturave që tejkalojnë këtë lartësi për shkak të karakteristikave teknike
  3. Të respektohet distanca minimale 5 metër nga kufijtë e pronës
  4. Të realizohen sipas tipologjive të përshtatshme për funksionin që do të kryejnë dhe që nuk ndryshojnë destinacionin e përdorimit.

2. Ndërtimet e reja të stallave lejohen me kusht që të garantojnë menaxhimin e jashtëqitjeve shtazore, me filtrim paraprak.

3. Për ndërtimin e stallave që mbarështojnë mbi 50 njësi gjedhi, duhet të plotësohen kriteret si mëposhtë:

  • Të respektohen distancat minimale:
  1. 15 (pesëmbëdhjetë) metra nga kufijtë e pronës;
  2. 400 metër nga qendrat e banuara
  3. 50 metër nga banesa më e afërt, e veçuar nga qendra urbane.

Të zhvillohen në një kat të vetëm, me lartësi të ndryshme në bazë të karakteristikave të veçanta teknike dhe lartësi maksimale 6.0 (gjashtë) metra në ulluk dhe jo më shumë se 12 (dymbëdhjetë) metra në kulm.

Vëllimi maksimal i objektit të mos tejkalojë intensitetin e ndërtimit prej 4 m³/m²

Bëjnë përjashtim stallat që ndërtohen me lartësi deri në 4 (katër) metra në ulluk, 6 (gjashtë) metra në kulm ose 4.5 (katër pikë pesë) metra, kur çatia është e drejtë, distanca nga prona kufitare është jo më pak se 7 (shtatë) metra. Në këto raste vëllimi maksimal është 3m3/m2.

4. Për stallat që mbarështojnë 10-50 njësi gjedhi mbi bazë ditore distanca minimale nga kufijtë e pronës janë 10 metër, ndërsa karakteristikat e tjera janë të njëjta me ato të përcaktuara në pikën 3. 

5. Për stallat që mbarështojnë 5-10 njësi gjedhi mbi bazë ditore distancat minimale nga kufijtë e pronës janë 5 metër, ndërsa nga banesa më e afërt 50 metër. Karakteristikat e tjera janë si më poshtë:

  • Të zhvillohen në një kat të vetëm, me lartësi të ndryshme në bazë të karakteristikave të veçanta teknike dhe lartësi maksimale 6.0 (gjashtë) metra në ulluk dhe jo më shumë se 12 (dymbëdhjetë) metra në kulm;
  • Vëllimi maksimal i objektit të mos tejkalojë intensitetin e ndërtimit prej 4 m³/m².

Strukturat për grumbullimin e jashtëqitjeve me origjinë shtazore duhet të vendosen në distancë jo më të vogël se 50 metër nga banesat për stallat me 5-10 njësi gjedhi dhe 100 metër për stallat më të mëdha. 

6. Lidhur me ndërtimet e objekteve për grumbullimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, duhet të plotësohen kushtet e mëposhtme:

  • Të respektohen distancat minimale prej 5 (pesë) metra nga kufijtë e pronës dhe distancat nga ndërtimet e tjera pa cënuar funksionalitetin e tyre

7. Në rastin e ndërtimeve të objekteve për thertore duhet të plotësohen kushtet:

  • Vëllimi maksimal i objektit të mos tejkalojë intensitetin e ndërtimit prej 4m3/m2.
  • Të respektojë distancat minimale si më poshtë:
  1. 20 metër nga kufijtë e pronës
  2. 500 metër nga qendrat e banuara
  3. 100 metër nga banesa më e afërt, e veçuar nga qendra urbane

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë lidhur me Procedurat për Leje Ndërtimi.

Data e publikimit: 06/03/2025


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale: