Në Fshat Maliq takojmë Bujar dhe Ermal Gjyrasin babë e bir, banorë të fshatit të angazhuar në blegtori.
Në sistemin e kaluar, Bujari ka punuar në sektorin e blegtorisë në zonë dhe pas viteve ’90 vazhdoi po në këtë sektor me rreth 3-4 lopë bashkë me vëllain.
Ermali emigron në Greqi ku punon për shumë vite në ndërtim dhe vendos të kthehet të punojë në fshatin e tij ku merrej fillimisht me patate.
“Patatja kishte vështirësitë e veta me tregun, - thotë Ermali, - kështu që fillova të shikoj edhe mundësi të tjera. Babai këmbënguli për stallë me lopë, prej eksperiencës dhe pasionit dhe unë u binda. Prej muajit maj të këtij viti kemi këtë stallë me rreth 20 krerë dhe pretendojmë që të arrijmë së shpejti në 20 lopë qumështi. Stallën e ndërtova me lekët e mija ndërsa përdora kredinë nga FED invest për blerjen e bagëtive. Me të qeshur Ermali na thotë se punojmë si familje, babai unë dhe djali i vogël”.

Ndërkohë që flisnim, i vogli i Ermalit, rreth 6-7 vjeç i sillej rrotull gjyshit duke e pyetur se sa vajti ora. Bujari na shpjegoi se pyeste për shkak se pasdite i nxirrnin lopët në kullotë në lëndinë dhe ai donte që ti hapte portat dhe ta nxirrte tufën jashtë.
Pasioni i tij për bagëtitë kishte bindur Ermalin që të investonte në këtë fushë dhe i ishte injektuar edhe më të voglit të shtëpisë.
Ndahemi me këta njerëz fjalëpak dhe punëshumë duke i uruar mbarësi në këtë ndërmarrje dhe duke i premtuar që do ti vizitojmë sërisht në shtator me eksperten e qendrës ABA për të diskutuar mbi racionin ushqimor, ndërthurjen e tufës me lopë për qumësht dhe lopë për mish, higjienën, ndriçimin dhe çdo detaj tjetër i nevojshëm për mbarëvajtjen e kësaj ndërmarrjeje.
Shpërndaj në rrjetet sociale: