PYETJET MË TË SHPESHTA NË FUSHËN E BLEGTORISË – III




Në vijim të dy artikujve të parë përmbledhës “Pyetjet më të shpeshta” që janë adresuar në rubrikën “Pyet Ekspertin” të platformës ABA online, në këtë artikull do të pasqyrojmë një përmbledhje të pyetjeve dhe përgjigjeve që i përkasin periudhës së gjashtë mujorit të parë të vitit 2024. Qëllimi i këtij artikulli si dhe çdo artikulli tjetër i kësaj natyre është pasqyrimi i një përmbledhjeje të problemeve që hasin fermerë të ndryshëm me kafshët e fermës së tyre me qëllim që ti paraprihet ngjarjeve të ngjashme në ferma dhe fermerët të jenë të përgatitur për ti përballuar ato në kohë. 

Për të ofruar një përgjigje sa më të qartë për pyetjet tuaja adresuar në rubrikën “Pyet ekspertin” të ABA Online, ju lutemi mbani parasysh:

  • Pyetjet të jenë sa më të qarta.
  • Të përshkruhet në detaje situata që keni me kafshët e fermës suaj.
  • Mundësisht dërgoni foto ose video të problemit që shfaqet në fermë.
  • Pyetjet nuk kanë kufizime; ju mund të pyesni lidhur me çështje që kanë të bëjnë me teknologjitë e mbarështimit, sëmundjet, të ushqyerit, riprodhimin, higjenën, etj. Gjithashtu pyetjet tuaja mund të jenë të lidhura si me porduktet në fushën e mbarështimit të blegtorisë ashtu edhe shërbimet e ofruara në këtë fushë. 

 

  • Pyetje: Dua të pyes se çfarë eshtë ethja e qumshtit?

Përgjigje: Ethja e qumështit, ose siç njihet edhe damllaja e qumështit është gjendje e rënduar e lopëve në momentin menjëherë pas pjelljes. Vjen si rezultat i të ushqyerit të njëanshëm veçanërisht në periudhën e tharjes. Si rezultat, lopa fillon të shfrytëzojë rezervat e kalçiumit nga trupi i saj për të mundësuar prodhimin pas pjelljes. Në mungesë të rezervave të kalçiumit ajo është e pa fuqishme të qëndrojë mbi gjymtyrët, dhe kalon në gjendje të rënduar. Mënyra më e mirë e parandalimit është sigurimi i ushqimit të balancuar.

Ju mund të shfrytëzoni platformën ABA Online për më shumë informacion lidhur me ethen e qumështit dhe mënyrat e parandalimit të saj. 

  • Pyetje: Ju lutem më tregoni me çfarë ta mjekoj një dhi. Eshtë barrëse dhe mu rrëzua e nuk ngrihet në këmbë. Temperaturën ja mata dhe e kishte 38°C, por rënkonte.

Në vijim të komunikimit fermeri është pyetur se sa muajshe është barrëse dhija, dhe a është në gjendje të hajë dhe të pijë?

Në përgjigje fermeri bën me dije se dhija është dy muaj barrëse, për të ngrënë është në gjendje të hajë si dhe të pijë ujë. Vetëm nuk mund të ngrihet në këmbë.

Përgjigje: Duhet të kontrolloni me kujdes trupin duke prekur gjymtyrët e përparme dhe të pasme. Prekja duhet të jetë e ngadaltë dhe e lehtë pa ushtruar presion, për të dalluar dy gjëra: 

  • nëse ka ndonjë pjesë të gjymtyrëve më të ngrohtë, si dhe 
  • nëse dhija reagon nga prekja, pra ka dhimbje. 

Nëse keni një pjesë të trupit më të ngrohtë ose nëse dhija reagon ndaj prekjes, kjo nënkupton se ajo pjesë është dëmtuar, pra mund të ketë maisje, ose frakturë që trajtohen sipas rastit. Të kontrolloni gjithashtu frymëmarrjen duke numëruar sa frymëmarrje kryhen. Kjo bëhet duke vendosur dorën në pjesën anësore të trupit ku ndihet frymëmarrja. Normalisht dhija duhet të ketë mbi 12 frymëmarrje në minutë, por jo më shumë se 24 frymëmarrje. Në rast të një frymëmarrje të shtuar, duhet të adresoheni tek mjeku veterinar për ekzaminime të mëtejshme. 

  • Pyetje: Dua të informohem për këtë lloj dhije, çfarë rrace është?

Përgjigje. Nga foto duket rraca Spanjolle Murciana Granadina. Është rracë qumështi, kryesisht e përshtatshme në zona të nxehta dhe të thata, duke u bërë një nga rracat më prodhuese të Mesdheut që shfaq përshtatshmëri ndaj sfidave të një klime të nxehtë dhe të thatë. Kjo rracë vlerësohet për një prodhim efiçent të qumështit si dhe rezistencë ndaj stresit dhe sëmundjeve. Ka gjymtyrë të forta, të përshtatshme për terrene të ashpra. Gjinjtë janë të mirë zhvilluar, nga ku përgjatë laktacionit 7 mujor prodhohen rreth 500 litra qumësht, pra mesatarisht 2.0-2.4 litër qumësht në ditë. Qumështi i rracës Murciana ka një përmbajtje të pasur me rreth 5.6% yndyrë dhe 3.6% proteinë, duke i rritur kështu cilësitë për prodhimin e djathit. 

  • Pyetje: A mund të kem një racion ushqimor për dhitë e qumështit?

Përgjigje: Lidhur me racionin ushqimor të dhive të qumështit duhet mbajtur parasysh:

Bari i thatë. Gjatë laktacionit, pra fazës së prodhimit të qumështit duhet të jetë bar jonxhe cilësor me nivel të lartë proteine. Duke qenë se dhitë janë shumë të ndjeshme veçanërisht ndaj myqeve, duhet bërë kujdes që të shmanget përdorimi i ushqimeve që kanë rezikun të krijojnë myqe sikurse është silazhi i misrit, silazhi i njomishteve. Gjithashtu dhitë janë të ndjeshme dhe ndaj listerias, ndaj duhet të bëhet kujdes që të mos ju ofrohen foragjere të fermentuara.

DrithratDhitë preferojnë drithra të bluara trashë, ose të pa bluar fare. Edhe në këtë rast duhet të shmangni nga përdorimi drithrat e mykura. Nuk duhet të ofrohen ushqime direkt në tokë, por në grazhde të ngritura nga toka.  

Ju rekomandohet përgjithësisht deri në 2 kg bar i thatë për krerë në ditë dhe rreth 350 gram koncentratë për krerë në ditë (ku rreth 60% e koncentratës duhet të jetë misër). Kujdes, nëse do të përdorni sasi më të mëdha të koncentratës, kjo mund të shkaktojë probleme me acidozat (thartimet) që reflektohen edhe në pjesën mbi thundra duke sjellë shenja përskuqje.  

Për të plotësuar nevojat për shtesa minerale dhe vitaminike, duhen të siguroni blloqe minerale të formuluara enkas për dhitë.  

Gjithashtu dhive duhet ti ofroni mundësinë për të pirë ujë në mënyrë të vazhdueshme sa herë që kanë nevojë, por kujdes temperatura e ujit nuk duhet të jetë nën 5 gradë pasi kjo ul prodhimin e qumështit. 

Mbani parasysh se racioni i rekomanduar është orientues në varësi të rracës, prodhimtarisë, peshës trupore, si dhe kondicionit trupor të dhive. 

  • Pyetje: Jam një fermer nga Kosova. Kam një tufë shumë të mirë me dhi Alpine, por dy prej dhive janë shumë sëmurë. Kanë disa ditë kështu dhe kam frikë mos më ngordhin. Kanë skuqje në gji.

Përgjigje: Për t’ju ofruar përgjigjen e duhur, duhet të mbani parasysh këto pyetje: 

A janë dhitë në laktacion? 

Sa kohë kanë që kanë pjellë?

Nëse janë në laktacion, vëzhgoni nëse qumështi ka përzjerje me copa gjaku, si dhe nëse qumështi del me copëza, apo si pelte? 

A është gjiri i dhive i ngrohtë dhe i forcuar? 

A lejon dhija ti preket gjiri, apo shfaq shenja dhimbje? 

Nëse kemi shenjat e lart përmendura, atëherë kemi të bëjmë me mastit. Sidoqoftë ju rekomandojmë se duhet të bëni kujdes të dezinfektoni gjirin, të ndani ose shkëpusni dhitë e prekura nga tufa dhe ti milni ato në fund mbasi keni përfunduar mjelen e tufës. Mos lejoni kecat të pijnë direkt nga gjiri i nënave të tyre. Gjithashtu ju rekomandojmë të ndani më vete enët e mjeljes. Ju rekomandojmë të bëni një test CMT nga veterineri për tu siguruar që situate është shkaktuar nga mastiti.

  • Pyetje: Kam një lopë së cilës i del mitra,  por ja kemi vënë në vend. Lopa tani është barrëse, a ka rrezik ti dalë përsëri mitra? Zakonisht kur është ulur dhe kur ngrihet i del. 

Përgjigje: Dalja e mitrës ose prolapsi tek lopët është problem shumë specifik që ndodh zakonisht në ditën e parë ose ditët e para pas pjelljes. Është një çështje e rëndësishme veterinare dhe përbën emergjencë pasi përfshin dëmtim të arterieve brenda mitrës duke shkaktuar edhe gjakderdhje (hemorragji). Ndodh kryesisht në lopët që kanë probleme me të ushqyerit, lopët me nivele të ulta të kalciumit në gjak, ose lopët që kanë kondicion trupor të dobët. Ndodh nga mbajtja e placentës  sikurse dhe nga një lidhje e dobët e mitrës në zgavrën e barkut. Dalja e mitrës mund të jetë edhe e trashëgueshme, ndaj bëni kujdes, është mirë të mos ruani pasardhëse femra nga lopa e predispozuar për dalje të mitrës. Gjithashtu, ju rekomandojmë që lopët me predispozitë për daljen e mitrës duhen inseminuar me material biologjik nga dema që sigurojnë pasardhës të vegjël dhe që kanë lehtësi në pjellje.  Për të shmangur daljen e mitrës ju rekomandojmë gjithashtu të bëni kujdes me menaxhimin e duhur të lopës gjatë periudhës së tharjes. 

Nëse mitra nuk qëndron jashtë për kohë të gjatë dhe mbahet e pastërt dhe e pa dëmtuar, lopa përgjithësisht rimëkëmbet. Në këtë rast lopa do të barrësohet përsëri dhe nuk do të ketë probleme me pjelljen e rradhës. 

Shumica e lopëve e përballojnë në mënyrë të suksesshme daljen e mitrës veçanërisht nëse veterineri ndërhyn sa më shpejt me qëllim që të ulë stresin e lopës, infektimin e saj, dhe të ndihmojë në mbijetesën e lopës. 

Ju rekomandojmë të konsultoheni gjithashtu me veterinerin e zonës ose farmacinë veterinare mbi përdorimin e medikamenteve për prolapsin. Si të tilla mund të përdoren për shembull oxytetracycline, ose trimethoprim sulpha. 

Gjithashtu, veterineri mund të përdori ndërhyrje kirurgjikale duke e vendosur mitrën në pozicionin e duhur dhe duke e bashkuar me ligamentet mbështetëse. 

  • Pyetje: Jam i interesuar për përmirësimin e racës së lopës. A është e mundur të inseminohet artificialisht një lopë e rracës vendase me peshë rreth 350 kg me një rracë të përshtatëshme. Ndodhem në një habitat alpin, pikërisht në Tropojë.  

Përgjigje: Në zonën që pershkruani ju si dhe madhësinë trupore të lopës do t’ju rekomandonim inseminimin artificial me rraca të përshtatshme qumashti si Taranteze, Xhers, Bruna Alpina.

  • Pyetje: Kam këtë sëmundje siç tregohet në foto tek dhitë. Çfarë është dhe cfarë mund të bëj? 

Përgjigje: Maisja ose ektima kontigjoze (ektima ngjitëse) shkaktohet nga virusi parapoxvirus. Është shumë ngjitëse dhe mund të qëndrojë në mjediset e fermës për një periudhë kohore të gjatë, duke përbërë një rrezik të madh për fermën tuaj. Dhitë mund të infektohen përmes kontaktit me kafshët e infektuara, kontaktit me objekte apo lezionet. Shanjat e para të sëmundjes janë shfaqja e flluskave në buzë, në mishrat e dhëmbëve dhe në gjuhë, të cilat me kalimin e kohës shndërrohen në dregëza. Ka raste që përhapet edhe në veshe, hundë, dhe tek gjiri i dhive. Lezionet zakonisht shkaktojnë dhimbje dhe pa rehati veçanërisht kur dhitë e prekura hajnë ushqim apo pijnë ujë. Duke mos marrë ushqimin e duhur, dhitë me avancimin e sëmundjes fillojnë dhe dobësohen. Në këtë rast për dhitë e rritura duhet t’ja lehtësoni të ngrënët e tyre duke ofruar ushqim të zbutur, ndërsa për kecat duhet për një farë periudhe ti ushqeni me anë të beberonit.  

Bëni kujdes që kullotat ti kontrolloni dhe pastroni nga objektet që mund të shkaktojnë plagë (per shembull tela, xhama) dhe kthehen në burime infeksioni. Gjithashtu duhet të dezinfektoni mjediset e fermës si për shembull grazhdet, vend pirjet e ujit, mjetet dhe paisjet që përdorni në fermë.

Kafshët e prekura duhet ti izoloni më vehte me qëllim që infeksioni të mos përhapet nga kafshët e infektuara në ato të pa prekura. Kur të prekni një kafshë të infektuar, duhet të lani duart mirë me qëllim që të mos përhapet virusi më tej tek kafshët e tjera. 

Masa më e mirë parandaluese është ajo e vaksinimit, ku vaksina duhet të bëhet nga veterineri i zonës. Vaksinimi është forma më e mirë për mbrojtjen nga infeksioni dhe mundëson mbrojtjen nga ri - infektimi i tufës. Kur një kafshë e kalon situatën e krijuar nga virusi, mbetet imune (e pa prekur) në të gjithë jetën e saj. Ndërsa, lidhur me trajtimin nuk është se ka ndonjë efekt të dukshëm. Sëmundja si të themi do bëjë të veten për rreth 3-4 javë. Ju rekomandojmë të përdorni pomadë antibiotiku me spektër të gjërë veprimi, por edhe pomada ka pak efekt në kontrollin e sëmundjes.

  • Pyetje: Kam 120 kokë dhi. Shumë prej tyre ju është bërë gjiri plagë nga puçrriza. Po lexoja në internet dhe gjeta numrin tuaj për të dërguar pyetje. Çfarë mund të jetë dhe çfar më këshilloni në këtë rast?

Përgjigje: Mund të na dërgoni një foto të gjirit? Po në pjesën e gjuhës ka ndonjë ndryshim?

(Në vijim të komunikimit fermeri ka dërguar foton siç tregohet dhe shpjegon se puçërrizimet janë vetëm në pjesën e gjirit). 

Përgjigje: Nga pamja siç tregohet në foto, këto janë papiloma të gjirit. Papilomat e gjirit janë ngjitëse, kështu që dhitë e prekura duhet ti ndani më vete nga ato të shëndosha. Gjithashtu ju rekomandojmë të lani duart mirë pasi prekni gjinjtë e infektuar. Për trajtim përdoret spry “ivomectrin”, i cili gjendet në farmacitë veterinare. Nëse farmacia veterinare nuk disponon ivomectrin, kërkoni spry për trajtimin e papilomave të gjirit. 

  • Pyetje: Kam një lopë e cila sapo ka pjellë dhe pasi ka bërë viçin është paralizuar. Të dy këmbët mbrapa nuk e mbajnë, nuk rri dot në këmbë, është shtrirë, dhe ka dy ditë që nuk po han fare.

Për sqarim të mëtejshëm fermeri pyetet nëse kjo lopë ka shfaqur të njëjtat shenja edhe në pjellje të mëparëshme. Fermeri sqaron se lopa është hera e parë që shfaq këto shenja paralizimi. 

Përgjigje: Duhet të kërkoni ndihmën e mjekut veterinar. Nëse lopa shfaq dhe shenja të tjera si mbajtja e kokës mënjanë në mënyrë të dukshme, dridhje të muskujve, gjasat janë që lopa të ketë damllanë ose ethen e qumështit. Duhet domosdoshmërisht të kërkoni verifikimin në vend nga veterineri dhe konstatimin e rastit si damlla e qumështit. Në këtë rast mjeku veterinar duhet të ndërhyjë me serum  përmbajtje Vitamin AED3 vitamin B kompleks, fosfor, NaCl me  Dexamethazon 02%   glukoz 40% dhe 250 ml calcium 30 % (Neocal 300) dhe 400 ml calcium 40% (calciject 5). Por edhe një herë të siguroheni që lopa ka shenja të dukshme të damllasë.

Ju duhet nga ana tjetër të bëni kujdes me racionin ushqimor që do të përdorni në vijim për lopën, veçanërisht në periudhën e tharjes. Sidoqoftë për këtë qëllim, pra lidhur me masat që duhen marrë për parandalimin e damllasë së qumështit lexoni artikullin përkatës në platformën ABA Online.   

  • Pyetje: Kam një tufë dhishë dhe shikoj prani të copëzave të gjakut në qumështin e mjelë nga njëra prej tyre. Kam përdorur antibiotik për 6 ditë, por nuk shikoj përmirësim. Çfarë është dhe si e zgjidh këtë problem?

Përgjigje: Lidhur me pyetjen tuaj duhet të mbani parasysh se faktorët mund të jenë të ndryshëm si:

  • Dëmtime të brendshme të enëve të gjakut. Zakonisht këto janë probleme jo shumë të rëndësishme dhe vetë shërohen, por nëse intensiteti i pranisë së copëzave të gjakut vazhdon, nëse ngjyra theksohet nga e kuqe e lehtë në të kuqe të errët dhe shfaq shenja qelbi, duhet ti drejtoheni veterinerit të zonës për diagnostikim më të hollësishëm.
  • Një tjetër shkak mund të jetë Leptospiroza. Në këtë rast qumështi nga thithat del me ngjyrë të kuqe, i trashë dhe përmban si copëza gjaku ashtu edhe copeza qumështi. Dhija shfaq temperaturë, ndodhin aborte, lindje të kecave të ngordhur, sikurse dhe ngordhje para lindjes.
  • Një shkak më i zakonshëm i kësaj situate shkaktohet nga mastiti. Mastiti shfaqet me shenja të dallueshme  nga jashtë si mpiksje e qumështit, gjinj të përskuqur, gjinj të fryrë, gjinj të ngrohtë, si dhe të ndjeshëm kur preken, pasi sado e lehtë që të jetë prekja ajo shkakton dhimbje.  

Shenjat ndërmjet mastitit dhe leptospirozës janë të përafërta, por veterineri i zonës mund ta dallojë ndryshimin. Është shumë e rëndësishme të përcaktohet ekzaktesisht problemi për të bërë edhe mjekimin e duhur.

Do t’ju rekomandonim një analizë të qumështit (qoftë edhe në laborator për humanët) për të vlerësuar shkaktarin e vërtetë të problemit me qëllim që të përdoret edhe mjekimi më specifik, duke qënë se është përdorur antibiotik prej 6 ditësh. 

  • Pyetje: Kam një viç 10 ditësh. Ka që dje në mëngjes nuk pin qumësht te lopa, ose pak fare. Përditë ka pirë, por dje dhe sot jo. Çfarë mund ti bëj? 

Përgjigje: Fillimisht duhet të stimuloni pirjen me biberon. Pra, të mbushni shishe me biberon me qumështin e nënës së vet dhe t’ja ofroni viçit për pirje. Gjithashtu mundohuni ti ofroni për ngrënie dhe shumë pak barë të thatë me cilësi sa më të mirë me qëllim që ti riaktivizohet rumeni. Nëse situata vazhdon, duhet të shkoni në farmaci veterinare për të marrë stimulues për oreksin dhe forcimin e imunitetit.

Data e publikimit: 25/08/2025


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale: