TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË BARBUNJËS NË FUSHË TË HAPUR




Barbunja është bimë me origjinë nga Amerika Qendrore. Në Europë ka ardhur pas zbulimit të Amerikës. Në vendin tonë kjo bimë mbillet në rreth 700 ha dhe me një rendiment mesatar rreth 87 kv/ ha. Kultivohet kryesisht në të gjithë zonën e Ulët dhe Bregdetare, por edhe në zonat Veri-Lindore dhe Jug-Lindore të vendit si: Korcë, Pogradec,Dibër, etj.

Përse barbunja po gjen përhapje në vendin tonë?

Kjo sepse:

  • Ka shije që pëlqehet shumë nga konsumatori.
  • Ka përdorim të shumëllojshëm si ushqim.
  • Kultivimi i kësaj bime si kulturë e parë dhe e dytë, ruajtja në mjedise me temperatura të kontrolluara, e bën këtë bimë mjaft të rëndësishme në stukturën gjithvjetore ushqimore.
  • Vendi ynë ka kushte shumë të përshtatshme klimatiko-tokësore për kultivimin e barbunjës sidomos vendet e ulëta dhe bregdetare.
  • Barbunja ka aftësi të mira prodhuese dhe efektivitet ekonomik, fermeri siguron të ardhura të kënaqshme.
  • Barbunjat duhet të jenë pjesë e regjimit tuaj ushqimor, pasi janë një burim i mirë i vitaminave A, C, dhe K, fibrave etj. Kjo perime e familjes së bishtajoreve është një nga ushqimet më të pasura me antioksidantë dhe flavanoidë.

Më poshtë do të lexoni të gjitha përfitimet shëndetësore të sjella nga përdorimi i barbunjave:

1. Shëndeti i kockave

Niveli i ulët i vitaminës K është i lidhur me një rrezik më të lartë të frakturës së kockave. Marrja e sasisë së duhur të vitaminës K mund të ndihmojë në përmirësimin e shëndetit të kockave duke përmirësuar thithjen e kalciumit dhe uljen e sekretimit urinar të kalciumit. Vetëm 1 gotë me barbunja jeshile siguron 14.4 mikrogramë vitaminë K, ose rreth 20% të kërkesës ditore dhe 4% të nevojës ditore të një individi për kalcium.

2. Parandalimi i shumimit të qelizave të këqija

Bishtajat e gjelbra kanë përmbajtje të lartë antioksidantësh, gjë që ndihmon në luftimin e radikalëve të lira në trup, përgjegjës për shumë sëmundje. Gjithashtu, disa lëndë ushqyese që gjenden me shumicë tek bishtajat kanë fuqinë të veprojnë kundër qelizave kancerogjene. Luteina, një nga llojet e antioksidantëve të njohur si carotenoids, është i pranishëm në sasi të mëdha tek kjo perime. Individët që konsumojnë sasi të larta të luteinës kanë një rrezik më të ulët të kancerit të zorrës së trashë, gjirit, mushkërive dhe qafës së mitrës. Vitamina C, e cila është gjithashtu një vitaminë antikancerogjene përdoret në doza të mëdha, për të trajtuar kancerin. Vetëm 1 kupë me këto bishtaja plotëson mbi një të katërtën e sasisë së rekomanduar ditore për vitaminë C. Gjithashtu, sasia e vitaminës K e gjendur tek bishtajat, siguron mbi gjysmën e sasisë së rekomanduar për këtë vitaminë në ditë.

3.Diabeti

Bishtajat jeshile kanë treguar se ndihmojnë në lehtësimin e simptomave të diabetit. Disa studime kanë raportuar një ndikim hipoglikemik tek pacientët me diabet. Rregullatorët natyralë të diabetit nuk janë të zakonshëm, prandaj lidhja e mashurkave me parandalimin e hershëm të diabetit është një lajm i mirë.

4. Shëndeti i syve

Disa karotenoide specifike që janë të pranishme në këto bishtaja mund të ndihmojnë në parandalimin e degjenerimit makular, që është një rënie në funksionin dhe shikimin e syve. Zeaxanthin dhe lutein luajnë një rol të rëndësishëm në parandalimin e çdo problemi me sytë.

5. Sëmundjet e zemrës

Bishtajat mund të ndihmojnë në reduktimin e rrezikut të sëmundjeve të zemrës për shkak të niveleve të larta të flavonoideve, antioksidantë polifenikë që më së shpeshti gjenden në perimet dhe frutat. Kjo perime përmban nivele të larta të flavonoideve me veti të fuqishme anti-inflamatore dhe parandalon mpiksjen e gjakut në venat dhe arteriet.

Cilat janë kërkesat e barbunjës për klimën, tokën dhe parabimën?

Barbunja, si bimë me origjinë nga zonat e ngrohta, dallohet për kërkesa për temperatura të larta.

  • Temperatura biologjike (ose aktive) është 10°C;
  • Temperatura maksimale biologjike është 32-35°C;
  • Temperatura optimale e rritjes së bimës është 20-25°C;
  • Temperatura minimale e mbirjes së farës është 10°C.
  • Temperatura optimale e mbirjes është 20-30°C;
  • Temperatura optimale e lulëzimit është 20°C;

REKOMANDIM!

FERMERI QË VENDOS TË MBJELLË BARBUNJË, DUHET TË KETË PARASYSH KËTA VEÇORI TË SAJ:

Temperatura optimale e tokës është 15-20°C, ndërsa ato nën dhe mbi janë frenuese për zhvillimin e kësaj bime për përvetësimin e lëndëve ushqyese dhe ujit nga sistemi rrënjor.

Temperatura nën 15°C dhe mbi 25°C, ndikojnë jo për mirë në sasinë dhe cilësinë e bishtajave.

Si reagon barbunja ndaj ujit? 

Kërkesat më të mëdha për ujë janë nga lulëzimi deri në lidhjen masive të bishtajave.

Tepricat e ujit janë të dëmshme në të gjitha fazat e zhvillimit të bimëve.

Në cilat toka shkon më mirë barbunja?

Barbunja parapëlqen toka të thella, argjilo-lymore, të kulluara e të ajrosura mirë me ph 6-7.4

Tokat ranore japin prodhim më të hershëm, por me cilësi më të ulët se ato argjilore.

Cilët nga parabimët i përshtaten më shumë barbunjës? 

Ndaj qarkullimit bujqësor, barbunja nuk ka kërkesa të veçanta. Mbillet dhe kultivohet me sukses pas çdo kulture bujqësore.

Duhet të mënjanohet mbjellja pas bimëve të të njëjtës familje (bathë, bizele dhe fasule kokërr). Është mirë që të rikthehet në të njëjtën ngastër, jo më parë se 3-4 vjet.

Si duhet të përgatitet toka për mbjelljen e barbunjës ?

Punimi i tokës

Toka duhet punuar në thellësinë 30-35cm dhe është mirë të kryhet herët, në varësi të parabimës. Merren masa për ta mbajtur tokën në kullim të plotë. Në pranverë, kryhen punime përgatitore gjatë të cilave bëhen trajtime për luftimin e barërave të këqia. 

Meqenëse barbunja dallohet për mbirje delikate, është e domosdoshme të krijohet një shtrat i mirë mbjelljeje. 

Punimet duhet të përfundojnë të paktën 7-10 ditë para mbjelljes

Kanalet kulluese dhe vaditëse

Pas punimit dhe frezimit të sipërfaqes së tokës, është e domosdoshme të përgatitet i gjithë sistemi i kanaleve kulluese dhe vaditëse.

Plehërimi i tokës

Para diskimit ose frezimit të fundit, para mbjelljes së farës, hidhen plehrat e planifikuara për plehërimin bazë;  të gjithë llojet e plehërave organike dhe ato kimike kryesisht fosforike, potasike,1/3 e plehërave azotike, etj.

Është e domosdoshme që plehërimi të bëhet në bazë të analizave kimike të tokës.

Vetëm atëhere bimët mund të plehërohen me kujdes pa e tepruar dhe rrjedhimisht bimët do të rriten dhe do të zhvillohen të shëndetshme.

Sasia dhe raporti i plehërimit të barbunjës

Si përcaktohet sasia e plehërave që duhen përdorur tek barbunja? 

Barbunja është bimë kërkuese ndaj makroelementëve dhe mikroelementëve. Për të prodhuar7-10 kv/dn, nga toka kërkohen: 5-8 kg Azot (N2O)3-5 kg Fosfor (P205)7-10 kg Potas (K2O)4-5 kg Kalcium(CaO); 2-3 kg Magnez(MgO2), etj. Në punimet përgatitore duhet të hidhen plehërat fosforike, potasike dhe të tjerat ndërsa ato azotike rreth 1/3 e tyre. Pjesa tjetër hidhet në prashitje gjatë periudhës bimore.

KUJDES

Barbunja është e ndjeshme ndaj pranisë së tepërt të borit klorurit të natriumit, mungesës së bakrit, molibdenit, manganit dhe mbi të gjitha zinkut, prandaj është me rëndësi për prodhimin e barbunjës plotësimi i nevojave me mikroelementë.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë mbi Varietetet, mbjellja dhe kultivimi i barbunjës. 

Data e publikimit: 12/05/2025


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

VARIETETET, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I BARBUNJËS NË FUSHË TË HAPUR

Cila është struktura varietore e rekomanduar për barbunjën?

Lexo më shumë