Përse duhet përdorur teknika tërhiq e vrit për kontrollin e mizës së ullirit (Atract and Kill)?




Vitet e fundit në mjaft vende që kultivojnë ullirin ka filluar të përdoret një teknikë e re për kontrollin e mizës ullirit duke realizuar kapjet masive të këtij dëmtuesi. Qëllimi i kësaj metode është të eliminojë insektet e rritura të mizës dhe kryesisht femrat duke reduktuar në këtë mënyrë vendosjen e vezëve dhe duke parandaluar  infeksionet

Metoda konsiston në vendosjen në ullishte, të grackave të cilat përmbajnë insecticide. Këto gracka janë të përbëra nga një qese me madhësi 15x20 cm të mbushura me karbonat amoni (ushqyes tërheqës për mizën e ullirit) si dhe të pajisura me një kapsulë e cili përmban ferromon seksual për tërheqjen e dëmtuesit. Mizat e tërhequra në këtë mënyrë bien në kontakt me insekticidin  dhe ngordhin. Në ullinjtë me kurorë jo të madhe  rekomandohet të bëhet vendosja e grackave (Eco-Trap) 1 për çdo 2 pemë duke ulur në mënyrë të ndjeshme edhe koston e përdorimit të tyre. Në pemë ulliri me kurorë të madhe rekomandohet 1 qese Eko-Trap/pemë. 

  • Kjo metodë kontrolli  është e përshtatshme për ruajtjen e  mjedisit dhe rekomandohet të përdoret kryesisht në ullishtet, të cilat do të drejtohen nga bujqësia biologjike
  • Dinamika e popullatës së mizës së ullirit dhe agresiviteti i saj është në korelacion të ngushtë me faktorët: klimatike; temperaturë; lagështi. 

Kështu që gjatë muajit qershor dhe korrik në kushtet e vendit tonë temperaturat janë të larta dhe ndikojnë në frenimin e dinamikës së dëmtuesit. Temperaturat më të larta se 32°C shkaktojnë një mortalitet të konsiderueshëm të larvave, një ndërprerje të aktivitetit riprodhues të insekteve të rritura si dhe zhvillimit të vezës. 

Vëmendje të veçantë duhet ti kushtohet duke filluar që nga ditët e para të muajit gusht e në vazhdimësi.

Kur dhe si duhet të instalohen grackat ekologjike (kurthet Eco-Trap)?

  • Qeset Eco-Trap duhet të vendosen në mesin e kurorës  së ullirit në një lartësi rreth 2 metra. Është mirë që ato të vendosen  në hije, në anën jug - perendimore të ullirit duke evituar rënien direkt të rrezeve të diellit. 
  • Kurthet nuk duhet të jenë në kontakt me degëzat, gjethet ose frutat e ullirit.

Me qëllim që të realizohet një shpërndarje optimale e substancave tërheqëse, në fazën e instalimit të kurtheve në fushë, është e nevojshme që me anë të një teli ose gjilpëre të bëhet një vrimë e vogël me diametër 1mm  në kapsulën me ferromon (pa e shpuar kapsulën në të dy anët). Dy vrima hapen gjithashtu në pjesën e sipërme të qeskave të mbushura me kripën e amonit duke i shpuar ato në të dy anët. Në vartësi të kushteve klimatike efekti i Eco-Trap zgjat rreth 2-3 muaj.

Koha më e përshtshme është fundi i gushtit deri në ditët e para të shtatorit.

Kujdes:

  • Të hapen dy vrima në pjesën e sipërme të  qeskës në të dyja anët
  • Mos harroni të shponi me një tel të hollë kapsulën e ferrominit në njërën anë.

Ndërhyrjet suplimentare në ullishte

  • Të aplikohen vjeljet e hershme për të shmangur nga infeksionet e vona të mizës së ullirit.
  • Të përpunohen ullinjtë brenda një periudhe sa më të shkurtër pas vjeljes.
  • Preferohet mbajtja e ullishtes me bimë bashkëshoqëruese mes rreshtave për të favorizuar biocenozën e insekteve të dobishëm.
  • Të elimininohen të gjitha praktikat agronomike të cilat shkaktojnë çrregullime lidhur me ujin, plehrimet e tepërta azotike si dhe krasitjet jo të rregullta.                                                        

Data e publikimit: 23/10/2021


Lini një koment


Komente të mëparshme
A eshte e kushtueshme kjo teknike?

-Rita

Teknike shume e mire.

-Redion


Shpërndaj në rrjetet sociale:

Teknologjia e kultivimit të rrushit të tavolinës në serra

Cilat janë disa nga përparësitë e kultivimit të rrushit në serra?

Lexo më shumë

Skemat plehëruese të shalqirit

Që fidanët tuaj të rriten shëndetshëm dhe mundësia që ato të infektohen, duhet një ambjent i pastër.

Lexo më shumë

PASURIMI I TOKËS ME ELEMENTË USHQYES (PLEHËRIMI I HARDHISË)

Si përcaktohet sasia e plehrave që ne do të përdorim në plehërimin e hardhisë?

Lexo më shumë

RIPARIMI I SISTEMIT TË MBËSHTETJES, LIDHJA, LARGIMI I PJESËVE TË PRERA DHE SPËRKATJA DIMËRORE TEK HARDHIA

Si duhet vepruar?

Lexo më shumë