CILAT JANË SIMPTOMAT DHE METODAT E KONTROLLIT TË DËMTUESIT?




Simptomat e vërejtura mbi Phoenix canariensis, fillimisht janë mbi gjethet apikale: e parë nga larg palma tregon një asimetri e cila fillon nga maja, më vonë pjesa e majës së palmës përkulet, duke u vyshkur dhe palma merr formën e një çadre të hapur. 

Nga afër pjesa apikale paraqitet fuqimisht e dëmtuar dhe në një stad të avancuar të kalbëzimit. 

Më vonë me vazhdimin e aktivitetit ushqyes të larvave, e gjithë kurora duket e dëmtuar rëndë dhe me gjethe të përkulura nga poshtë. Palmat në këtë stad të infeksionit janë të komprometuara në një mënyrë të pariparueshme.

Në tokë mund të gjenden gjethe në bazën e të cilave shikohen galeri ose të ngrënat e provokuara nga larvat e hundëgjatit  si dhe fshikëza me një madhësi 4-5 cm që kanë një pamje si arrë kokosi e vogël si dhe së fundi edhe insekti i rritur.

Metoda e kontrollit

Kontrolli i R. ferrugineus është problematik dhe shumë i vështirë për shkak të faktorëve të shumtë që favorizojnë dëmtuesin. Është e rëndësishme që të kihet parasysh që palma është një pemë monokotiledone që do të thotë rritet vetëm nga një syth i vetëm apikal, nga i cili e kanë origjinën të gjithë gjethet. 

Hundëgjati i kuq i palmës ushqehet me indet e këtij sythi, që po të shkatërrohet njëherë, të dërgon në vyshkjen dhe tharjen e palmës. 

Trajtimet kurative të vona, përveç se janë të padobishme për të zgjidhur problemin e prekjes së bimëve të infektuara, janë edhe me efikasitet të ulët. Metodologjia që duhet përdorur është adoptimi i teknikave të luftës së integruar, e cila përdor kombinimin e metodave të ndryshme të kontrollit, të cilët veprojnë në nivele të ndryshme. 

Studime të shumta shkencore si dhe prova fushore kanë dërguar në formulimin e një përzierje të feromoneve seksual (mesazhe biokimike të prodhuar nga vetë insektet për kërkimin e partnerit) dhe të tërheqësve ushqimorë. Këto substanca aplikohen së bashku me kurthe specifike për kapjen masive  (mass trapping) të individëve të rritur të demtuesit dhe lejojnë që të bëhet edhe një monitorim i popullatës.

Një rëndësi thelbësore së bashku me kurthet, ka sidomos ekzaminimi i palmës me qëllim që të bëhet një diagnozë e hershme, po ashtu masat preventive të cilët konsistojnë në eliminimin e mundshëm të vendeve të riprodhimit të dëmtuesit, mbajtja e bimëve në kushte të pastërta fitosanitare, kryerja e trajtimeve preventive dhe kurative, vendosja e rregullave të forta karantinore, si dhe edukimi dhe divulgimi për njohjen dhe kontrollin e hundëgjatit të kuq të palmës.

Aplikimi i  masave për një kontroll të detyrueshëm të këtij objekti karantinor që predispozon shkuljen dhe eliminimin me anë të coptëzimit dhe djegies së ekzemplarëve të palmave të infektuara në vende të përcaktuara paraprakisht për këtë qëllim do të ndihmojë fuqimisht në mos përhapjen e këtij dëmtuesi edhe në zonat e tjera.

Përdorimi i kurtheve me feromone për monitorimin e insektëve të rritur, veçanërisht në vendet që janë në kufi me zonat e infektuara, me qëllim që të kapen insektet e rritur të para që mund të futën në një zonë të re.

Krasitja e kujdesshme e gjetheve të vjetra dhe të lulerive të thara, eleminimi i mylleve të gjetheve, mbeturinave organike etj, aktivitete që duhen të bëhen në periudhën dimërore.

Krasitja e gjetheve të gjelbërta duhet bërë gjatë periudhës së dimrit në temperatura më të ulët se 15°C.

Copëzimi dhe groposja ose djegia e mbeturinave bimore të krasitura.

Mbulimi dhe dezinfektimi i plagëve eventuale që janë prezentë ose që mund të shkaktohen gjatë operacioneve të transportit ose krasitjeve me mastice, pastaj insekticide si dhe trajtime me produkte me bazë bakri.

Praktika e vetme e cila ka dhënë rezultate pozitive por, është empirike, është ajo e trajtimit të kurorës me spërkatje me presion të ulët me një përzierje të një insekticidi së bashku me një fungicid-oksiklorur bakri, që përsëritet çdo 15-30 ditë në varësi të kushteve klimatike, duke e zgjatur periudhën e përsëritjes së trajtimit vetëm në periudhat e ftohta të vitit. Me qëllim që të evitohen përdorimi i shkallëve të gjata ose e mjeteve të tjera për të arritur majën e palmës është e këshillueshme të bëhet një strukturë përmanente e përbërë nga një tub i fiksuar në bazën e trungut në një lartësi mbi 1-1,5 m nga toka e cila mbaron me një kokë dushi në pjesën qendrore të kurorës së bimës. Gjatë momentit të trajtimit mjafton të lidhet me tubin pompa spërkatëse dhe të vazhdojë spërkatja direkt në qendër të kurorës. Për çdo palmë duhet llogaritur një sasi solucioni së paku 12-20 litër trajtimi. 

Gjatë trajtimit duhen marrë në konsideratë të gjitha masat mbrojtëse të rekomanduara zakonisht në praktikat e spërkatjeve me produkte të mbrojtjes së bimëve.

Praktika e endoterapisë, me injeksionin direkt të produkteve të mbrojtjes së bimëve në trung megjithëse është më e preferueshme se trajtimet që bëhen në kurorë për motive praktike dhe mjedisore është akoma në nivele eksperimentale si përsa i përket zgjedhjes së produkteve që duhen përdorur ashtu dhe lidhur me dozën e aplikimit.

Trajtimet biologjike duke përdorur nematoda entomopatogjene janë akoma në fazat eksperimentale. Në çdo rast, kosto e lartë e produktit si dhe nevojat e shpeshta të bërjes së trajtimeve gjatë muajit e bëjnë këtë metodë deri tani jo praktike.

Përdorimi i kurtheve me feromone është një praktikë e mirë për kapjen e insekteve para se ato të vendosen në palma. Megjithatë, kjo metodë përdoret në zonat të cilët janë të infektuara gjerësisht, mbasi në zonat “vergjine" insektet mund të mos tërhiqen aq lehtë.

Teknika dendro-kirurgjikale mund të përdoret për të rikuperuar palmat e sapo infektuara, në rastet kur maja vegjetative nuk është dëmtuar akoma. Teknika është përdorur gjerësisht me efikasitet, por duhet nënvizuar që kjo metodë kërkon mbas aplikimit të njëjtat masa mbrojtëse preventive që aplikohen për palmat, të cilët nuk janë prekur ndonjëherë. Teknika e mësipërme është e dobishme kur duhet të shpëtohet një palmë sapo e prekur, por nuk përbën një kurim definitiv.

Në stadin aktual, metoda e vetme e sigurtë për të parandaluar përhapjen e këtij dëmtuesi kaq të rrezikshëm është prerja dhe shkatërrimi i menjëhershëm i palmave të infektuara, para se ato të infektojnë palmat e tjera që janë për rreth si rrjedhojë e daljes së insekteve të rritura. Ky operacion duhet të kryhet brenda ditës për të mos lejuar largimin e insekteve të rritur.

Data e publikimit: 11/09/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

HUNDËGJATI I KUQ I PALMËS RHYNCHOPHORUS FERRUGINEUS, DËMTUES I RREZIKSHËM

Është dëmtues që po shkakton eliminimin e ekzemplarëve të palmave të ndryshme.

Lexo më shumë

SI ËSHTË ECURIA BIOLOGJIKE E DËMTUESIT?

Është llogaritur që në mungesë të faktorëve kufizues, një çift i vetëm i R. ferrugineus mund tu japi jetë, në harkun e katër breznive, rreth 53 milion individëve

Lexo më shumë