MBROJTJA NGA SËMUNDJET, DËMTUESIT DHE VJELJA E PRODHIMIT TEK FTOI




Ftoi preket më pak nga sëmundjet dhe dëmtuesit në krahasim me llojet e tjerë të pemëve farore si molla dhe dardha. 

Cilat janë disa nga sëmundjet kryesore të ftoit? 

Disa nga sëmundjet më të përhapura dhe që prekin më shumë ftoin janë: Djegia bakteriale, kanceri bakterial i pemëve frutore, hiri, kalbëzimi i frutave etj.  

Djegia bakteriale (Ervinia amylovora)

Është  një sëmundje shumë e rrezikshme, që mund të shkatërrojë të gjithë pemishten. Shfaqja e kësaj sëmundje favorizohet nga lagështia e lartë atmosferike, era, shiu dhe temperaturat midis 10 dhe 30 gradë celsius. Pemët e prekura duken sikur janë djegur nga zjarri. Filizat do të vyshken dhe do të marrin një ngjyrë kafe, frutat bëhen të zeza ose njollosen. Në mot të lagësht, në indin e prekur shfaqet eksudati (lëngu) bakterial.

Masat e parandalimit dhe kontrollit

  • Prerja dhe djegia e degëve të prekura;
  • Trajtimet kimike, pas çdo shiu me, Aliette WG 80, Champ DP, Melody Combi WG 65.3.

 

Kanceri i pemëve frutore (Agrobacterium tumefaciens)

Në rrënjët dhe në degë zhvillohen tumoret, në fillim të vogla dhe të buta, dhe pas një kohe ato drunjëzohen. Tumoret kanë madhësi dhe forma të ndryshme. Qelizat që përbëjnë këto tumore janë të mëdha dhe të deformuara. Kjo baktere depërton në pemë përmes plagëve të shkaktuara nga nematodat, breshëri etj. Shfaqja e kësaj sëmundje favorizohet nga temperaturat midis 22 dhe 30 gradë celsius dhe lagështia atmosferike prej 80%.

Masat e parandalimit dhe kontrollit

  • Seleksionimi dhe ndarja e fidanëve të prekur para mbjelljes;
  • Ngritja e pemëtores në toka të përgatitura mirë e të kulluara;
  • Dezinfektimi i gërshërëve dhe mjeteve, gjatë krasitjes, para se të kaloni nga një pemë në tjetrën;
  • Prerja e degëve të prekura deri në zonën e shëndetshme, aplikimi i trajtimeve me lëng bordolez  3% dhe mbulimi i plagëve me pastë bordoleze;
  • Rrënjët e fidanëve, para mbjelljes, trajtohen me tretësirë të lëngut bordolez 1% ose Topas 10 EC me përqendrim 0,025%;
  • Trajtimet në periudhën e vegjetacionit me produkte me bazë  bakër.

Hiri (Myk pluhur prodhuar nga Podosphaera clandestina)

Hiri është një sëmundje kërpudhore i cili fillimisht prek gjethet e lastarëve të rinj. Sëmundja shfaqet fillimisht në formën e disa njollave të bardha. Ato do të shtrihen dhe do të mbulojnë tërë gjethen. Sëmundja do të evoluojë dhe miceli do të bëhet gri në formë  pluhuri. Indet e prekura  rrudhen dhe thahen. Kërpudhat prekin edhe frutat e reja. Këto mbulohen nga një pluhur i bardhë. Frutat plasin dhe kalben.

Masat e parandalimit dhe kontrollit

  • Plehërim i ekuilibruar;
  • Përdorimi i varieteteve rezistente;
  • Lastarët dhe frutat e prekur të digjen;
  • Trajtimet kimike me Thiovit Jet 80 WG, Kumulus WG, Topas 10 EC, Karathane STAR CE.

Kalbëzimi i ftoit (Monilinia linhartiana)

Kjo sëmundje është e dëmshme për ftoin, veçanërisht në rajone dhe vite me shi dhe të ftohtë.

Sëmundja prek gjethet, degët e reja, lulet dhe frutat. Në pranverë, duke filluar nga muaj maj, shfaqet një skuqje në gjethe që fillon nga baza e gjethes dhe shtrihet përgjatë nervaturës drejt majës dhe drejt skajeve të saj. Njollat ​​mund të mbulojnë të gjithë sipërfaqen e gjethes, e cila thahet, nxihet dhe përkulet në majë. Në mot të lagësht, pranë njollave, shfaqet një pluhur me ngjyrë gri të bardhë. 

Frutat e prekura nga sëmundja në fillim janë të buta në prekje, duke treguar për një kalbje të butë të zemrës. Frutat nuk rriten më, mbeten të vogla, mumifikohen dhe bien. Indet e frutave të prekura marrin ngjyrë kafe  dhe kalben.

Masat e parandalimi dhe kontrollit

  • Mbledhja dhe shkatërrimi i frutave të mumifikuar;
  • Heqja e degëve të prekura gjatë krasitjes;
  • Trajtimet kimike me Ziram në fazën e fryrjes së sythave dhe lulëzim. 

Dëmtuesit kryesorë të ftoit

Ndër insektet më të dëmshme mund të përmendim morrat, breshkëzat, krimbat e frutave, merimangat, etj. Këto insekte prekin kryesisht gjethet dhe frutat në të gjithë fazat e zhvillimit. 

Morri i mollës (Aphis pomi)

Është  një specie polifage që sulmon shumë lloje të pemëve frutore. Afidet ose morrat kolonizojnë pjesën e poshtme të gjetheve dhe lastarët e rinj. Pemët e prekura nuk do të rriten, sythat frutorë nuk do të shfaqen, frutat mbeten të vogla dhe rendimenti bie fuqishëm. Gjithashtu, afidet transmetojnë disa sëmundje virusale.

Masat e parandalimit dhe kontrollit:

Trajtimet kimike me preparate me bazë Acetamiprid.

Breshkëza (Quadraspidiotus perniciosus)

Është një specie polifage që prek mbi 200 lloje bimësh. Ka 1-3 breza në vit dhe dimëron si larva në lëvoren e pemëve të prekura. Femrat dhe larvat përhapen në të gjitha organet e bimës përfshirë edhe frytin. Nëse sulmi është i rëndë mburoja që mbron trupin e insekteve mbivendoset duke e mbuluar gjithë pemën (e mbyt pemën). Pemët frenojnë rritjen dhe brenda 2-3 vjetëve ato thahen.

Masat e parandalimit dhe kontrollit:

  • Pastrimi i degëve me një pastrues;
  • Trajtimet kimike, në fazën e rrumbullakosjes së sythave, me preparate me bazë Acetamiprid.

Mola (krimbi i frutave)  (Cydia pomonella)

Është  një specie polifage që prek shumë lloje të pemëve frutore. Larvat prekin frutat. Femrat vendosin vezët e tyre direkt në fruta ose në gjethe afër frutave. Pas çeljes, larvat gërmojnë galeri në frutat e prekura, duke lënë jashtë jashtëqitjet e tyre.

Masat e parandalimit dhe kontrollit:

  • Përdorimi i kurtheve të feromonit për të identifikuar fluturimin e të rriturve;
  • Trajtimet kimike në fazën e fillimit të rritjes së kokrrave me Laser 240 SC, Affirm, etj.

Vjelja e prodhimit tek ftoi

Ftoi hyn në prodhim shpejt. Ai mund të prodhojë që në vitin e dytë të mbjelljes. Viti i hyrjes në prodhim është viti i katërt dhe prodhimi i plotë në vitin e 15 – 16-të nga mbjellja.

Vjelja e frutave të ftoit duhet të bëhet kur ato nuk janë pjekur plotësisht, sepse frutat vazhdojnë të piqen edhe pas vjeljes. Në këtë mënyrë ne do të zvogëlojmë humbjet nga rënia e frutave në tokë. 

Fruti duhet të hiqet nga pema duke përdorur një thikë të mprehtë ose duke e përdredhur frytin rreth bishtit, pasi tërheqja e tyre mund të shkaktojë dëmtim të lëkurës.

Pas vjeljes ato seleksionohen, duke hequr frutat e dëmtuar e të deformuar dhe ambalazhohen në arka plastike ku janë vendosur forma të frutit. 

Frutat mund të ruhen gjatë gjithë dimrit në një temperaturë  -2 deri -5°C.

Data e publikimit: 25/02/2025


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

VJELJA DHE THARJA E AGULIÇES

Cilësia e prodhimit varet kryesisht nga kushtet e tharjes. Në asnjë rast tharja nuk mund të bëhet në dritë të madhe apo në diell.

Lexo më shumë

VJELJA DHE TRAJTIMI PAS VJELJES I ROZMARINËS

Kur është koha e korrjes së rozmarinës?

Lexo më shumë

KORRJA DHE SHIRJA E LULEDIELLIT

Çfarë duhet të bëni me farat e lulediellit pas korrjes?

Lexo më shumë

VJELJA/KORRJA E TRUMZËS

Vjelja bëhet me dorë ose me makineri korrëse e cila e realizon prerjen e bimës në mënyrë që të mos komprometojë cilësinë e saj. Në përgjithësi, vjelja kryhet në lartësinë 5-8 cm mbi sipërfaqen e tokës.

Lexo më shumë