VARIETETET, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I KOPRËS




Cila është struktura varietore e rekomanduar?

Nga kultivarët e koprës, në vendin tonë, më i përhapur është lloji i vendit, i njohur me emërtime të ndryshme, në varësi të zonave të kultivimit, si “I vendit” në zonën e Shqipërisë së Mesme, “I Korçës” në zonën e Shqipërisë Lindore dhe “I Përmetit” në zonën e Shqipërisë Jugore, që formon gjethe të holla, me ngjyrë të gjelbër të errët dhe aromatike.

REKOMANDIM! FERMERI QË VENDOS TË MBJELLË KOPËR, DUHET TË KETË PARASYSH KËTA VEÇORI TË SAJ:

  • Kërkesat ujore të koprës janë të larta, prandaj, është e nevojshme të sigurohen kushte të mira lagështie, gjatë gjithë fazave të rritjes dhe zhvillimit të bimëve. Mungesa e lagështisë në tokë krijon strese të pariparueshme e të dëmshme për prodhimin, kurse teprica e lagëshisë dëmton bimët.
  • Kopra preferon ngastra me ndriçim sa më të mirë nga dielli, pasi prodhimi i vjelë në këto vende është më aromatik. 
  • Kopra mbin ngadalë, për 3-4 javë. Prandaj ka shumë rëndësi që vendi i mbjellë të mbahet i butë e i freskët deri në mbirje të plotë.

Teknologjia e Kultivimit të Koprës

Cilët afate mbjelljeje rekomandohen në fushë?

Kopra mbillet drejtpërdrejt me farë.

Për të patur prodhim gjithëvjetor, ajo mbillet duar-duar. Në varësi të kushteve klimatike të zonës së kultivimit, në fushë dora e parë mbillet nga 1 deri 10 mars, dora e dytë nga 1-10 maj, dora e tretë nga 20-30 qershor, dora e katërt nga 20 korrik deri 5 gusht

Sa duhet të jenë distancat e mbjelljes?

Mbjellja e koprës bëhet në vllaja me shpërndarje të farës ose me rreshta me largësi midis tyre 15-20 cm. Thellësia e mbjelljes 3-5 cm. Llogariten të sigurohen rreth 250-300 bimë/m2. Sasia e farës së nevojshme është 1-1.5 g/m2.

Çfarë shërbimesh agroteknike kryhen për koprën në fushë ?

Shërbimet agroteknike më të rëndësishme që kryhen gjatë vegjetacionit për koprën janë; 

  • Luftimi i barërave të këqija  cilat mund të shkulen me dorë (në sipërfaqe të vogla), me prashitje ose me trajtime kimike, para mbjelljes, kur herbicidi duhet të përmbyset gjatë përgatitjes së tokës ose dy-tre javë pas mbjelljes së farës në fushë.
  • Plehërimi plotësues.
  • Ujitjet sipas nevojave. 

SËMUNDJET DHE DËMTUESIT E KOPRËS NË FUSHË TË HAPUR

Bimët e koprës preken pak a shumë nga ato sëmundje e dëmtues që prekin dhe finokun si, Vrugu, Kalbëzimi i qafës, Antraknoza, Bakterioza si dhe dëmtuesit si afidet, fluturat e natës etj.

Pse përbëjnë problem sëmundjet dhe dëmtuesit ?

  • Shkaktojnë ulje të ndjeshme të prodhimit.
  • Ulet vlera tregtare.
  • Ulen të ardhurat për njësi prodhimi.

Menaxhimi i sëmundjeve dhe dëmtuesve tek kopra ka të bëjë shumë me zbatimin e masave agroteknike si: 

-Qarkullimi bujqësor

-Mbjellje me distanca të pranueshme për të shmangur dendësinë dhe mungesën e ajrimit dhe depërtimit të rrezeve të diellit.

-Eleminimi i bimëve të prekura etj.

Përsa i përket kontrollit kimik duhet të bëhet me kujdes dhe të ngelet si masa e fundit në radhë.

Kundra vrugut përdoren preparate me bazë bakri.

Afidet luftohen me insekticide me veprim kontakti ose sistemik.

VJELJA DHE RUAJTJA E PRODHIMIT TË KOPRËS

Vjelja e koprës kryhet në një hark kohor mjaft të gjerë, në varësi të karakteristikave të kultivarëve, periudhës së kultivimit.

Vjelja mund të bëhet:

  • Duke i këputur bimët me dorë
  •  Kositja e bimëve, kur ato kanë arritur lartësinë më të madhe (20-40 cm) dhe ende nuk kanë drunjëzuar kërcellin.

Pritet (kositet) gjithë pjesa e gjelbër, në lartësinë 1-2 cm nga sipërfaqja e tokës.

Në varësi të pjellorisë së tokës, periudhës së kultivimit dhe gjendjes së bimëve, në vllaja, gjatë periudhës bimore kopra mund të japë 4-6 kositje.

Pas kositjes lidhen në tufa, me 10-15 bimë dhe dërgohen në treg.

Pas vjeljes, këshillohet paraftohja në temperaturë nga 0°C deri +2°C dhe transporti në temperaturë të ulët (0 deri+5°C), për të mënjanuar zverdhjen dhe vyshkjen e gjetheve.

Ruajtja e prodhimit; 

Kopra e vjelë mund ruhet për rreth dy muaj në mjedise me temperaturë 0 deri +1°C dhe lagështi ajrore 90%

Data e publikimit: 21/10/2025


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

VARIETETET, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I PAZISË

Cila është struktura varietore e rekomanduar?

Lexo më shumë

VARIETETET, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I LAKRËS KINEZE

Cila është struktura varietore e rekomanduar?

Lexo më shumë

SHËRBIMET AGROTEKNIKE TË GËSHTENJËS

Çfarë shërbimesh i kryhen gështenjës pas mbjelljes?

Lexo më shumë

VARIETETET, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I RUKETËS

Cila është struktura varietore e rekomanduar?

Lexo më shumë