Me Eminin takohemi në hyrje të fshatit Voskop, ku ai banon dhe ka edhe fermën e tij. Rexhina na shpjegoi rrugës se Emini kishte një fermë derrash për mish.
“Është një klient i ri, por shumë punëtor dhe korrekt”. Emini na drejton për tek stalla e tij, ku gjëja e parë që të bi në sy është pastërtia. Bëjmë një vizitë nëpër stallë që nga “materniteti” deri te magazinat ku mban ushqimin e derrave. Na shpjegon që jo të gjithë ushqimin e siguron vetë, por është i detyruar që një pjesë ta blejë.
Si shumica e shqiptarëve, pas vitit ’90 Emini emigroi në Greqi. Atje punoi në një fermë derrash, por jo në stallë por me mjet për transportin e lëndës ushqimore dhe produkteve të tjera. “Isha kurioz, dhe ndërkohë që shkarkohej mjeti unë rrija shikoja stallierët, bisedoja me ta, ndihmoja në ndonjë proces. Thjeshtë më ngjiti”. Me kthimin në Shqipëri pas disa viteve emigrim, vendosa të bëj edhe unë fermën time dhe ja ku jam sot. Mbaj gjithmonë gjendje për mish rreth 50-60 derra. Puna më ecën dhe jam i kënaqur. Po mendoj për një kredi të dytë, për të shtuar edhe disa viça po për mish, pasi edhe vend kam.
Ndahemi me Eminin duke i uruar mbarësi në projektin e radhës dhe jemi të bindur për këtë. Vështirësitë janë për të gjithë, ama vullneti dhe puna janë ato që e bëjnë ndryshimin. Këta janë njerëzit që ne duam të promovojmë, jo për të treguar se çdo gjë është rozë, por se kush punon është e sigurt që mundi i shpërblehet, edhe në bujqësi që është një nga sektorët më të vështirë të ekonomisë.
Shpërndaj në rrjetet sociale: