Ngritja e një pemishte është një investim me vlera të mëdha afatgjatë dhe meriton një planifikim shumë të mirë sepse gabimi më i vogël në fillim është me kosto të lartë dhe i pa korrigjueshëm më vonë. Përpara se një kultivues të zgjedhë një vend për ngritjen e një pemishte të re, ai duhet të ketë parasysh faktorët e mëposhtëm:
Të gjithë këto aspekte përmblidhen në atë që quhet projekti i mbjelljes ku çdo element ka rëndësinë e tij në fushën e planifikimit dhe zbatimit.
Kushtet natyrore (relievi, klima, toka)
Në ngritjen e një pemëtoreje rëndësi ka vlerësimi i relievit. Sipas relievit tokat mund të jenë:
Tokat e pjerrëta që janë me drejtim nga jugu dhe jug-lindja ngrohen më shpejt në krahasim me ato nga veriu dhe veri-lindja. Kjo dukuri duhet pasur parasysh në vendosjen e kultivarëve të cilët sipas lulëzimit mund të jenë me lulëzim të hershëm, të mesëm dhe të vonë.
Kështu në zonat e ftohta vendosen kultivarët më të qëndrueshëm ndaj të ftohtit dhe me lulëzim 10 – 15 ditë më të vonë ose e kundërta.
Për këtë qëllim duhet të sigurohen dhe analizohen të dhënat klimaterike shumëvjeçare për temperaturat mesatare, maksimale, minimale, sasia e reshjeve, si dhe dhe shpërndarja e tyre gjatë vitit, sasia e orëve me ndriçim diellor, drejtimi i erërave mbizotëruese, mjegulla, brymat (kryesisht ato të vonat në pranverë dhe të parat në vjeshtë), breshëri si dhe sasia e orëve me temperatura nën 0°C.
Përzgjedhja e specieve dhe kultivarëve, vendosja e tyre sipas relievit dhe pjerrësisë së tokës
Përcaktimi i species dhe kultivarit është momenti më i rëndësishëm gjatë studimit dhe hartimit të projektit të ngritjes së pemëtores. Përzgjedhja e species dhe kultivarit duhet t’i përshtatet kërkesave për tokën, kërkesave të klimës dhe mikroklimës, destinacionit të prodhimit (për konsum të freskët apo përpunim industrial), përshtatjes (qëndresës) ndaj transportit, ruajtjes në kushte të ndryshme, etj. Në tokat e pjerrëta, në fundin e saj fillohet me vendosjen e species së pjeshkës, kajsisë dhe vazhdohet me hurmën, mollën, ftoin, fikun, kumbullën, dardhën, qershinë dhe bajamen.
Gjithashtu, brenda species duhet të mbahet parasysh që në fillim të pjerrësisë (luginat) duhet të fillohet me varietete me pjekje të vonshme dhe më sipër duhet të vendosen varietetet që piqen më herët. Në pjerrësitë me drejtim nga veriu, ose veri-lindja e veri-perëndimi, duhet të mbillen varietete me pjekje të vonshme, ndërsa në ato me drejtim nga jugu, ose jug-lindja e jug-perëndimi, duhen mbjellë varietete me pjekje të hershme. Arrat dhe lajthitë shkojnë shumë mirë buzë përrenjve dhe lumenjve, sepse lëvizjet e rrymave të ajrit i përshtaten më mirë këtyre specieve për pllenimin gjatë periudhës së lulëzimit.
Llojet e pemëtoreve
Nisur nga numri i bimëve për njësi të sipërfaqes (për ha) i klasifikojmë:
Kërkesa ndaj tokës
Pemët frutore kanë kërkesa relativisht të larta për tokën. Pavarësisht se këto bimë kanë një sistem rrënjor mjaft të zhvilluar dhe të aftë për t'u rritur sa më thellë në tokë dhe me aftësi të larta për të asimiluar lëndët ushqimore dhe ujin, përzgjedhja e tokës ka rëndësi sepse pemëtoret për prodhimin e frutave do të qëndrojnë për një periudhë të gjatë në atë tokë, shumë më të gjatë se sa bimët e tjera bujqësore (përveç ullirit). Nga ana tjetër cilësia e prodhimit të frutave është e lidhur ngushtë edhe me përmbajtjen e elementëve ushqimore që ndodhen në tokë, si dhe me cilësitë e tjera agronomike të saj.
Këshillohet që toka e zgjedhur për pemishten e re, duhet të jetë me një konfiguracion të rregullt, mundësisht e sheshtë, ose edhe e pjerrët, por me një sipërfaqe uniforme, me qëllim që të lejojë mekanizimin e proçeseve te punës gjatë shërbimeve agroteknike. Tokat me taban të cekët, me thellësi të shtresës aktive deri në 50 cm, konsiderohen jo efektive për pemëtoret e reja. Pjerrësia më e pranueshme e tokës është ajo që lejon ndërtimin e rreshtave të bimëve në drejtimin veri-jug. Në këtë drejtim pemët marrin maksimumin e ndriçimit diellor.
OPERACIONET QË KRYHEN PËR NGRITJEN E NJË PEMËTORJE TË RE
Pas zgjedhjes së vendit të përshtatshëm, për ngritjen e pemëtores së re, duhet të kryhen disa operacione si: pastrimi i vendit, ndërtimi i sistemit të kullimit dhe të ujitjes, sistemimi sipërfaqësor (nivelimi, tarracimi, vetulloret, etj.) punimi i tokës, përcaktimi i numrit të bimëve për njësi të sipërfaqes dhe distancat e tyre, piketimi i gropave, hapja e gropave, zgjedhja e fidanit dhe përgatitja e tij për mbjellje, koha e mbjelljes, mbjellja e fidanit, mulçërimi, etj.
Mbështetur në këto aktivitete hartohet preventivi i mbjelljes së pemëtores.
Pastrimi i vendit dhe disiplinimi i ujërave
Pastrimi i vendit, konsiston në heqjen e bimëve të egra, ferrave, gurëve, trungjeve, etj, dhe ky proçes duhet të bëhet me mjete mekanike ose me krahë nëse janë sipërfaqe të vogla. Disiplinimi i sistemimit të rrjetit kullues dhe ujitës, konsiston në largimin e ujërave të tepërta të reshjeve dhe uljen e ujërave nëntokësore me qëllim që ato të jenë në thellësinë më poshtë se 1,5 m. Për këtë qëllim hapen kanalet kulluese ose bëhet drenazhimi i përhershëm. Drenazhimi i përhershëm rekomandohet në ato raste kur niveli i ujit është më afër sipërfaqes së tokës dhe sipas mundësive ekonomike. Gjithashtu punohet në sigurimin e sistemit të ujitjes, përfshirë këtu kanalet e treta, të dyta ose ndërtimi i sistemit të ujitjes me pika.
Sistemimi sipërfaqësor
Sistemimi i sipërfaqes së tokës bëhet në varësi të pjerrësisë natyrale që ka toka.
Punimi i tokës dhe plehërimi
Format e mbjelljes
Forma e mbjelljes së pemëtoreve varen nga disa faktorë si relievi i tokës, niveli i mekanizimit, kultivari, etj. Format e mbjelljes së bimëve në një pemëtore janë: forma katrore, forma e katërkëndëshit kënddrejtë, forma trekëndëshe dhe forma e mbjelljes me vetullore.
Përcaktimi i numrit të bimëve (distancat e mbjelljes)
Numri i bimëve për njësi të sipërfaqes përcaktohet në varësi të relievit të tokës, kultivarit, nënshartesës, shkallës së mekanizimit, formës së mbajtjes së kurorës, etj. Tendenca e sotme e kultivuesve të pemëtoreve, është rritja e numrit të bimëve për njësi të sipërfaqes, duke aplikuar format e ulëta të kurorës. Është vërtetuar se format e ulëta të kurorës çojnë në rritjen dhe përmirësimin e cilësisë së prodhimit. Gjithashtu, format e ulëta të kurorës lehtësojnë edhe punën e vjeljes me dorë. Për ngritjen e pemëtoreve me numër të madh bimësh për njësi të sipërfaqes zgjidhen kultivarë:
Piketimi dhe hapja e gropave
Piketimi. Gropat piketohen në përputhje me format e kultivimit të cilët përcaktohen më parë. Piketimi të bëhet sipas skemave të përcaktuara me rreshta të drejta, në distanca të sakta ndërmjet rreshtave dhe bimëve brenda rreshtit. Fillimisht blloku ndahet në parcela, ku përcaktohen rrugët, vendqëndrimet, zona e kthesave të mjeteve të punimit të tokës, të shërbimeve agroteknike dhe të transportit, etj.
Në tokat fushore, me qëllim që rreshtat të ndërtohen në vijë të drejtë dhe në kënd të drejtë (gone), është e domosdoshme që në fillim të procesit te piketimit të gropave, të realizohet këndi 90°. Kjo realizohet nëpërmjet formimit të një trekëndëshi kënddrejtë me anë të spangos ku njëri katet (A) të jetë A = 3 m, tjetri B = 4 m dhe hipotenuza C = 5 m.
Në tokat kodrinore, orientimi i mbjelljeve bëhet duke filluar nga pjerrësia më e madhe dhe në drejtimin veri-jug, pastaj blloku ndahet në parcela, ku përcaktohen rrugët, vendqëndrimet, zona e kthesave të mjeteve të punimit të tokës dhe të shërbimeve agroteknike si dhe të transportit, ashtu si në tokat fushore.
Hapja e gropave. Bëhet në piketën e vendosur gjatë piketimit. Në fillim merret një dërrasë 1,5 m e gjatë ku i hapen 3 të thelluara (në formë trekëndëshi); një në mes dhe dy të baraslarguara në skajet e saj.
Dërrasa vendoset në gjatësi të rreshtit duke futur piketën në të thelluarën e mesit të dërrasës. Tek dy të thelluarat e skajeve ngulen dy kunja të tjerë, me qëllim që të ruhet kontrolli dhe saktësia e mbjelljes gjatë procesit të mbjelljes.
Në rastin kur toka më parë ka qenë e pluguar qilizmë, gropat hapen në përmasat 50 x 50 ose 60 x 60 cm. Nëse punimi i parë nuk është bërë qilizmë, atëherë përmasat e gropave bëhen 70 x 70 cm ose 80 x 80 cm. Gropat hapen me krah, ose në mënyrë të mekanizuar. Dheu deri në thellësinë 25 cm hidhet në një anë ndërsa pjesa tjetër hidhet në anë tjetër. Gropat rekomandohet të hapen në vjeshtë. Kur hapen në pranverë, është e këshillueshme që ato të hapen të paktën 3 javë para mbjelljes, me qëllim që dheu të mobilohet mirë nga mikro-organizmat.
Përgatitja e fidanit për mbjellje dhe teknika e mbjelljes
Për të ndërtuar një pemëtore cilësore është e domosdoshme që fidanët të jenë të të njëjtit standard. Preferohen fidanët e kategorisë së parë dhe të dytë. Fidanët e kategorisë së tretë nuk duhet të mbillen të përziera me dy të parat. Ato mund të mbillen në vende të veçanta me qëllim që shërbimet agroteknike të bëhen më të diferencuara.
Përgatitja e fidanit për mbjellje, konsiston në krasitjen (shkurtimin) e sistemit rrënjor deri në 25 cm gjatësi dhe këshillohet lyerja e tyre me një përzierje bajgë + argjilë në raporte 1:1. Kjo ndihmon në zënien e shpejtë dhe të sigurtë të fidanëve. Një ditë para fillimit të mbjelljes, fidanët futen ne ujë të rrjedhshëm për 15-20 orë me qëllim që ato të marrin sasinë e ujit që kanë humbur gjatë kohës se ruajtjes/shtratifikimit, apo transportit të tyre. Trupi dhe rrënjët e fidanit para mbjelljes, është mirë të dezinfektohen me 1% lëng bordolez (CuSO4*5H2O).
Teknika e mbjelljes së fidanit. Mbjellja është mirë të bëhet nga dy persona, ku njëri mban fidanin ndërsa tjetri hedh dheun. Këshillohet që dheu i shtresës së sipërme, deri në 25-30 cm thellësi, të përzihet me plehrat kimike dhe organike dhe më pas të hidhet në fundin e gropës.
Sasia e plehrave për një rrënjë, duhet të jetë: 10-15kg pleh organik, 150-200g superfosfat, rreth 150-200g nitrat amoni, 150 - 200g sulfat potasi (ose lloje të tjera plehrash; mjafton që të barazohen në lëndë aktive). Sipër dheut të përzier me plehra duhet të hidhet dhe i pastër.
Kujdes! Asnjëherë sistemi rrënjor nuk duhet të kontaktojë me plehrat organike dhe ato minerale sepse pengon zënien e fidanit. Dheu i thellësisë mbi 25-30 cm, nuk duhet të përdoret për mbushjen e gropës. Ajo masë dheu duhet të merret në një vend tjetër pranë gropës dhe të mbulohet sistemi rrënjor duke e ngjeshur lehtë, me qëllim që të realizohet kontakti sa më i mirë i dheut me rrënjët.
Për fidanët e përgatitur me anë të shartimit, pika e shartimit duhet të jetë 3-5 cm mbi sipërfaqen e tokës. Kjo bëhet me qëllim që mbishartesa të mos rrënjëzoje. Nëse fidani është përgatitur pa shartim, por me anë të farës (kryesisht për fidanët hibride), apo i përgatitur me anë të metodave të tjera vegjetative, atëherë qafa e rrënjës së fidanit duhet të jetë 4-6 cm nën sipërfaqen e tokës.
Nëse pas mbjelljes nuk ka shira, fidanët duhet të ujiten menjëherë me rreth 10-20 litra ujë për fidan dhe më pas u hidhet dhé i shkrifët. Rreth 10-12 cm larg fidanit vendoset huri mbështetës, lartësia e të cilit duhet të jetë nën lartësinë e degës se parë skeletore, me qëllim që gjatë lëkundjeve nga era, degët skeletore të mos dëmtohen. Më pas, bëhet lidhja e hurit me fidanin në formën e numrit tetë (8).
Mulçërimi (bykosja), konsiston në mbulimin e gropës me barishte, fier, byk, etj, në trashësinë deri në 10 cm dhe lihet ashtu deri në vjeshtë. Mulçërimi bëhet kryesisht në kushtet e pa-ujitshme dhe shërben për të penguar avullimin e ujit nga gropa. Kjo masë ndikon në rritjen e sigurisë së zënieve.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Cilat janë vlerat e qiqrës?
Lexo më shumëCilat janë sëmundjet, simptomat dhe masat e kontrollit?
Lexo më shumëThjerrëza kultivohet kryesisht për kokrrat e saj, të cilat janë të shijshme dhe të përvetësueshme nga organizmi i njeriut.
Lexo më shumëFasulja përmban më shumë proteina sesa të gjitha bimët e tjera – vetëm një filxhan fasule ofron 1/4 e proteinave për të cilat kemi nevojë çdo ditë.
Lexo më shumë