PËRGATITJA E LAKRËS PRANVERORE PËR EKSPORT




Në 5-6 vitet e fundit Shqipëria ka filluar të rrisë eksportin e lakrës pranverore në vendet e Evropës. Më poshtë do të paraqesim instruktime për përgatitjen sa më të mirë të saj për eksport.

Këto janë pesë fazat kryesore të përgatitjes së lakrës pranverore për eksport:

  • Prodhimi
  • Vjelja
  • Seleksionimi
  • Ambalazhimi dhe etiketimi
  • Përgatitja e dokumentacionit
  • Transporti

PRODHIMI 
Në momentin që vendosim të prodhojmë për eksport është e rëndësishme zgjedhja e varietetit më të përshtatshëm. Ky moment kushtëzon mënyrën e rritjes dhe trajtimeve të nevojshme të bimës. Sipas orientimeve të eksportuesve, fermeri zgjedh varietetin duke pasur parasysh madhësinë e frutit, formën dhe kohën e prodhimit.

Gjatë prodhimit fermeri duhet të ketë shumë kujdes në përdorimin e pesticideve për luftimin e sëmundjeve të ndryshme, në mënyre që të mos krijojë mbetje në momentin e vjeljes. Për këtë duhen respektuar me rigorozitet karencat e produkteve kimike. Gjithashtu, përdorimi i plehërave ushqyes duhet të jetë në përshtatje me fazat e rritjes së bimës që të kemi një prodhim sa më cilësor. Në konsideratë duhet të merren edhe kushtet atmosferike ekstreme, të cilat shkaktojnë deformime të frutit duke e bërë atë jo të përshtatshëm për eksport.  

VJELJA 
Vjelja është një proçes shumë i rëndësishëm për përgatitjen e lakrës pranverore për eksport. Ajo duhet kryer nga punëtorë që kanë eksperiencë në vjelje. Frutat duhen këputur me kujdes, sepse edhe gërvishtja më e vogël që mund ti krijohet frutit, kthehet në njolla kafe ose të zeza përgjatë kohës deri në daljen në treg. Gjithashtu, këto dëmtime krijojnë mundësi për hyrjen e organizmave dëmtues në frut.

Lakra pranverore duhet të vilet vetëm pasi të kenë përfunduar plotësisht procesi i rritjes së frutit. Gjithashtu duhet patur kujdes që të mos ketë filluar çelja nga brënda frutit. Gjithmonë e më shumë preferohet dhe rekomandohet vjelja e lakrës me të gjitha gjethet, të paktën deri sa të mbërrije në magazinat e eksportit pasi në këtë mënyrë ruan më shumë freskinë.
KUJDES! Mos vilni fruta të prekur nga sëmundje apo infeksione të ndryshme. 

SELEKSIONIMI
Ky proçes i rëndësishëm për përgatitjen e lakrës pranverore për eksport realizohet kryesisht në qëndrat e grumbullimit dhe eksportit. Hapi i parë që kryhet në momentin e mbërritjes së produktit në këto qëndra është larja e tij. Më pas kalohet në seleksionim e tij, i cili përfshin eleminimin e frutave me defekte, standartizimin sipas madhësisë. 

AMBALAZHIMI DHE ETIKETIMI
Ambalazhimi i lakrave pranverore duhet të realizohet në mënyrë të tillë që ajo te ruhet sa më mirë. Ambalazhet duhet të jenë të reja, të pastra dhe të një cilësie të tillë që të mos shkaktojnë dëmtim të brëndshëm apo të jashtëm të frutave, si dhe duhet të jenë rezistente gjatë transportit dhe ruajtjes.

Kryesisht rekomandohen arkat e drurit dhe kartonit, por mund të pranohen edhe ato plastike në varësi të vendit ku eksportohet. Numri i futave për një arkë duhet të jetë midis 6-12 në varësi të tregjeve të ndryshëm. 

Etiketimi duhet të përmbajë këto informacione:

  • Emrin e produktit
  • Origjina e produktit
  • Klasifikimi sipas cilësisë
  • Emrin e eksportuesit 
  • Kodi HS 

PËRGATITJA E DOKUMENTACIONIT 
Dokumentat bazë për eksportin e lakrës (përvec rasteve kur në vënde të caktuara mund të ketë kërkesa specifike për dokumentacionin) janë si mëposhtë:

1. Fatura, e cila duhet të përmbajë:

  • Data e faturrës
  • Emri i palëve tregtuese
  • Numri i faturës
  • Përshkrimi i mallit
  • Njësia e matjes
  • Sasia
  • Cmimi për njësi
  • Vlera totale
  • Monedha
  • Termat e pagesës
  • Afati i dorëzimit
  • Mënyra e transportit

2. Certifikata fitosanitare, e cila lëshohet nga Drejtoria Rajonale e Bujqësisë dhe vërteton inspektimin e kryer nga autoriteti, që produkti është i trajtuar dhe është i pastër nga sëmundjet.

3. Certifikata e origjinës ose dokumenti EUR1, të cilët vërtetojnë origjinën e produktit.

4. PL (Packing list) është një dokument që jep informacion për produktin e ngarkuar dhe detajet e paketimit. Në përgjithësi ky dokument duhet të përmbajë informacionet e mëposhtme:

  • Emrin e Eksportuesit dhe Importuesit
  • Datën
  • Numrin e dokumentit dhe referimin ndaj faturës
  • Llojin e paketimit (arkë, kosh,kuti, thes, etj.)
  • Numrin e pakove
  • Përmbajtjen e çdo pakoje
  • Peshën neto dhe bruto
  • Dimensionet e pakos.

5. CMR është një dokument që në bazë të termave të dërgesës, plotësohet nga kompania transportuese ose eksportuesi. Aty specifikohet mënyra e transportit, temperatura, lagështia dhe nivelet e CO2 në bazë të tipit të transportit, si dhe të dhënat e kompanisë dhe të produktit që po transportohet.

6. Siguracioni i mallit, në bazë të termave të transportit, ky dokument sigurohet nga blerësi ose shitësi. 

TRANSPORTI
Transportimi i lakrës pranverore duhet të realizohet në kamionë me temperaturë të kontrolluar. Ngarkesa duhet të bëhet në mënyrë të tillë që hapsira të shfrytëzohet në maksimum, por pa dëmtuar produktin. Është e rëndësishme të sigurohet ajrosje e mirë në të gjithë ngarkesën. Temperatura duhet mbajtur 20°C.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë mbi bimën e lakrës pranverore së serrës. 

Data e publikimit: 23/06/2024


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

ÇFARË ËSHTË E RËNDËSISHME TË DINI NDËRSA SHKOJMË DREJT ANËTARËSIMIT TË VENDIT NË BASHKIMIN EUROPIAN

Çfarë duhet mbajtur parasysh gjatë hyrjes së kafshëve, materialeve riprodhuese si dhe produkteve me origjinë shtazore në vendet e BE-së nga vendet jashtë tij.

Lexo më shumë

MEDIKAMENTET VETERINARE DHE USHQIMET ME PËRMBAJTJE MEDIKAMENTESH

Për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve, Parlamenti Europian dhe Këshilli kanë përgatitur rregulla uniform për të siguruar mbrojtjen e konsumatorëve nga efektet potenciale të këtyre mbetjeve.

Lexo më shumë

PËRGATITJA E DOMATES PËR EKSPORT

Vitet e fundit Shqipëria është bërë vënd faktor në eksportin e perimeve ne Evropë.

Lexo më shumë

Standardet për eksportin e mollëve

Prodhimi dhe tregtimi i mollëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian (BE)

Lexo më shumë