Jeni të interesuar të njheni me varietetet kryesore autoktone apo tradicionale të specieve të kulturave perimore që kultivohen në Shqipëri si dhe me një informacion të shkurtër për kultivimin e tyre?
Kërkoni të njiheni me vlerat dhe rëndësinë e tyre për tregun rajonal?
Shqipëria, bazuar në studimet e kërkuesve vendas e të huaj konsiderohet një vend i pasur me resurse gjenetike bimore si dhe është vend origjinë për disa specie e varietete të kultivuara.
Në kuadër të zhvillimit të agroturizmit, veçanërisht në zonat kodrinore malore, ato mund të kultivohen dhe të prodhohen e të përdoren produkte tipike të zonës.
Shtimi i kujdesit dhe ndërgjegjësimi për përdorimin e varieteteve tradicionale nga komuniteti i zonës dhe i mbështetjes nga organet lokale e qendrore, nga donatorët, akademikët dhe media, do të mundësojë rritjen e të ardhurave në ato zona si dhe do të shtohen resurset gjenetike të vendit.
Më poshtë po përshkruajmë disa nga varietetet kryesore autoktone të domates sipas një studimi të Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Domatja “Serreke”e Përmetit
Specia: Solanum lycopersicum L.
Përhapja: Në Shqipërinë e jugut njihet e kultivohet për mbi 80-100 vjet. Fara e saj mbahet e trashëgohet brez pas brezi nga bahçevanët. Aktualisht zë rreth 10-15% të sipërfaqes së domates në zonë.
Përshkrimi:
Bimë e tipit të pakufizuar, me ndërnyje të shkurtra dhe masë gjethore të dendur; lulëri e thjeshtë, me 4-6 fruta në lulesë; fruta të rrumbullakët e me pole lehtësisht të shtypur, mesatarisht të mëdha, 200–220g, ngjyrë e kuqe e plotë, me shije të mirë.
Kultivimi: Domate me cikël mesatarisht të gjatë. Mbillet në fushë nga fundi prillit deri në fund majit. Vjelja e prodhimit fillon pas 8-10 javë, në korrik dhe vazhdon deri në tetor. Në traditën e zonës mbahen me 4-5 lulesa (kate prodhimi) / bimë.
Rendimenti: rreth 35 -40kv/dynym.
Veçantitë
Pozitive: Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj vrugut (Phytophthora infestans) dhe temperaturave të ulëta. Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm.
Negative: Në vite të veçanta, në kushte me lagështi ajrore, frutat kanë plasaritje të lehta radiale.
Përdorimi: E freskët për sallata dhe gatime të ndryshme, por edhe për përgatitje të salcave dhe turshive. Preferohet për konsum në familje dhe për treg.
Rreziku: Me futjen e farërave të importit po mbillet pak dhe vetëm në kopshtet familjare, pra është në rrezik zhdukjeje.
Domatja e Sanjollasit
Specia: Solanum lycopersicum L.
Përhapja: Origjinën mendohet se e ka nga Stambolli. Në Shqipërinë juglindore, kryesisht në rrethet Kolonjë dhe Korçë, njihet e kultivohet për mëse 150 vjet. Fara e saj trashëgohet brez pas brezi nga bahçevanët. Aktualisht zë më pak se 10% të sipërfaqes së domates në zonë.
Përshkrimi: Bimë e tipit të pakufizuar, me masë gjethore të dendur; lulëri e thjeshtë, me 4-6 fruta në lulesë; fruta të rrumbullakët, me ngjyrë të kuqe, tulore, e ëmbël e me shije të veçantë, me peshë mesatare 220 - 250 g.
Kultivimi: Domate me cikël mesatarisht të gjatë. Mbillet në fushë nga fundi prillit deri në fund majit. Vjelja e prodhimit fillon në korrik dhe vazhdon deri në tetor. Në traditën e zonës mbahen me 4 - 5 lulesa ose kate prodhimi / bimë.
Rendimenti: rreth 35 -40 kv/dynym.
Veçantitë
Pozitive: Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj vrugut (Phytophthora infestans) dhe temperaturave të ulëta. Kultivohet në zona të larta, mbi 400 m mbi nivelin e detit. Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm;
Negative: Në vite të veçanta, në kushte me lagështi ajrore, frutat kanë plasaritje të lehta radiale.
Përdorimi: E freskët për sallata dhe gatime të ndryshme, por edhe për përgatitje të salcave dhe turshive. Në disa fshatra përdoret edhe si domate e tharë, për konsum dimëror. Preferohet për konsum në familje dhe për treg.
Rreziku: Me futjen e farërave të importit, po mbillet pak dhe vetëm në kopshtet familjare; pra është në rrezik zhdukjeje.
Domatja e Tiranës
Specia: Solanum lycopersicum L.
Përhapja: Në Shqipërinë e mesme, kryesisht në zonën e Priskës dhe Shëngjergjit, njihet e kultivohet për më se 100 vjet. Fara e saj është mbajtur dhe trashëguar brez pas brezi nga bahçevanët. Aktualisht, zë më pak se 5% të sipërfaqes së domates në zonë.
Përshkrimi:
Gjendet në dy forma, të regjistruara në inventarin e Bankës Gjenetike të Bimëve si Tirana-92 dhe Tirana-100. Më e preferuar dhe më e përhapur në prodhim është Tirana-92, sepse ka fruta më të mëdha dhe është e përshtatshme për prodhim të mesëm e të vonë.
Kultivimi: Domate Tirana-92, ose domate e vonë e Tiranës, ose e Shëngjergjit. Mbillet në fushë nga fundi muajit maj e fillimi qershorit dhe vjelja e prodhimit fillon pas 8-10 javë, në gusht dhe vazhdon deri në tetor.
Domatja “Zemër kau”
Specia:Solanum lycopersicum L.
Përhapja: Në Shqipërinë e mesme njihet e kultivohet për më se 80-100 vjet. Fara e saj mbahet e trashëgohet brez pas brezi nga bahçevanët. Aktualisht, zë rreth 10-15% të sipërfaqes së domates në zonë.
Përshkrimi:
Bimë e tipit të pakufizuar, me ndërnyjetë shkurtra dhe masë gjethore mesatarisht të dendur; lulëri e thjeshtë, me 3-5 fruta në lulesë. Frutat janë në formë zemre, nga ka marrë edhe emrin, me peshë 250–350 g, nuk përjashtohen rastet 600-700 g. Frutat kanë ngjyrë rozë, kurse nga ana e bishtit e ruajnë edhe në pjekje ngjyrën jeshile; ata janë tulorë dhe kanë shije të mirë e të veçantë.
Kultivimi: Domate me cikël mesatarisht të gjatë. Mbillet në fushë në gjysmën e parë të prillit, deri në fund të majit. Vjelja e prodhimit fillon pas 10-12 javë, në korrik dhe vazhdon deri në tetor. Në traditën e zonës mbahen me 4-5 lulesa prodhimi/bimë.
Rendimenti: rreth 35 -40kv/dynym.
Veçantitë
Pozitive: Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj vrugut (Phytophthora infestans) dhe temperaturave të ulëta. Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm. Pëlqehet nga konsumatori.
Negative: Në vite të veçanta, me lagështi ajrore, frutat kanë plasaritje të lehta radiale. Nuk i qëndron transporteve të gjata; kërkon ambalazhim të veçantë.
Përdorimi:
E freskët për sallata dhe gatime të ndryshme.
Preferohet për konsum në familje dhe lokale.
Rreziku: Me futjen e farërave të importit po mbillet pak dhe vetëm në kopshtet familjare.
Domate kokërr vogël e Shalës
Specia:Solanum lycopersicum L.
Përhapja: Në Nënmavriq të Shalës së Dukagjinit-Shkodër. Kultivohet këtu për mëse 70-80 vjet; fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi. Aktualisht zë rreth 10-15 % të sipërfaqes që mbillet me domate në zonë, duke qenë kështu kultivar autokton më i rrallë.
Kushtet e kultivimit: Mbillet në ngastra tarracore të sheshta, me ekspozicion nga dielli, toka të thella e të pasura dhe me mundësi ujitjeje.
Përshkrimi:
Bimë e tipit të pakufizuar, me ndërnyje të shkurtra; lulëri e thjeshtë, 7-8 lulesa/bimë, me 10-12 fruta në lulesë; fruta të vegjël me majucë, me peshë mesatare 30-35 g, e kuqe e plotë, me shije të veçantë.
Kultivimi: Domate me cikël të shkurtër; mbillet në 10-15 maj dhe vjelja e prodhimit fillon pas 8-10 javë, në mes të korrikut dhe vazhdon deri në ngricat e para të vjeshtës.
Teknologjia:
Kjo domate kultivohet në fushë të hapur, farat mbillen në farishte nga fundi i shkurtit e fillimi marsit, pra rreth 7-8 javë para largimit të ngricave të fundit. Fidanët në fushë në fillim të majit. Bimët e reja, para mbjelljes së tyre në fushë, “kaliten” për 10-14 ditë. Mbjellja në fushë kryhet në ditë të ngrohta. Largësia e mbjelljes 60 – 70 cm midis rreshtave dhe 30-35 cm midis bimëve në rresht. Pas mbjelljes, bëhet ujitje, ngulen hunjtë mbështetës dhe lidhje e bimëve herë pas herë, çdo 30–45 cm Hiqen lastarët anësorë që shfaqen në kërcellin kryesor. Kryhen ujitje, plehërime dhe prashitje e bimëve në mes rreshta.
Rendimenti: rreth15-25kv/dynym.
Domate kokërr madhe e Shalës
Specia:Solanum lycopersicum L.
Përhapja: Në Gimaj të Shalës së Dukagjinit-Shkodër, por edhe në fshatra të tjerë për rreth.
Kultivohet këtu për më se 60-80 vjet; fara është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi. Aktualisht zë rreth 5-10 % të sipërfaqes që mbillet me domate në zonë, duke qenë kështu kultivar autokton tepër i rrallë.
Kushtet e kultivimit: Mbillet në ngastra tarracore të sheshta, me ekspozicion nga dielli, toka të thella e të pasura dhe me mundësi ujitjeje.
Përshkrimi:
Bimë e tipit të pakufizuar, me ndërnyje mesatarisht të shkurtra; lulëri e thjeshtë, 4-5 lulesa/bimë, me 3-4-5 fruta në lulesë; fruta të mëdhenj, me formë të rrumbullakët, me peshë mesatare 150-170 g, e kuqe e plotë, me shije të veçantë.
Kultivimi: Domate me cikël të shkurtër; mbillet në 10-15 maj dhe vjelja e prodhimit fillon pas 8-10 javë, në mes të korrikut dhe vazhdon deri në ngricat e para të vjeshtës.
Teknologjia:
Kjo domate kultivohet në fushë të hapur, farat mbillen në farishte nga fundi i shkurtit e fillimi marsit, pra rreth 7-8 javë para largimit të ngricave të fundit. Fidanët në fushë në fillim të majit. Bimët e reja, para mbjelljes së tyre në fushë, “kaliten” për 10-14 ditë. Mbjellja në fushë kryhet në ditë të ngrohta. Largësia e mbjelljes 60 – 70 cm midis rreshtave dhe 30-35 cm midis bimëve në rresht. Pas mbjelljes bëhet ujitje, ngulen hunjtë mbështetës dhe lidhje e bimëve herë pas herë, çdo 30 – 45 cm. Hiqen lastarët anësorë që shfaqen në kërcellin kryesor.
Kryhen ujitje, plehërime dhe prashitje e bimëve në mes rreshta.
Rendimenti: rreth 25-35kv/dynym.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Si e mbështet komunitetin Bujqësia Urbane?
Lexo më shumëMënyra e vetme e luftimit të kësaj sëmundje është parandalimi i saj
Lexo më shumëVirusi TSWV është një virus shumë i rrezikshëm dhe prezent në vendin tonë që prek kryesisht domaten dhe specin.
Lexo më shumëKanceri Bakterial është një sëmundje shumë e rrezikshme e domates që shkaktohet nga Clavibakter Michiganensis (Cmm)
Lexo më shumë